E mërkurë, 15 Maj, 2024

SHTYPI KROAT: VUÇIQI DE FACTO E NJOHU KOSOVËN, I SHITI VËLLEZËRIT SERBË, PA E VËNË RE ASKUSH…

Prishtina, ashiqare në një marrëveshje të heshtur me përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare, e shpalli euron valutë të vetme zyrtare në territorin e Republikës së Kosovës dhe kështu e hoqi dinarin serb nga qarkullimi monetar, në të cilin një pjesë  e mirë e serbëve nga veriu i Kosovës i merr pagat dhe pensionet e tyre nga Beogradi.

Edhe pse Komisioni Evropian i kërkoi kryeministrit të Kosovës Albin Kurti sqarim për këtë veprim, Miroslav Lajçak, Përfaqësues i Posaçëm i BE-së për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe çështje të tjera rajonale, pavarësisht kundërshtimit të Aleksandër Vuçiqit, po hesht dukshëm…

Shkruan: SASHA LUBIÇIQ*

E gjithë fushata në Serbi për zgjedhjet parlamentare dhe lokale u reduktua në sforciumin e togfjalëshit “Nuk e japim Kosovën!”.

Ata të cilët, kur është fjala për “tokën e shenjtë serbe”, u besuan përparimtarëve të tij, duke besuar se ai u bëri ballë të gjitha presioneve të BE-së në lidhje me integritetin kushtetues të Kosovës, krahinës jugore serbe, siç e quan Beogradi zyrtar, u mashtruan. Krejt e kundërta, përderisa bëhej zhurmë në fushatën parazgjedhore për Obiliqin e shekullit të ri, ranë si me një frymë filialet e Bankës Komerciale në Kosovë.

Punëtorëve iu dorëzuan pushimet nga puna së bashku me pagën e dakorduar të largimit, kurse klientëve iu tha që për të marrë pagesat e tyre në dinarë të shkonin, fjala vjen, në zyrën më të afërt në Vranjë, Serbi, e cila është më shumë se njëqind kilometra larg Graçanicës.

Për çfarë është fjala? Prishtina, ashiqare në një marrëveshje të heshtur me përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare, e shpalli euron valutë të vetme zyrtare në territorin e Republikës së Kosovës dhe kështu e hoqi dinarin serb nga qarkullimi monetar, në të cilin një pjesë e mirë e serbëve nga veriu i Kosovës i merr pagat dhe pensionet e tyre nga Beogradi.

Edhe pse Komisioni Evropian i kërkoi kryeministrit të Kosovës Albin Kurti sqarim për këtë veprim, Miroslav Lajçak, Përfaqësues i Posaçëm i BE-së për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe çështje të tjera rajonale, pavarësisht kundërshtimit të Aleksandër Vuçiqit, po hesht dukshëm.

Në këtë mënyrë parandalohet ekzistimi i sistemit paralel arsimor, shëndetësor dhe kulturor në Kosovë, që drejtohet nga Beogradi, në zonat ku jeton popullata shumicë serbe. Stafi profesional që i kryen këto punë shpesh vjen nga Serbia, prandaj është çështje e madhe sesa prej tyre do të qëndrojnë në vendet e tyre të punës pasi të kuptojnë se në Kosovë më nuk do të mund të marrin rrogë në dinarë.

Vetëm përmes Kancelarisë për Kosovë dhe Metohi, serbëve në Kosovë  shteti amë çdo vit u dërgon mbi njëqind milionë euro. Pa këto para, si dhe për shkak të faktit se në veri të Kosovës, shërbimet komunale janë reduktuar në nivel simbolik falë Qeverisë së Beogradit, do të shpërnguleshin edhe serbët e mbetur, të cilët, përkundër të gjithave, nuk duan të braktisin  vendlindjen.

Gjatë gjithë këtyre viteve në veri të Kosovës, më së shumti në Mitrovicën e Kosovës, e në një masë më të vogël në enklavat serbe në mbarë vendin, ka mbisunduar një pushtet i dyfishtë i llojit të vet. Të punësuarit në shërbimet publike dhe pensionistët e nacionalitetit serb marrin pagat dhe pensionet nga Serbia në monedhën kombëtare të këtij vendi, ndonëse jetojnë në Kosovë, ekzistimin e së cilës e ka miratuar një pjesë e mirë e bashkësisë ndërkombëtare.

Tani e tutje, të gjithë ata që janë të lidhur financiarisht edhe më tej me vendin e tyre amë, për të marrë rrogat ose pensionet do duhet të shkojnë në Serbi. Në fakt, atë që tashmë e bëri Banka Komerciale në Kosovë, po përgatitet ta bëj edhe Posta e kursimeve nën kontrollin e Beogradit, të cilën Prishtina po e detyron të respektojë integritetin juridik të Kosovës dhe sistemin e pagesave të vendosur me Kushtetutën dhe ligjet e këtij shteti.

Në të njëjtën kohë, janë duke u zhvilluar edhe dy procese me të cilat Serbia de facto e njeh Kosovën. I pari është se automjetet me targa regjistrimi për Beogradin zyrtar të shtetit të panjohur të Kosovës, mund të lëvizin lirshëm nëpër Serbi dhe i dyti – se serbët ditët e fundit me të madhe po kërkojnë pasaporta të Republikës së Kosovës, sepse, falë mëshirës së Perëndimit politik, të gjithë qytetarëve të Kosovës u ofrohet hyrje pa viza në vendet e hapësirës kufitare të Shengenit.

Sikurse porosisin nga Prishtina, Kosova nuk është më në kafaz, ndërsa qytetarët e saj mund të udhëtojnë lirshëm nëpër Bashkimin Evropian, gjë që shqiptarët dhe serbët e pritën me entuziazëm të barabartë, ndaj jo rrallë bashkërisht presin në radhë të gjata për të marrë pasaportën kosovare.

Pasi serbët në jug të Ibrit janë integruar praktikisht në të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës, sepse një pjesë e mirë e tyre i kanë të gjitha dokumentet zyrtare dhe i marrin pagat dhe pensionet në euro, tani i njëjti proces ka filluar edhe në veri të Kosovës, sepse  me këtë është pajtuar pa vullnetin e tij, larg dëshmitarëve, presidenti Aleksandar Vuçiq, të cilit BE-ja, si kompensim, përkundër faktit që Putinit dhe Rusisë nuk ua ktheu shpinën, nuk do t’ia shkurtojë mjetet nga fondet e para-anëtarësimit e as që do të vendosë viza pune për serbët të cilët  punojnë nëpër shtetet e Bashkimit Evropian.

Banka Qendrore e Kosovës ka njoftuar zyrtarisht se nga 1 shkurti në Kosovë euro do të jetë valuta e vetme që mund të përdoret për transaksione me para në dorë edhe në sistemin e pagesave.

Që nga fillimi i vitit ka hyrë në fuqi aplikimi i regjimit pa viza për qytetarët e Kosovës për udhëtime brenda Shengenit, i cili u mundëson qytetarëve të Kosovës të udhëtojnë brenda këtyre vendeve pa viza deri në 90 ditë në çdo periudhë prej 180 ditësh.

Qeveria e Kosovës aprovoi një vendim me të cilin përfundon vendosja e detyrueshme e etiketave mbi targat e automjeteve të regjistruara në Serbi, kurse nga fillimi i vitit, automjetet me targa të Kosovës mund të hyjnë në Serbi, ndonëse Beogradi nuk e njeh formalisht ekzistimin e Republikës së Kosovës. Nuk e njeh formalisht, ama ashiqare, hap pas hapi, po e pranon gjendjen reale të punëve.

*Shkrimi është marrë nga: slobodnadalmacija.hr/Përktheu në shqip: kdp.mk

 

Të fundit