E mërkurë, 8 Maj, 2024

IMPERATIVI I PACIFIZIMIT TË SHOQËRISË

Gjithnjë mbi këto premisa thellësisht humane duhet të lëvizin edhe dinamikat politike, përtej acarimeve ekskluzivisht ideologjike dhe partizanive të natyrave të ndryshme. Sigurisht, ne nuk mund t’i ikim politikës, por mund ta zgjerojmë kuptimin e saj me horizonte që nuk ndërlidhen vetëm  cikle zgjedhore. Një ndër dimensionet thelbësore të politikës mbetet pacifizimi i shoqërisë. Ky mbetet kushti i domosdoshëm për mbrothësi shoqërore. Pluralitetet politike dhe përgjithësisht jeta demokratike merr kuptim vetëm në këtë normalitetet politik dhe shoqëror. Për këtë normalitet që përfaqëson racionalitet politik duhet të angazhohet gjithsecili, sepse kjo mbetet rruga e vlerave të përbashkëta thellësisht njerëzore. Orientimet, preferencat ideologjike mbeten tërësisht legjitime dhe janë pjesë e dinamikave dhe vlerave demokratike.

Shkruan: Bardhyl Zaimi

Sfera e politikës gjithnjë shfaqet e komplikuar, sidomos në kohët moderne kur tashmë konceptet dhe narracionet e mëdha “deplasohen” vazhdimisht nga realitete tjera, shfaqje tjera, të cilat shtrijnë praninë e vete me njëqind fytyra. Në aspektin teorik, sfera e politikës mbetet fluide me shumë pluralitete përbrenda, konstituentë të shumtë që kërkojnë protagonizëm dhe bashkë me këtë edhe dominim. Që nga fillimet e njerëzimit, politika ka qenë në një antagonizëm të përhershëm me të vërtetën, si nocion dhe entitet, që qëndron krejtësisht në hemisfera tjera.

E vërteta, politika, ideologjitë, demokracia, qytetarët janë gjithnjë nocione që vijnë më shumë në shprehje në kohë zgjedhjesh, në periudha parazgjedhore, kur aktorët politikë fillojnë që të lëshohen në dimensionet e mobilizimeve dhe kur realisht fillojnë të shfaqen edhe diskurse të forta antagoniste që nganjëherë prodhojnë një ambient skajshmërisht të acaruar politik, duke shfytyruar kështu normalitetin politik dhe demokratik.

Hanna Arendt thotë  se një krizë na kthen te vetë pyetjet, dhe kërkon prej nesh përgjigje të reja apo të vjetra, pra sidoqoftë gjykime të drejtpërdrejta. Nga ana tjerë, thotë ajo, një krizë kthehet në katastrofë vetëm kur i përgjigjemi asaj me gjykime të parakonceptuara, d.m.th me paragjykime.

Arendt gjithashtu thekson se kurdoherë që në çështjet e vërteta politike, arsyeja njerëzore dështon apo braktis përpjekjen për të dhënë përgjigje, ne ndodhemi përpara një krize.

Padiskutim, zgjedhjet gjithnjë na vendosin përpara këtyre pyetjeve, përpara një sprove që në të shumtën e rasteve ndërlidhet me fenomene politike që shfaqen herë-herë në formë antagonizmash të thella politike, që mund t’i ndajnë njerëzit dhe mund t’i çojnë në përplasje potenciale të natyrave të ndryshme.

Ky peizazh i zymtë paralajmërues na vendos përpara përgjegjësisë thellësisht humane që të hapim një horizont tjetër perceptimesh që shkojnë përtej taborëve ideologjike dhe përtej formave të deritashme të “betejave” politike që rrezikojnë të acarojnë një pjesë të shoqërisë. Jo njëherë për ndodhitë tona është përdorur metafora e “Makonodos” nga romani “ Njëqind vjet vetmi” i Gabriel Garsia Markezit.

Jack Richardson në një  kritikë mbi hapjen e romanit “Njëqind vjet vetmi” shkruan: “Menjëherë e kuptojmë se nuk jemi vetëm në kujtesën e një karakteri, por edhe në një moment historik dhe mitik dhe karakteret e Garsia Markezit shfaqen si qenie të tmerrshme vdekjeprurëse, nëse jo tërësisht të kobshme. Ndërsa Rita Guibert në një intervistë pikërisht mbi këtë metaforë vetmie thekson se G.G Markez beson se “fatkeqësia e Makondos” rezulton nga mungesa e solidaritetit, vetmi që vjen kur të gjithë veprojnë për veten e tyre.

Në habitusin tonë, gjatë kohë gjallojmë në metaforën e vetmisë së “Makondos”, ndërkohë që politika gjatë gjithë kësaj periudhe tranzicioni nuk ka arritur që të kthejë në aksion demokratik dhe prosperues pikërisht këtë fat të Makondos.

Në gjithë këtë situatë, me defekte të shumta dhe me një deprimim të vazhdueshëm qytetar shfaqen edhe “betejat” politike që e shënojnë trajektoren politike të tranzicionit, por si zakonisht gjithnjë në bazë të logjikës së antagonizmave politike që e pretendojnë të vërtetën. Sigurisht, çdo pretendim mbetet legjitim në sferën e politikës dhe demokracisë dhe potelcialisht mund të shënojnë një emancipim në jetën politike dhe demokratike.

Sidoqoftë e vërteta gjithnjë shfaqet e komplikuar në terrenin politik ku faktualiteti iu dorëzohet opinioneve. Politikat moderne që vijnë si përvojë e modeleve perëndimore njohin racionalitetin politik përballë opinioneve që gjithashtu janë substancë e hapësirës së politikës.

Në qoftë se falsiteti, si e vërteta, të kishte vetëm një fytyrë, ne do ta dinim më mirë se ku ndodhemi, sepse atëherë do të konsideronim si diçka të sigurt, të kundërtën e asaj që na thonë mashtruesit. Por ana tjetër e të vërtetës ka njëmijë trajta dhe shtrihet pa kufi” thotë Montenji.

Siç mund të shihet e vërteta në terrenin  politik shfaqet e komplikuar dhe në nivel teorik është trajtuar gjerë e gjatë nga Hannah Arendt në librin “ Ndërmjet të shkuarës dhe të ardhmes”. Nuk ka dyshim që hapësira politika nënkupton dinamika aktorësh të shumtë, që kërkojnë identifikim, por edhe prani dominuese. Por, në mendimin perëndimor, e vërteta gjithnjë shihet jashtë këtyre dinamikave diskurzive.

Pikërisht në këtë drejtim Hannah Arendt thotë se pozicionimi jashtë sferës politike-jashtë bashkësisë së cilës ne i përkasim dhe jashtë shoqërisë së vërsnikëve tanë-karakterizohet qartë si një prej mënyrave të ndryshme të qenies vetëm. Midis mënyrave ekzistenciale të thënies së të vërtetës, thekson Arendt, spikat vetmia e filozofit, veçimi i shkencëtarit dhe artistit, paanësia e historianit dhe e gjykatësit dhe pavarësia e mbledhësit të fakteve, dëshmitarit dhe reporterit.

“Konceptualisht e vërtetë mund të quhet gjithçka që nuk jemi në gjendje ta ndryshojmë, metaforikisht e vërteta përbën terrenin mbi të cilin qëndrojmë, dhe njëkohësisht, qiellin që shtrihet mbi ne”, thotë Hannah Arendt.

Ne nuk mund ta shkëpusim veten nga determinimet historike dhe nga konteksti kohor ku kemi vendosur gjallninë tonë. Përtej sharlatanizmit, regimeve kuturu shpeshherë krupëndjellëse, tkurrjes në të dhëna statestikore, nevojitet një mendje intelektuale për të imagjinuar një botë më të mirëqenë për ta vendosur qenësinë tonë shoqërore dhe kulturore. Ne i kemi humbur referencat dhe kemi lejuar që të pjesëtohemi pafundësisht në vogëlsinë tonë nga matematikat politike. Jemi shndërruar në qenie uniforme të aktualitetit, ku dominojnë formulat skematike të politikës. Për të dalë nga kjo gjendje dhe për të rifituar dimensionet e harruara të afirmimit të qenies sonë nevojitet stimulimi i mendimit kreativ publik, që bazohet në dije dhe punë sistematike. Gjithnjë duke gërshetuar imagjinimin e së kaluarës dhe së ardhmes në sensin e mendimit kritik. Do të duhet ta rokonstituojmë qenësinë tonë publike duke rikonstituar hapësirën publike dhe debatin brenda saj. Kjo do të na çojë te mendimi, te ky entitet jo vetëm thjesht empirik, por edhe historik dhe imagjinativ. Ta imagjonosh vetën në sensin e pranisë në një kontekst kohor do të thotë t’i japësh vetes dimensionin e lirisë mendimtare!

Gjithnjë mbi këto premisa thellësisht humane duhet të lëvizin edhe dinamikat politike, përtej të vërtetave ekskluzivisht ideologjike dhe partizanive të natyrave të ndryshme. Sigurisht, ne nuk mund t’i ikim politikës, por mund ta zgjerojmë kuptimin e saj me horizonte që nuk ndërlidhen vetëm me një cikël zgjedhor. Një ndër dimensionet thelbësore të politikës mbetet pacifizimi i shoqërisë. Ky mbetet kushti i domosdoshëm për mbrothësi shoqërore. Pluralitetet politike dhe përgjithësisht jeta demokratike merre kuptim vetëm në këtë normalitetet politik dhe shoqëror. Për këtë normalitet që përfaqëson racionalitet politik duhet të angazhohet gjithsecili, sepse kjo mbetet rruga e vlerave të përbashkëta thellësisht njerëzore.

Të fundit