E enjte, 25 Korrik, 2024

EKSKLUZIVE | ÇFARË U FOL NË DARKËN E LIDERËVE TË RAJONIT NË SHKUP?

Kryeministri i Maqedonisës së Veriut, Dimitar Kovaçevski, në rolin e mikpritësit të takimit të liderëve të Ballkanit Perëndimor, ka shtruar të dielën një darkë ku kanë marrë pjesë edhe Presidenti Stevo Pendarovski, Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, Zëvendëskryeministri i Parë, Artan Grubi, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe ai i Kosovës, Albin Kurti, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, Zëvendësndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Xhejms O’Brajan, dhe Gert Jan Kopman, kreu i Direktoratit të Përgjithshëm për Fqinjësinë dhe Negociatat për Zgjerim i Komisionit Evropian.

Kryeministri Kovaçevski në një njoftim në rrjetet sociale, duke publikuar agjendën e samitit që ka për qëllim Planin e rritjes (ekonomike) në Ballkanin Perëndimor, për çka BE-ja ka akorduar një fond prej gjashtë miliardë eurosh, ka nënvizuar se për këtë lipset unitet dhe stabilitet:

“Në një atmosferë miqësore me liderët e Ballkanit Perëndimor, konfirmuam qëndrimet tona për integrimin e rajonit në BE. Vendi i të gjitha shteteve të rajonit është në BE dhe ne kemi potencialin e nevojshëm prej lideri për marrjen e vendimeve të guximshme për një të ardhme më të mirë. Të gjithë ne – edhe Ballkanit Perëndimor, edhe Evropës – na duhet uniteti dhe stabiliteti”, – ka shkruan Kovaçevski.

Përtej kësaj, kdp.mk mëson ekskluzivisht se darka ka kaluar një shenjë të këndvështrimeve të liderëve të Ballkanit Perëndimor për çështje që janë më shumë se ekonomike. Në fakt janë shkëmbyer qëndrime për nevojën e mbretërimit të klimës së mirë politike, një çështje kjo që nuk i ka lënë indiferentë as Kryeministrin Kosovar, Albin Kurti, dhe Presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, të cilët në darken joformale nuk është se nuk kanë pasur adresime direkte ndaj njëri-tjetrit. Burimet tona flasin se tonin e darkës e kanë dhënë Ali Ahmeti, nga njëra anë, dhe zyrtari i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit, O’Brajan. I pari duke vënë në plan të parë stabilitetin politik të rajonit, ndërsa i dyti – se integrimi në BE i Ballkanit Perëndimor duhet të jetë e vetmja alternativë./KDP/

 

Të fundit