E shtunë, 27 Korrik, 2024

ZGJEDHJET PRESIDENCIALE, PARTITË SHQYRTOJNË KANDIDATËT E MUNDSHËM

Partitë kryesore në përbërjen aktuale parlamentare aktualisht janë në fazën e përzgjedhjes së kandidatëve presidencialë për zgjedhjet e ardhshme të planifikuara për 24 prill (raundi i parë) dhe 8 maj (raundi i dytë). Kryetari i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski, ka bërë të ditur se në fund të këtij muaji, LSDM do të bëjë të njohur emrin e kandidatit të tyre për president të vendit, ndërsa VMRO-DPMNE, pritet që më 2 mars të shpallë kandidaturën zyrtare për president. Në anën tjetër, LEN dhe  “E Majta”, tashmë kanë shpallur kandidatët e tyre për president. Arben Taravari do të jetë kandidati i koalicionit të opozitës shqiptare (LEN), ndërsa Biljana Vankovska kandidate e partisë “ E Majta”. Kurse nga radhët e BDI-së, ndër emrat që po përmendet më së shumti në opinion në lidhje me kandidaturën për president është ai i ministrit të Punëve të Jashtme, Bujar Osmani. Analisti politik, Seladin Xhezairi, në një intervistë në “Euronews”, ka pohuar se kandidatura më e sigurt për zgjedhjet presidenciale nga radhët e BDI-së është ajo e Bujar Osmanit. Ndër të tjera, KDP.MK jozyrtarisht mëson se edhe ASH-ja e Ziadin Selës, nuk e përjashton mundësinë për kandidat në zgjedhjet presidenciale.

Përgatiti: Enis Shaqiri

Zgjedhjet e shtata presidenciale, sipas marrëveshjes politike, do të mbahen më 24 prill, ndërsa zgjedhjet e njëmbëdhjeta parlamentare do të mbahen më 8 maj, të cilat kësaj radhe do të jenë të rregullta. Nëse do të ketë një raund të dytë të zgjedhjeve presidenciale, ato do të përkojnë me zgjedhjet parlamentare dhe do të mbahen më 8 maj.

Sipas nenit 63 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, zgjedhjet për deputetë në Kuvend mbahen në 90 ditët e fundit të mandatit të përbërjes së vjetër parlamentare ose në afat prej 60 ditë nga dita e shpërndarjes së Kuvendit. Neni 81 i Kushtetutës parashikon se zgjedhja për President të Republikës bëhet në 60 ditët e fundit të mandatit të Presidentit të mëparshëm”, – njoftoi javë më parë kryetari i Kuvendit, Jovan Mitreski, duke paralajmëruar që afatet fillojnë të rrjedhin nga dita e publikimit të Vendimit për shpallje e zgjedhjeve në “Gazetën Zyrtare”.

Në përgatitje për mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale partitë kryesore në përbërjen aktuale parlamentare ende janë duke llogaritur dhe matur rejtingun e disa emrave për kandidat presidencial.

Kryetari i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski ka deklaruar se në fund të këtij muaji LSDM do të shpalos emrin e kandidatit për president të vendit. Ai tha se kandidati do ta ketë mbështetjen e të gjithë partnerëve të koalicionit, ndërkaq për BDI-në, tha se ata kanë opsionet e tyre, duke lënë të kuptohet se me këtë bie ideja e një kandidati konsensual për kryetar të shtetit.

Kjo është pyetje për të cilën duhet BDI të përgjigjet. BDI ka opsion ose që ta mbështes kandidatin për president që ne do ta propozojmë, ose të kandidojë me kandidatin e tyre për president, ky është vendim i partisë BDI”, theksoi Kovaçevski.

Nga BDI,  tani më mbetet e qartë, se do të ketë kandidat për president, mirëpo ende nuk kanë vendosur për ndonjë emër konkret. Megjithatë një ndër emrat që po lakohet më së shumti në opinion është ai i ministrit të Punëve të Jashtme, Bujar Osmani.

Analisti politik, Seladin Xhezairi në një paraqitje në Euronews, ka theksuar se kandidatura më e sigurt, thuajse 90 përqind, për zgjedhjet presidenciale nga radhët e BDI-së është ajo e Bujar Osmanit.

Kujtoj se kandidatura më e sigurt, thuajse 90 për qind, është ajo e shefit aktual të diplomacisë, Bujar Osmani. Pra, besoj se Zoti Bujar Osmani ka për të qenë kandidat i Bashkimit Demokratik për Integrim në këto zgjedhje presidenciale”, ka theksuar Xhezairi.

Në anën tjetër, KDP.MK, jozyrtarisht mëson se edhe ASH-ja e Ziadin Selës, nuk e përjashton mundësinë e që të dalë me kandidatin e tyre për zgjedhjet presidenciale.

Në garën presidenciale është edhe LEN (Lidhja Evropiane për Ndryshim), tani të transformuar në VLEN. Kandidat për president i këtij blloku opozitar është Arben Tarvari, i cili kontrollon një pjesë të ASH-së, por që u shkarkua nga posti i kryetarit të partisë, të dielën mbrëma (18 shkurt), nga kongresi i i jashtëzakonshëm, i thirrur nga krahu i Ziadin Selë.

Taravari, shpalli kandidaturën e tij për president të Maqedonisë së Veriut për zgjedhjet presidenciale. Taravari shpalljen e kandidaturës e bëri më 15 shkurt në qytetin e Gostivarit. Ky koalicion në krye me kandidatin Taravari,  përbëhet nga Lëvizja Besa, Alternativa, Lidhja Demokratike, njëri krah i Aleancës për Shqiptarët (ASH) dhe mbështetësit e Lëvizjes Vetëvendosje, partisë në pushtet në Kosovë.

Kurse në bllokun politik maqedonas,  lideri i VMRO-DPMNE-së opozitare, Hristijan Mickoski, së fundi deklaroi se përzgjedhja për kandidat për kryetar të shtetit është ngushtuar në tre, ndërsa kandidatura zyrtare do të shpallet më 2 mars.

Ne si parti politike i masim emrat pavarësisht nga reklama. Mund të them që nuk janë më shumë se tre për momentin, por shpallja është e hapur dhe është një proces i pavarur nga analizat që bën partia. Kushdo që i plotëson kushtet do të jetë pjesë e konventës për zgjedhjen e kandidatit për president që do ta mbështesë VMRO-DPMNE-ja, e me këtë edhe presidenti i Maqedonisë”, tha Mickoski.

Sipas burimeve brenda partiake të VMRO-DPMNE-së, deputetja dhe ish-kandidatja për presidente Gordana Siljanovska Davkova renditet më lart në sondazhe dhe anketa, e ndjekur nga profesori universitar Aleksandar Spasenovski, ndërsa deputeti Antonijo Milloshoski është i treti në listë. Davkova ka konfirmuar se ka ofertë, por ka thënë se ende mendon nëse sërish do të futet në garë, pas dështimit që të bëhet presidente në zgjedhjet paraprake në vitin 2019. Në opinion përmendet gjithashtu edhe emri i ish kryetarit të ASHAM-it, Lupço Kocarev.

Përndryshe, e para që nisi garën parazgjedhore ishte “Levica”, me profesoreshën Biljana Vankovska, ndërsa kandidat i pavarur do të jetë infektologu Vello Markovski. Kandidatë për president të shtetit ka paralajmëruar edhe partia e kryetari të Kumanovës, Maksim Dimitrievski, “ZNAM”.

Kujtojmë se afati për shpalljen e kandidaturave për garën presidenciale është deri më 19 mars. Këto zgjedhje presidenciale janë të nëntat që nga pavarësia e Maqedonisë së Veriut më 1991. Vendi sipas statistikave zgjedhore paraprake ka numëruar rreth 1.8 milion votues, ndërsa në rundin e parë të zgjedhjeve, president zgjidhet ai kandidat që arrin të marrë mbi 50 për qind të votave nga trupi i përgjithshëm votues. Nëse asnjëri kandidat nuk arrin të marrë 50 për qind të votave, atëherë në rundin e dytë shkojnë dy kandidatët me më së shumti vota. Fitues kandidati që fiton më shumë vota nga numri i votuesve që dalin në votime, me kusht që pjesëmarrja të jetë mbi 40 për qind e trupit votues.

Të fundit