E enjte, 25 Korrik, 2024

NDËSHKIMI BERISHËS I ERDHI NGA SHKODRA!

Nga Dritan Hila

Arresti në shtëpi i Sali Berishës është fundi i një periudhe. Tranzicioni mori fund sot me ndalimin e Berishës dhe mbylljen në shtëpi të tij. Njeriu me të cilin është i lidhur ndryshimi i vitit 1991, 1992; ngjarjet e 1996, 1997 dhe 1998 që e futën Shqipërinë në listën e zezë të vendeve të pasigurta dhe mblidhnin Këshillin e Sigurimit të OKB nëpër natë duke e kthyer vendin në vitin 1912; që u rikthye në vitin 2005 për të hedhur në erë në 2009-ën dhe vrarë në 2011-ën, tashmë i përket historisë.

Në fillim i vranë emrin. Njeriu i cili dikur merrte shtetin vetëm me demokratët e Mamurrasit, nuk ishte në gjendje të mblidhte më shumë se 100 vetë në shesh. Pastaj i hoqën fuqinë. Qyteti që futi komunizmin në Shqipëri dhe që ishte i pari që e vrau, Shkodra, ishte edhe qyteti që i hoqi kolonën mitit Berisha. Fitorja e Benet Becit ishte pika që tregoi se kupa e durimit të shkodranëve ishte mbushur dhe nuk mund të shkonin pas një njeriu që nuk ofronte asgjë. Ishte një shkodran tjetër, Arben Kraja, prokurori për të cilin Berisha nuk la gjë pa thënë që i “theu hundën” duke i treguar se shteti tashmë të thyen në mes.

Sot Sali Berisha i takon historisë. Shoqëria shqiptare do të jetë më e lirë dhe do të ketë më frymëmarrje. Sepse sikur edhe De Gol të ishte Sali Berisha, një personalitet i tillë të merr frymën. Nga sot do të jetë më e lirë të reformohet por mbi të gjitha mos të zgjedhë nën presionin që “kushdo qoftë le të vijë, vetëm Berisha mos të jetë”.

Nganjëherë me miqtë e mi debatojmë pasi unë them që revolucionet i bën ose Vlora ose Shkodra. Koha më dha të drejtë. Vlora nuk e la të bëhej mbret në ‘97-ën, Shkodra e arkivoi në 2023-in.

Të fundit