E premte, 26 Korrik, 2024

FILLON PROTESTA MASIVE E BUJQVE NË GJERMANI

Bujqit gjermanë e filluan një javë protestash gjithëkombëtare duke i bllokuar rrugët me traktorë të hënën, për t’i kundërshtuar planet e Qeverisë për ndaljen graduale të subvencioneve bujqësore.

Kolona të traktorëve dhe kamionëve, disa prej të cilët me afishe të vendosura përpara me mbishkrimin: “Pa bujq nuk ka ushqim, e as të ardhme”, u vendosën nëpër rrugët gjermane në temperatura minus zero.

Në Berlin, dhjetëra traktorë të vendosur në rresht pamundësuan hyrjen në rrugën që dërgon drejt portës Brandenburg.

Policia tha se u bllokuan rrugët dhe hyrjet në autostrada në shumë pjesë të Gjermanisë, duke shkaktuar komunikacion në trafik gjatë orës së pikut të mëngjesit.

Bllokada e rrugëve nga fermerët gjermanë të cilët po protestonin kundër propozimeve për politikat bujqësore të vendit të tyre më 26 nëntor 2019./

Bujqit janë zotuar se do ta bllokojnë komunikacionin kryesor dhe rrugët logjistike për një javë, duke thënë se heqja e lehtësimeve tatimore do t’i detyrojë bujqit ta braktisin punën e tyre.

Joachim Rukwied, kryetar i Shoqatës së Bujqve të Gjermanisë (DBV), u kërkoi qytetarëve mbështetje.

“Ne nuk duam ta humbim përkrahjen dhe solidaritetin që e kemi marrë nga një pjesë e madhe e popullit. Por, ne nuk do ta pranojmë rritjen e planifikuar të tatimit për sektorin e bujqësisë”, tha ai për revistën Stern të hënën.

Kritikat e bujqve e nxitën javën e kaluar koalicionin e kancelarit Olaf Scholz – i cili është për ngut ta finalizojë draftin për buxhetin e vitit 2024 pasi ishte vonuar nga një vendim gjykate – të bëjë ndryshime të papritura, përfshirë ndryshimin e planeve për heqjen e subvencioneve për bujqësinë.

Në vend se t’i japë fund papritmas uljes tatimore për naftën e përdorur në bujqësi, Qeveria planifikon që subvencionet të ulën për 40% këtë vit, për 30% më 2025, dhe do të hiqen plotësisht më 2026.

Qeveria gjithashtu hoqi dorë nga planet për t’i dhënë fund trajtimit të privilegjuar për tatimet në automjete për bujqësinë dhe pylltarinë.

Por, DBV-ja tha se këto ndryshime nuk mjafton dhe se protestat do të mbahen këtë javë./REL/

Të fundit