E shtunë, 20 Korrik, 2024

ÇFARË MUND TË ARRIJNË ANIJET LUFTARAKE TË BE-së NË DETIN E KUQ?

Bashkimi Evropian kërkon të ndërhyjë në Detin e Kuq për të mbrojtur anijet tregtare nga sulmet aty. Por vetëm misionet ushtarake nuk e zgjidhin problemin, thonë ekspertët për DW.

Në një kohë që SHBA bashkë me Britaninë e Madhe u kundërpërgjigjën ndaj raketave të milicëve jemenitë Huthi në Detin e Kuq, ende BE është në kërkim të reagimit ndaj krizës së re, që është e lidhur me konfliktin në Rripin e Gazës, por i kalon kufijtë e Izraelit dhe zonave palestineze.

BE kërkon të krijojë një mision të marinës për të mbrojtur anijet – dhe interesat tregtare europiane, në Detin e Kuq, me shumë rëndësi strategjike për BE. Por përpjekja për të kërcënuar milicët rebelë Huthi mund të çojë në një shkallëzim të rrezikshëm të situatës në Detin e Kuq. Prandaj ekspertët paralajmërojnë BE për veprime të kujdesshme.

Pse do të ndërhyjë BE në Detin e Kuq?

Prej javësh, rebelët Huthi që kontrollojnë pjesë të mëdha në perëndim dhe veri të Jemenit, sulmojnë anijet tregtare në Detin e Kuq. Itinerari detare si ngushtica në Detin e Kuq që lidh Detin Arabik me Mesdheun përmes Kanalit të Suezit. është nga të frekuentuarit në botë. Rebelët Huthi, grup terrorist i lidhur me Iranin, i filluan sulmet ndaj anijeve pas ofensivës ushtarake izraelite në Rripin e Gazës. Izraeli u kundërpërgjigj pas sulmeve terroriste të Hamasit militant islamist më 7 tetor në jug të Izraelit. Sulmet e Huthi, bëhen në shenjë solidariteti me palestinezët e bombarduar nga Izraeli, deklaruan rebelët dhe drejtohen kundër anijeve që kanë lidhje të drejtpërdrejta ose jo të drejtpërdrejta me Izraelin.

BE ashtu si shumë fuqi të tjera i dënon si ilegale sulmet ndaj anijeve tregtare. Rreth 40% e tregtisë europiane me Azinë dhe Lindjen e Mesme kalon nëpër këto ujëra. Tani shumë anije duhet të devijojnë rrugëtimin nga Kepi i Shpresës së Mirë, me të gjitha pasojat që sjell ky devijim në vonesa dhe kosto.

Misioni i planifikuar i BE, për të cilin një ujdi e plotë pritet në javët e ardhshme, do të ishte i pavarur nga Operacioni Prosperity Guardian i SHBA. Misioni i BE do të përbëhet nga 20 vende. Ndërsa misioni i SHBA që filloi në dhjetor solli përçarje brenda BE. Në një kohë që Holanda, Greqia dhe Danimarka iu bashkuan misionit amerikan, Franca, Italia dhe Spanja e refuzuan pjesëmarrjen.

Çfarë planifikon BE?

Javët e fundit është debatuar mjaft për reagimet e mundshme të BE në lidhje me zhvillimet në Detin e Kuq.  Parimisht bëhet fjalë për dërgimin e luftanijeve për patrullim në rajon. Disa media kanë raportuar për një dokument të brendshëm të BE, se Shërbimi i Jashtëm i BE ka propozuar dërgimin e tre anijeve. Kurse një burim diplomatik që do të mbetet anonim i tha DW, se opcioni më i favorizuar është zgjerimi i Agenor, një operacioni aktual të BE nën lidershipin francez, që mbikqyr ngushticën detare në afërsi të Hormuzit. Tetë vende e mbështesin këtë mision, që është pjesë e një misioni më të zgjeruar për mbrojtjen e rrugës detare të Hormuzit me emrin EMASoH (European Maritime Awarness in the Strait of Hormuz). Ky mision kërkon të ulë tensionet dhe “të kontribuojë në sigurimin e trafikut detar”, sipas njoftimit në faqen e internetit të misionit.

Të mërkurën, ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani duket sikur e konfirmoi këtë plan, duke thënë se do të ishte më e lehtë të zgjerohej operacioni Agenor. “Jam i bindur që vetë Shërbimi i Jashtëm Europian e sheh me mirëbesim këtë hipotezë”, citohet Tajani nga agjencia Reuters. Në të njëjtën ditë, ministrja holandeze e Mbrojtjes, Kajsa Ollongren deklaroi se me gjasë Holanda do të vendoste në dispozicion një fregatë për një mision të tillë të BE. “Ne po e verifikojmë ende, por do të flasim edhe me Dhomën e Ulët të Parlamentit”, tha Ollongren në bisedë me BNR. Misioni duhet të jetë gati deri më 19 shkurt dhe shumë shpejt pas kësaj të jetë në veprim, raportoi Reuters duke iu referuar burimeve të saj. Hapi tjetër është takimi i ministrave të Jashtëm të BE këtë të hënë.

Pse është kaq i diskutueshëm një mision i tillë i BE?

BE priti gjatë derisa reagoi në lidhje me zhvillimet në Detin e Kuq. Disa shtete, veçanërisht Spanja, nuk pranuan ofertat e SHBA, për t’u kundërpërgjigjur së bashku ndaj rebelëve Huthi. Tek shumë vende anëtare të BE ka një frikë të madhe, se situata në një rajon kaq shumë të destabilizuar, mund të shkallëzojë në mënyrë të rrezikshme. BE reagoi me rezerva pas sulmeve të SHBA dhe Britanisë së Madhe ndaj pozicioneve të rebelëve Huthi të premten e kaluar. Holanda ofroi vetëm ndihmë praktike, kurse Gjermania dhe Danimarka vetëm mbështetje me shkrim. Spanja e qeverisur nga e majta, bëri të ditur, se nuk do të marrë pjesë në një mision në Detin e Kuq.

Nathalie Tocci, drejtuese e Institutit italian për Çështjet Ndërkombëtare, IAI është e mendimit se për BE situata bëhet më e komplikuar pas kundërpërgjigjes ushtarake të SHBA e Britanisë së Madhe ndaj rebelëve Huthi. Dërgimi i anijeve jo vetëm ka potencial të lartë shkallëzimi, ato duhet të edhe të godasin. “Bëhet fjalë për anije luftarake që duhet të jenë të gatshme të qëllojnë. Këto nuk duhet të jenë patjetër sulme ndaj tokës jemenite, por për çdo rast sulme ndaj çdo gjëje që afrohet”, thekson Tocci. Kjo është diçka komplet tjetër, krahasuar me misionin vëzhgues të BE, Agenor.

Cilat janë rreziqet?

Për Tocci, rreziqet janë të natyrës praktike. BE rrezikon imazhin e saj. Nga njëra ekziston rreziku, që një anije e BE të sulmohet, dhe situata shkallëzohet papritur. Nga ana tjetër BE rrezikon që misioni i saj të mos ketë rezultatin e duhur duke e bërë BE të duket e dobët. “Le ta shohim kështu: Prej 10 vitesh Jemeni bombardohet pa mëshirë nga sauditët”, thotë Tocci, duke iu referur koalicionit të drejtuar nga Arabia Saudite që lufton nga viti 2015 kundër Huthit. “A ka çuar kjo në dobësimin e kapaciteteve ushtarake të Huthit? Jo, nuk ka çuar”, thekson Tocci dhe vazhdon të pyesë. “Pse besojmë ne se një mision marine defensiv, dhe jo ofensiv, do të ketë ndonjë efekt kërcënues?” Tocci është e mendimit, se BE reagon nga nevoja, se “duhet bërë diçka”, në vend që të pyesë, se çfarë mund të arrijë vërtet.

Camille Lohn, analiste në European Council on Foreign Relations (ECFR) Këshillin Europian për Marrëdhëniet e Jashtme mendon ndryshe. Për të nuk ka rrugë tjetër. BE duhet të gjejë një përgjigje ndaj “rreziqeve të sigurisë për rrugët detare, që po shohim tani, sepse këto kanë efekt të drejtpërdrejtë në sigurinë ekonomike dhe interesat e saj ekonomike”, thekson Lohns. Kjo sidomos, kur BE nuk qëndroi e bashkuar pas SHBA në këtë rast.

Tocci dhe Lohns janë të mendimit, se origjina e krizës aktuale në Detin e Kuq gjendet në Rripin e Gazës. Të dyja ekspertet shprehin keqardhjen që BE nuk ka një përgjigje unike për këtë krizë. Besueshmëria e BE në arenën ndërkombëtare është ulur, sidomos në rajonet që simpatizojnë me palestinezët. Prandaj është e nevojshme që të reagohet ndaj situatës në Jemen dhe mungesës së përgjithshme të stabilitetit në të gjithë Detin e Kuq, thekson Lohns me vështrim nga e ardhmja. Kjo kërkon përgjigje diplomatike, që është më shumë se “një përgjigje ushtarake, siç po ndodh tani”.

Marrë nga: DW

Të fundit