E premte, 26 Korrik, 2024

VLLASI: KURTI PO E PËRÇANË KORPUSIN POLITIK TË SHQIPTARËVE NË RMV

Avokati dhe ish-politikani i njohur, Azem Vllasi, në një prononcim për KDP.MK, i krahason veprimet në Maqedoni të kryeministrit të Kosovës, dhe lider i Vetëvendosjes, me ato të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq:

Albin Kurti po e përçanë korpusin politik dhe etnik të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Kjo që po bën ai dhe Vetëvendosje është në kundërshtim me interesat vitale të tyre. Kjo i dëmton edhe raportet mes dy shteteve tona. Vetëm të bashkuar Shqiptarët mund të pozicionohen mirë si partnerë të koalicionit me bllokun maqedonas që del nga zgjedhjet parlamentare. Formula e tanishme e partneritetit në qeverisje në Maqedoninë e Veriut është më e mira e mundshme. Kjo vlen edhe për raportet e fqinjësisë së mirë mes Maqedonisë e Kosovës. Jam thellësisht i bindur se shqiptarët kanë nevojë për liderë të cilët angazhohen për marrëdhënie të mira mes shteteve ku jetojnë e jo për të ashtuquajtur liderë gjithëkombëtar”, – thotë Vllasi.

Ndryshe, partia në pushtet në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje, pritet të jetë pjesë e koalicionit të opozitës shqiptare në Maqedoninë e Veriut, që njihet me emrin Lidhja Evropiane për Ndryshim (LEN). Mbështetja e Lëvizjes Vetëvendosje për bllokun opozitar në Maqedoninë e Veriut u konfirmua nga Bekim Qoku, këshilltar i Kurtit. Ai të dielën, gjatë hapjes së zyrës së përbashkët të koalicionit LEN në sheshin “Skënderbeu” në Shkup, tha  se VV-ja do të do jetë partia e katërt e koalicionit opozitar, me qëllim për të sjellë, siç tha ai, “ndryshimin e munguar” në Maqedoninë e Veriut.

Unë jam këtu për të iniciuar bashkëpunimin tonë si Lëvizja Vetëvendosje, një lloj shtylle e katërt e këtij koalicioni tashmë të etabluar këtu, për ta sjellë ndryshimin e munguar tash e 20 vjet që realizohet përmes këtij regjimi që është në Maqedoninë e Veriut. Vetëvendosja, natyrisht që nuk mund të rrijë duarkryq”, – deklaroi Qoku.

Qoku, në legjislaturën parlamentare të viteve 2011-2014, ishte deputet i Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH), ndërsa më pas kaloi në radhët e Aleancës për Shqiptarët (ASH).

Kujtojmë se VV-ja nuk është e regjistruar zyrtarisht si subjekt politik në Maqedoninë e Veriut, megjithatë bashkëpunimi mes saj dhe tri partive opozitare si Lëvizja Demokratike, Lëvizja Besa, dhe Alternativa, pritet të konkretizohet me lista të përbashkëta për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen në Maqedoninë e Veriut më 8 maj të vitit 2024.

Sipas dispozitave të Kodit Zgjedhor të Maqedonisë së Veriut, në procesin zgjedhor, mund të marrin pjesë vetëm partitë e regjistruara në regjistrin qendror. Në të njëjtën kohë, lejohet që lista zgjedhore të përfshijë emrin e një koalicioni, siç është rasti i Lidhjes Europiane për Ndryshim (LEN), por në brendi, është e detyrueshme të theksohen emrat e partive politike që përbëjnë koalicionin./KDP/

 

Të fundit