E shtunë, 22 Qershor, 2024

O’BRIEN, LIDERËVE TË BALLKANIT: ME PLANIN E BE-së, ASKUSH NUK MUND TË PENGOJË NJË PALË NË AVANCIM

Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, u ka thënë liderëve të Ballkanit Perëndimor se asnjëherë nuk kanë qenë më afër anëtarësimit në Bashkimin Evropian, por që kanë ende punë përpara.

Sikurse njofton Radio Evropa e Lirë, ai i ka bërë këto deklarata të hënën në nisje të konferencës “Plani i Rritjes së Ballkanit Perëndimor dhe Integrimi më i Shpejtë në BE”, që po mbahet në Shkup.

Zyrtari amerikan i ka paralajmëruar liderët e Ballkanit se nuk do të kenë mundësi për të penguar rrugëtimin e njëri-tjetrit, sepse nuk duhet të ekzistojnë çështje të pazgjidhura, dhe se kushdo që tenton të pengojë diçka do të përballet me ndëshkime.

“Nëse një shtet dëshiron të presë, të vëzhgojë, atëherë qytetarët e atij shteti do të vendosin nëse këta liderë politikë janë të duhurit”.

O’Brien ka thënë se mbështetet nismën e një tregu të lirë mes vendeve të rajonit, duke përmendur pengesat që kanë pasur deri më tani bizneset nga ndalesat e shumta kufitare.

Sipas tij, plani i ri i BE-së dallon prej ofertave paraprake.

“Plani i BE-së për rritje nuk është sikurse planet tjera që kemi parë deri më tani. Ai thotë se jo vetëm që duhet të bëni reforma dhe të merrni buxhet më vonë, ai thotë që nëse i bëni reformat e duhura, atëherë kompanitë dhe njerëzit tuaj do të fitojnë liri të BE-së shumë shpejt – lirinë për të lëvizur, për të punuar ku të duan”.

Plani i BE-së për Ballkanin Perëndimor synon rritjen ekonomike të rajonit, përshpejtimin e reformave të duhura, dhe kryerjen e investimeve, që mund të avancojnë procesin e zgjerimit të BE-së me këto vende.

Vlera e ndarë nga BE-ja për këtë plan, në periudhën 2024-2027, është 6 miliardë euro.

Kurti në Shkup: Plani i rritjes ekonomike përshpejton rrugën drejt BE-së

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të hënën në Shkup se vlerat e Bashkimit Evropian duhet të bëhen reforma në Ballkanin Perëndimor, dhe se mbështetja e Bashkimit Evropian, duhet të jetë edhe financiare.

“Republika e Kosovës sot do të dorëzojë listën e reformave të diskutuara, ndërkaq në ditët në vijim, do të dorëzojmë edhe listën e projekteve indikative. Sa u përket reformave, aty në qendër e kemi reformën e administratës publike dhe të menaxhimit të financave publike, ndërkaq të projekteve i kemi ato për agjendën e gjelbër, digjitalizimin, investimet në sektorin privat dhe ngushtimin e hendekut infrastrukturor”, ka thënë shkurt Kurti.

Kurti e ka përmendur se ky plan përshpejton rrugën e Ballkanit drejt BE-së, diçka që sipas kryeministrit të Kosovës është “edhe qëllimi, edhe fati ynë”.

Nikoqir i takimit është kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski, ndërsa në të marrin pjesë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ai i Malit të Zi, Millojko Spajiq presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq.

Përveç tyre, Shtetet e Bashkuara do të përfaqësohen prej Ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien. Ndërsa në mesin e zyrtarëve evropianë është drejtori i Komisionit Evropian për Fqinjësi, Gert Jan Kopman dhe zyrtarë tjerë.

Kryeministri Kovaçevski, ka paralajmëruar miratimin e një deklarate në fund.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se takimet e këtilla janë të rëndësishme për zhvillimin e rajonit.

Vuçiq ka përmendur se në takimin e të hënës në Shkup, për herë të parë po bisedohet vetëm për çështjet ekonomike, duke theksuar se për ato politike ka dallime të mëdha.

Sipas tij, Serbia tashmë ka prezantuar projektet që kanë të bëjnë me projektet ekonomike në kuadër të planit evropian për rritjen ekonomike.

“Sa i përket Serbisë ne e kemi prezantuar planin tonë për rritjen ekonomike për tre vjetët e ardhshëm dhe përputhet me atë që po bëjmë me BE-në. Ne do të bëjmë gjithçka që reformën ta bëjmë që të mund të kemi qasje në mjetet financiare sa më shpejt që të jetë e mundur, së bashku me gjithë të tjerët. Besoj se të gjithë së bashku, duke punuar në këtë plan, do të bëjmë përparim të madh”, ka thënë Vuçiq.

Në dhjetor të vitit të kaluar, Bashkimi Evropian porositi vendet e Ballkanit Perëndimor se nuk ka më kohë për të pritur që t’i normalizojnë raportet ndërmjet tyre porse kjo duhet të bëhet shpejt, si kusht për të shfrytëzuar mjetet nga plani për rritje ekonomike.

Aktualisht, Kosova dhe Serbia, nën ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, zhvillojnë dialog në Bruksel për normalizim marrëdhëniesh.

Përparimi i tyre në dialog është përmendur si kusht për të pasur qasje në këto fonde të BE-së.

Çka është plani për rritjen ekonomike në Ballkanin Perëndimor?

Vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të realizojnë reformat e nevojshme që i kërkon Bashkimi Evropian në mënyrë që të përfitojnë nga fondi i përbashkët prej 6 miliardë eurosh që parashikon Plani i Rritjes i KE-së.

Deri tani nuk është folur për shuma konkrete për secilin shtet, por kjo do të varet nga madhësia e shtetit, nga Prodhimi i Brendshëm Bruto dhe nga kushte të tjera që kanë të bëjnë me reformat.

Plan i ri për rritje ekonomike në vendet e Ballkanin Perëndimor, i miratuar nga Komisioni Evropian, më 8 nëntor të vitit 2023, është i bazuar në katër shtylla.

Shtylla e parë është “forcimi i integrimit ekonomik në tregun unik të BE-së”.

Kjo do të varet nga përshtatja e vendeve të rajonit me rregullat e tregut unik dhe paralelisht hapja e tregut të tyre në sektorët përkatës për vendet fqinje.

Shtylla e dytë e këtij plani është “forcimi i integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor përmes tregut të përbashkët rajonal”.

Kjo, sipas përvojës së BE-së do të ndikojë në një rritje potenciale ekonomike prej 10 për qind.

Shtylla e tretë e këtij plani është “përshpejtimi i reformave fundamentale“. Kjo nënkupton dhe sundimin e ligjit që ndihmon edhe në tërheqjen e investimeve direkte të huaja dhe forcon stabilitetin rajonal.

Shtylla e katërt e planit të ri të Komisionit Evropian për rritje ekonomike në Ballkanin Perëndimor është “rritja e asistencës financiare për të ndihmuar reformat“. Këtu përfshihet edhe propozimi për 6 miliardë euro ndihmë.

Pasi vendet e rajonit në raportet tregtare me Bashkimin Evropian përfitojnë edhe nga Marrëveshjet përkatëse të Stabilizim-Asociimit, KE-ja propozon që të shkohet edhe përtej kësaj, duke bërë edhe ndryshime në këto marrëveshje për të mundësuar kushte të barabarta në treg dhe mes vendeve në procesin e zgjerimit dhe vendeve anëtare të BE-së.

Të gjitha këto qëllime janë në përputhje edhe me idetë që po realizohen përmes Procesit të Berlinit, si dhe krijimin e “tregut të përbashkët rajonal”.

Marrë nga: REL

Të fundit