E shtunë, 18 Maj, 2024

NË KËTË NDËRRIM MOTMOTESH: “Kush është i zoti, s’i shkon zi moti”!

Bota, në disa pjesë të globit, ka shkelur në Vitin e Ri, ne sapo e bëjmë këtë: Them, do të ishte mirë për të gjithë, kudo që jemi, të këqyrim punët tona e të jemi argatë të të tjerëve në punë të mira e të mbara! Dhe, u mor vesh, le të kemi edhe mes nesh gara, e të shpëlahemi nga punët e liga, se e mira shquhet nga larg, njësoj sikurse e keqja që kundërmon e ndjehet, po ashtu, laarg! Në këtë mot të 2024-tërt punët të mos i bëjmë “ja hop, ja top”! Se mirë e kanë thënë të moçmit: “Kush është i zoti, s’i shkon zi moti”  

Shkruan: Seladin XHEZAIRI

Këtë shkrim po e postoj në kdp.mk pak minuta para ndërrimit të motmoteve, teksa nga Reçica  e Madhe e Tetovës sodis ngjyrat e larmishme të fishekëzjarreve të shoqëruara nga shpërthimet e mjeteve piroteknike. Për hir të së vërtetës, ka ditë që më është vërtitur të them se në kohën që po e jetojmë e po e kalojmë, sikur nuk merremi sa duhet me  vetëveten! Me vetëveten në kuptimin se, të paktën në kapërcyell vitesh, se në shekullin e ri jemi tash mëse dy dekada, fare pak si shoqëri mendojmë se nesër, të gjithë pa përjashtim, do të jemi më të vjetër. E, vjetërsia do të duhej të ngërthejë në vete durimin, guximin dhe gjithësesi edhe mençurinë në përballje me atë që sjell jeta e koha. Për të gjithë. Pa përjashtim! I marrim punët shkeleshko, në të gjitha fushat, dhe ia bëjmë sipas logjikës “ja hop, ja top”: Në arsim, në shkencë, në kulturë e në politikë, po besa – edhe në fe! Pa anashkaluar as gazetarinë apo thënë më saktësisht median që vazhdon të jetë pasqyra e frymëmarrjes sonë shoqërore e në daçi edhe kombëtare! I kemi përzier vlerat dhe tertipet!

Dhe, kërkojmë ndryshimin!

Mbamendjen sikur e kemi varur si bënin dikur stërgjyshërit tanë me grykëhollat anash oxhakëve, ndaj rendim e rendim pas mjegullnajave e reve të zeza që na vijnë sa andej e sa këndej ama tybe se kujtojmë të bëjmë tyrbe – për veten!

Nëse rrahim gjoks para të tjerëve se jemi këta që jemi, nëse i referohemi historisë sonë të lashtë e të lavdishme dhe në të njejtën kohë pandehim se gjithçka nis e (mozomakeq!) do të nis prej nesh; nëse nuk njohim gurët e vendosur nëpër këto kalatë tona, andej e këtej Arbërisë, të më falni, po atëherë e kemi humbur udhën, sikurse thuhet n’Kosovë, në torishtë! Flasim për inflacion partishë, ta zëmë, e do të duhej të kërkojmë e të angazhohemi për deflacion!

Ziliqarë e sqimatarë si për n’pazar! Dhe, krekosemi e nuk na djegin veshët! Mburravecë për të sharë e pështyrë, ama pa e shikuar veten në pasqyrë. Pehlivanë nëpër kisha e xhamia, po pse harrojmë se çelësi i të gjithave sot është  dija?!

Dija, jo dredhia, të dashur miq!

Bota, në disa pjesë të globit, ka shkelur në Vitin e Ri, ne sapo e bëjmë këtë: Them, do të ishte mirë për të gjithë, kudo që jemi, të këqyrim punët tona e të jemi argatë të të tjerëve në punë të mira e të mbara! Dhe, u mor vesh, le të kemi edhe mes nesh gara, e të shpëlahemi nga punët e liga, se e mira shquhet nga larg, njësoj sikurse e keqja që kundërmon e ndjehet, po ashtu, laarg! Sepse punëte mira e të mbara nuk bëhen me logjikën “ja hop, ja top”, po me dije, kanë thënë më të mençurit: “Kush është i zoti, s’i shkon zi moti”!

Gëzuar, për një vit të mbarë, qofshim shëndosh e mirë!

Të fundit