E shtunë, 20 Korrik, 2024

PROTESTË NË SHKUP: NAVALNY, VIKTIMË E REGJIMIT GJENOCIDAL TË PUTINIT

“Aleksei Navalny, lideri i luftës për demokraci dhe të drejtat e njeriut, është viktimë e regjimit të pamëshirshëm të një diktatori gjenocidal”, është thënë të hënën në një protestë të sektorit joqeveritar, para Ambasadës së Federatës Ruse në Shkup të Maqedonisë së Veriut, njofton Radio Evropa e Lirë.

Autoritetet ruse në Arktik kanë njoftuar më 16 shkurt për vdekjen e Navalnyt.

Navanlny ka qenë i dënuar me më shumë se 19 vjet burgim për akuza që ai dhe mbështetësit e tij i kanë konsideruar të motivuara politikisht.

Në letrën e protestës dorëzuar Ambasadës ruse është thënë se “emri i Navalnyt dhe ndjekja e tij e palodhshme për demokraci dhe të drejtat e njeriut jetojnë në zemrat dhe mendjet e njerëzve liridashës në mbarë botën, si dhe në Federatën Ruse”.

Xhabir Deralla, drejtuesi i organizatës, “CIVIL”, ka thënë se për vdekjen e Navalnyt përgjegjës është shteti rus.

“Ne u bëjmë thirrje urgjentisht autoriteteve ruse të lejojnë një hetim të pavarur mbi rrethanat e vdekjes së Aleksei Navalny. Ne u bashkohemi kërkesave për lirimin e të gjithë të burgosurve politikë në Rusi si dhe t’i jepet fund brutalitetit policor dhe shtypjes ndaj qytetarëve”, ka thënë Deralla.

Sipas tij, “regjimi rus duhet t’i japë fund luftën gjenocidale kundër Ukrainës” dhe ka kërkuar nxjerrjen e presidentit rus, Vladimir Putin para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për t’u gjykuar për krimet e bëra”.

Vdekja e Aleksei Navalnyt ka shkaktuar reagimin e zyrtarëve më të lartë shtetërorë në Maqedoninë e Veriut.

Presidenti i Maqedonisë, Stevo Pendarovski, ka thënë se vdekja e liderit opozitar rus paraqet “ditë të trishtë për demokracinë”.

“Jam i tmerruar nga vdekja e politikanit rus Alexei Navalny. Një ditë e trishtuar për demokracinë, njerëzimi ka humbur një aktivist të patundur për të drejtat e njeriut”, është thënë në reagimin e Pendarovskit, pas njoftimit për vdekjen në burg të liderit opozitar rus.

Vdekja e Navalnyt ka shkaktuar zemër në gjithë botën ndërsa Perëndimi e ka akuzuar shtetin rus në krye me Putinin për vrasjen e tij.

Autoritetet ruse janë duke refuzuar që të dorëzojnë trupin e Navalnyt te familja e tij, me arsyetimin se ende nuk kanë përfunduar hetimet./REL/

Të fundit