E diel, 19 Maj, 2024

GARË E ASHPËR PËR PRESIDENT: TAKTIKAT DHE QËLLIMET

Stevo Pendarovski i LSDM-së, Gordana-Siljanovska e VMRO-DPMNE-së, Bujar Osmani i BDI-së dhe Arben Taravari i VLEN pritet të jenë katër pretendentët kryesorë që do të garojnë për president shteti në zgjedhjet e raundit të parë të 24 prillit, përcjell KDP. Kandidat pritet të ketë edhe ASH-ja e Ziadin Selës, ndërkohë që Biljana Vankovska ishte e para që doli si kandidate e LEVICA-s. 

Kandidatët shqiptarë kanë të vogla gjasat që të shkojnë në balotazh, por gara është me rëndësi për partitë e tyre shkaku i zgjedhjeve parlamentare, që mbahen dy javë pas raundit të parë, pra më 8 maj. Rezultati i zgjedhjeve presidenciale mund të ketë një efekt të konsiderueshëm në epilogun e zgjedhjeve ëparlamentare, por mund edhe të përcaktojë dinamikat paszgjedhore që nënkuptojnë formimin e qeverisë së ardhshme.

VLEN ishte e para që nxori Taravarin si kandidat shqiptar, që më pastaj të ndiqet nga BDI, ndërkohë që pritet me kandidat të dalë edhe ASH.

“Kam frikë se kandidatura e Taravarit është nxitur nga VMRO-DPMNE dhe Mickovski”, tha Sela në një intervistë për LAJM. Sipas tij, nëse në raundin e parë kandidati i VMRO-DPMNE-së shënon një epërsi të madhe përballë kandidatit të LSDM-së, atëherë ka rrezik që partia e Mickovskit të fitojë 61 deputetë, njëjtë si Gruevski në vitin 2011.

Nga ana tjetër, Taravari ka thënë se nuk do të koalicionojë me Mickovskin e VMRO-DPMNE-së pa kushte.

“Pikëpamjet e tij (Mickovskit) janë konfuze, të paqarta sa i përket ndryshimeve kushtetuese. Do të hyja në qeveri vetëm nëse ndodhin ato ndryshime. Prandaj edhe kam dyshime për qeverinë e ardhshme që do të udhëhiqej nga Mickoski. Prioritetet tona nga 1 deri në 10 janë të qarta, kjo është rruga evropiane, fillimi i negociatave përmes ndryshimeve kushtetuese, gjithçka tjetër është pas kësaj”, tha Taravari.

BDI, ndërkohë, po mendon të kërkojë që ndryshimet kushtetuese të miratohen menjëherë pas zgjedhjeve, madje edhe para formimit të qeverisë. Sipas Artan Grubit, do të ishte e ngjashme me vitin 2011, kur menjëherë pas konstituimit të Kuvendit dhe para se të formohej qeveria, u miratua interpretimi autentik i Ligjit për Amnisti dhe Ligjit për Gjuhët.

Për këtë ide supozohet se BDI-ja do të marrë përkrahje edhe nga LSDM-ja, por edhe nga partitë me të cilat është në bisedime për bashkëpunim elektoral.

VLEN tashmë është apostrofuar publikisht si partner i dëshirueshëm i VMRO-DPMNE-së. Si VLEN ashtu edhe VMRO-DPMNE janë të sigurt për fitoren në zgjedhjet parlamentare. Sipas Taravarit, koalicioni opozitar do ta mposhtë BDI-në në zgjedhje me një minimum prej dy deri në tre deputetë. Sipas liderit të VMRO-DPMNE-së, avantazhi i tyre në sondazhe është i madh në krahasim me LSDM-në dhe është më shumë se dy me një dhe mund të jetë dy e gjysmë me një.

Deri në zgjedhje, përqindjet pritet të ndryshojnë dhe secili prej blloqeve i sheh zgjedhjet presidenciale si një moment për faktorizimin e tyre në zgjedhjet parlamentare.

Të fundit