E diel, 19 Maj, 2024

TË RRIMË SHTREMBËR E TË FLASIM DREJT! 

Evropa plakë, po edhe Amerika, në motin 2024 mbetet e mbërthyer nga ethet (para)zgjedhore. Do fitojë e djathta apo e majta, do ketë shuarje apo hapje të vatrave të reja të krizës, si do t’ia bëjnë ballkanasit (dhe shqiptarët, natyrisht!) me teket e tyre, çfarë qëndrimi do të mbajnë shqiptarët dhe maqedonasit (u mor vesh!) në këtë vit zgjedhjesh? Janë këto pyetje a çështje që kërkojnë, në mos qëndrim, ama po se po – vështrim të esëllt!

Shkruan: Seladin XHEZAIRI

Të rrimë shtrembër e të flasim drejt! Historiani gjerman, Jan Werner Muller, e ka një libër (Ç’është populizmi? – quhet libri) në të cilin pasqyron dhe zbërthen me kthjelltësi e mprehtësi gjakftohtë këtë dukuri-fenomen që nuk është se nuk vret syrin gjithandej ish-kampit socialist, pa përjashtuar këtu Ballkanin Perëndimor me serbët, maqedonasit dhe shqiptarët, brenda! Në këtë rrafsh, kritika nënvizon se Muller “tregon se përkundër dijes konvencionale, populistët mund të qeverisin mbi bazën e pretendimit të tyre për përfaqësim ekskluziv moral të popullit; nëse populistët kanë mjaftueshëm pushtet, do të përfundojnë duke krijuar një shtet autoritarist, që përjashton të gjithë ata që nuk konsiderohen pjesa ‘e duhur’ e popullit”: “Populistët në pushtet i rikthehen sërish argumentit se vetëm ata janë përfaqësuesit moralisht legjitimë të popullit dhe vetëm disa prej këtij populli janë vërtet populli real autentik që meriton mbështetjen dhe sidomos qeverisjen e mirë,” – thotë Jan Werner Muller, duke iu referuar rastit të Viktor Orbanit në Hungari apo edhe të Erdoganit në Turqi. Në Ballkan, ndërkaq kjo shihet më së miri në Serbi, po edhe në Kosovë, pasuar nga Republika Serpska, Mali i Zi, për të ardhur në Maqedoninë e Veriut (shembuj: partia SNS e presidentit Aleksandar Vuçiq; VV-ja e kryeministri Albin Kurti; partia SNSD e anëtarit serb të Presidencës kolektive të Bosnjë e Hercegovinës, Milorad Dodik; partitë pro-serbe e pro-ruse në Mal të Zi dhe VMRO-DPMNE-ja e Hristijan Mickoskit e, si duket, edhe LEN-i) që japin e marrin duke luajtur në kartën e populizmit. Kritikimi i tyre, prandaj, edhe sipas historianit gjerman, pa një pa dy, ta vesh etiketën e mbrojtësit të “elitave të vjetra”!

Populistët në pushtet kur, gjatë realizimit të programeve të tyre zgjedhore, iu has sharra në gozhdë, nuk denjojnë të bëjnë fajtorë pushtet e mëparshme, pa çka se janë në përfundim të mandateve të tyre qeverisëse. Kanë mide të zhvilluar politike për prodhim “tradhëtarësh e hajdutësh”. Dhe, mund të jenë në hasmëri me njëri-tjetrin, por shumë kollaj kopjojnë përvojat, po të njëri-tjetrit! Konspiracionin dhe patriotizmin, zakonisht me fjalë, e kanë për zemre. Për shkak se e rrit klientelizmin dhe “shpresën se populli do t’i prijë shtetit”. Ai populli i populistëve, të tjerët që s’i kanë votuar – jo se jo! Dhe, kur e kanë pisk në vendin e tyre, për të spostuar vëmendjen – shtrijnë hapin – në fqinjësi. Për ta bërë edhe atje – zi e më zi!

Evropa plakë dhe Amerika e largët në motin 2024 janë të mbërthyera nga ethet zgjedhore. Do fitojë e djathta apo e majta; do ketë shuarje apo hapje të vatrave të reja të krizave; si do t’ia bëjnë ballkanasit (dhe shqiptarët, natyrisht!) me teket e tyre; çfarë qëndrimi do të mbajnë shqiptarët dhe maqedonasit (u mor vesh!) në këtë vit zgjedhjesh? Janë këto pyetje a çështje që kërkojnë, në mos qëndrim, ama po se po – vështrim të esëllt!

Të hënën në Shkup ishin prijësit e Ballkanit Perëndimor. Nga zyrtarë të lartë të Amerikës e BE-së u yshtën të jenë në rrugë të mbarë! Ra në sy, në margjinat e samit,  edhe një takim sy më sy e kokë më kokë mes Edi Ramës, Albin Kurtit e Arben Taravarit: Logjika e thotë të jetë biseduar anën e kujt do ta mbajë ASH-ja – të z. Kurti apo të z. Rama? Do shkojë me LEN-in (preferencë e Kryeministrit kosovar) ose me BDI-në (preferencë e Kryeministrit shqiptar)?

Të rrimë shtrembër e të flasim drejt!

Zëvendësndihmës-sekretari amerikan i Shtetit James O’Brien, gjatë qëndrimit në Shkup, të hënën, tha shkurt e shqip, qytetarët e Maqedonisë së Veriut, pse jo dhe politikanët, do të duhet të zgjedhin “mes vizionit për të ecur drejt Evropës dhe një rruge krejtësisht tjetër”!

 

Të fundit