E shtunë, 27 Korrik, 2024

A KANË FAJ INTELEKTUALËT PËR KËTË QË PO NDODH?

Në këtë raport roli i intelektualit është më shumë se i nevojshëm, sidomos kur kemi të bëjmë me botën moderne të Internetit dhe digjitalizimit, i cili ka përhapur edhe dukurinë e lajmeve të rreme.

Shkruan: Xhelal Neziri

Shoqëria jonë duket se e ka të vështirë të përthithë konceptin modern shoqëror, i cili nënkupton individin e lirë dhe dinjitetin njerëzor. Shoqëria jonë e ka problem të shndërrohet në një shoqëri moderne, ku i vetmi autoritet do të jenë ligjet e miratuara me procedurë demokratike.

Përkundrazi, kjo shoqëri kërkon autoritetet(e) që do t’ia kufizojnë lirinë individuale dhe që do të vendosin për fatin e jetës së tyre. Nënshtrimi, apo “ikja nga liria” (E.Fromm), është karakteristikë tipike e jona që kërkon një analizë më të thellë psikanalitike dhe sociologjike. Pse nuk arrijmë të dalim nga kallëpet e ndryshkura të një shoqërie mesjetare, ku disa feudalë vasalë, që kishin gjithçka, shtypnin shumicën e banorëve, që s’kishin thuajse asgjë? Pse pjesa e dërrmuese e votuesve kanë raporte klienteliste me partitë që i votojnë? Pse numri gjithnjë më i madh i objekteve fetare shoqërohet me degjenerim edhe më të madh shoqëror (droga, krimi, korrupsioni)? Shumë pyetje ngelin pa përgjigje nëse shohim aspektin empirik të zhvillimit shoqëror, i cili duket se ka devijuar, sidomos në dy dekadat e fundit.

Një nga pyetjet që shpesh hapen në këto raste është edhe ajo e përgjegjësisë intelektuale. Si intelektual definohet çdonjëri që vë në përdorim intelektin e tij për të punuar, studiuar apo për t’u dhënë përgjigje pyetjeve rreth të cilave ndeshen ide të ndryshme. Ato mund të gjenden si profesorë, avokatë, doktorë, shkencëtarë apo gazetarë.

Nëse konstatuam se ne ende jemi në kallëpet e shoqërisë mesjetare, atëherë është e natyrshme të thuhet se intelektualët nuk kanë shumë ndikim në rrjedhat sociale. Ndikimi i religjionit në formësimin e opinionit publik ende është i lartë, nëse jo më i larti. I partive – edhe më i madh, për shkak të kapjes së shtetit dhe religjionit. Këtu dilema është nëse intelektualët nuk ka kush t’i dëgjojë ose Intelektualët nuk kanë çfarë të thonë.

Sfera publike është arenë e përplasjeve për të arritur atë që quhet opinion publik, apo qëndrim të shumicës për një dukuri apo për një çështje. Vende të garantuara nuk ka. A i bie se intelektualët kanë humbur autoritetin përballë klerit dhe politikës? Apo shoqëria jonë ndjehet më komode në strukturat dogmatike pasi individi ka frikë nga liria?

T’i kthehemi çështjes së përgjegjësisë intelektuale. Menjëherë pas Luftës së Dytë botërore, Dejvid Mekdonald, ka publikuar disa artikuj në temën përgjegjësia intelektuale. Ai ishte i shqetësuar me çështjen e fajësisë për luftën. Një pjesë të madhe të fajit për gjithë atë që ndodhi e gjen edhe te intelektualët gjermanë që përkrahën Adolf Hitlerin, tek ato japonezë që lejuan qeverinë të vihet në vijën e luftës shkatërruese, tek ato amerikanë që nuk ndaluan Hiroshimën dhe Nagasakin…

Njëri nga viktimat e ideologjisë naziste ishte edhe shkencëtari që shpiku teorinë revolucionare të relativitetit, Albert Ajnshtajn. Një thënie e tij e njohur sikur i bën fajtor edhe intelektualët për periudhën më të zymtë në historinë e njerëzimit, e nxitur nga ideologjia shfarosëse e partisë së nazistëve: “Bota është një vend i rrezikshëm, jo për shkak të atyre që bëjnë keq, por për shkak të atyre që shikojnë dhe nuk bëjnë asgjë”.

Pas shumë viteve debat është ardhur në përfundim se edhe intelektuali ka një përgjegjësi të madhe në rrjedhat shoqërore. Njëjtë si Hitleri, edhe diktatorët pas tij, nuk do të ishin ngjitur në majat e fuqisë së pushtetit pa mbështetjen e intelektualëve.

Përgjegjësia e intelektualit është ta thotë të vërtetën dhe ta zhveshë gënjeshtrën. Për dallim nga politikanët që shpesh thonë atë që dëshiron të dëgjojë shumica, intelektuali është i obliguar ta thotë edhe të vërtetën e hidhur për opinionin publik. Themeluesi i psikanalizës, Sigmund Freud, thotë se njerëzit priren të besojnë “të vërtetat” që konfirmojnë besimet dhe qëndrimet e tyre dhe të refuzojnë çdo informacion real që bie ndesh me realitetin e tyre të ndërtuar. Frojdi e karakterizon situatën e parë si “parimi i kënaqësisë”, që nënkupton përmbushjen e dëshirave dhe redukton tensionet, ndërsa e dyta është “parimi i realitetit”, i cili na përball me realitetin e vërtetë, me të gjithë elementët e tij të padëshiruar. Në këtë raport roli i intelektualit është më shumë se i nevojshëm, sidomos kur kemi të bëjmë me botën moderne të Internetit dhe digjitalizimit, i cili ka përhapur edhe dukurinë e lajmeve të rreme.

 

 

Të fundit