E shtunë, 18 Maj, 2024

A DO TË BALLAFAQOHEN SELA DHE TARAVARI NË GARËN PËR PRESIDENT SHTETI?

Partitë më të mëdha në përbërjen aktuale parlamentare ende janë duke llogaritur dhe matur rejtingun e disa emrave për kandidat presidencial për zgjedhjet që do të mbahen më 24 prill (raundi i parë) dhe 8 maj (raundi i dytë), përcjell KDP.

VMRO-DPMNE-ja opozitare pritet ta zgjedhë kandidatin në kuvendin e partisë më 2 mars. Kryetari i partisë, Hristijan Mickoski, thotë se pavarësisht nga kjo, momentalisht janë duke matur rejtingun e jo më shumë se tre emrave.

“Ne si parti politike i masim emrat pavarësisht nga reklama. Mund të them që nuk janë më shumë se tre për momentin, por shpallja është e hapur dhe është një proces i pavarur nga analizat që bën partia. Kushdo që i plotëson kushtet do të jetë pjesë e konventës për zgjedhjen e kandidatit për president që do ta mbështesë VMRO-DPMNE-ja, e me këtë edhe presidenti i Maqedonisë”, tha Mickoski.

Burime partiake kanë thënë se kandidatë më seriozë janë deputetja Gordana Siljanovska – Davkova. Ajo ka konfirmuar se ka ofertë, por ka thënë se ende mendon nëse sërish do të futet në garë, pas dështimit që të bëhet presidente në zgjedhjet paraprake në vitin 2019.

Kryetari i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski, megjithatë, nuk zbuloi se sa emra janë në lojë dhe thotë se janë propozuar “disa kandidatë të mundshëm eminent”.

Nga organizatat komunale të partisë në mesin e të propozuarve është edhe kryetari aktual Stevo Pendarovski, ndërsa janë propozuar edhe ish-kryetarë të tjerë të shtetit dhe të LSDM-së, ish-sekretarë të partisë, si dhe ish-gjyqtarë.

“Nuk mund t’ju ​​them saktësisht se sa kandidatë të mundshëm janë propozuar sepse nuk i kam numrat përpara. Ata mblidhen në sektorin e sekretarit organizativ… Ajo që kam parë nga ajo që kemi marrë nga organizatat komunale, vetëm sa konfirmon se LSDM është parti e madhe, parti që ka potencial të lartë kadrovike dhe që gjithmonë ka kandidatët më të mirë për të gjitha pozitat”, tha Kovaçevski.

BDI dhe ASH ende nuk kanë vendosur nëse do të marrin pjesë në zgjedhjet presidenciale me kandidat të tyre, apo do të mbështesin një kandidat të përbaashkët të një koalicioni me LSDM-në. Në rast se do të vendosin të garrojnë, në BDI më shumë lakohet emri i Bujar Osmanit, ndërsa në ASH ende nuk ka ndonjë emër konkret.

Në garën presidenciale pritet të hyjnë edhe kandidatë nga partitë e tjera, përfshirë edhe nga Lidhja Evropiane për Ndryshim (LEN) – koalicion në të cilin janë bashkuar partitë opozitare nga blloku shqiptar. LEN duhet të vendosë ndërmjet dy emrave – Bilall Kasamit të BESA-s dhe Arben Taravarit të ASH-së, i cili me krahun e tij ka paralajmëruar se do t’i bashkohet opozitës shqiptare.

Njohësit e rrethanave thonë se nëse Taravari del si kandidat presidencial i LEN-it, nuk përjashtohet mundësia që Sela të dalë si kandidat i ASH-së, i përkrahur edhe nga parti tjera shqiptare.

Megjithatë, burime nga LEN thonë se janë në negociata edhe me Rufi Osmanin, ish-politikan dhe profesor universitar.

Nga partitë parlamentare deri më tani vetëm Levica ka promovuar kandidatin e saj për president. Më 7 shkurt e ka prezantuar si kandidate profesoreshën Biljana Vankovska nga Fakulteti Filozofik në Shkup dhe ka paralajmëruar se do të fillojnë me mbledhjen e 10.000 nënshkrimeve të nevojshme për kandidaturën e saj.

Përveç zgjedhjeve presidenciale, më 8 maj, së bashku me raundin e dytë, votuesit në Maqedoninë e Veriut do të votojnë edhe në zgjedhjet parlamentare.

Sipas njoftimeve, kryetari i Kuvendit, Jovan Mitreski, zgjedhjet do t’i shpallë më 14 shkurt, ndërsa fushata duhet të fillojë në fillim të prillit.

Të fundit