E shtunë, 27 Korrik, 2024

HOXHA: STRATEGJIA E KURTIT, LËVIZJE JO E DUHUR

Analistin politik, Dibran Hoxha nga Prishtina, në një prononcim për KDP.MK, thotë se përfshirja e Lëvizjes Vetëvendosje në skenën politike të Maqedonisë e Veriut është e ngjajshme me tentativën që VV-ja dikur bëri për t’u inkuadruar edhe në politikën e Shqipërisë. Sipas tij, organizimet dhe paraqitjet e tilla, për t`i shërbyer vetëm imazhit të Albin Kurtit, nuk duken si lëvizje të duhura strategjike.

Do të thoja se përfshirja e Lëvizjes Vetëvendosje në Maqedoninë e Veriut është pak a shumë e ngjajshme me atë lloj tentative që VV-ja ka bërë për të inkuadruar veten në skenën politike në Shqipëri, ndonëse, atje nuk pati sukses, tani po e teston terrenin për të krijuar një krah të ri politik që ndoshta, sipas Lëvizjes Vetëvendosje, do të bashkonte shqiptarët në Maqedoninë e Veriut. Kjo, natyrisht, nuk mund të krahasohet, për shembull, me përfshirjen e Qeverisë Kurti dhe Lëvizjes Vetëvendosje në një formë ose tjetër në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanovc, sepse atje megjithatë ka pasuar një lloj tendence për unifikim, ndërsa në Maqedoninë e Veriut, gjithë ajo paraqitje, gjithë ai lloj organizimi për t’i shërbyer vetë figurës së Albin Kurtit, nuk na është dukur as neve, shumicës së opinionistëve, lëvizje strategjike, apo e duhur, në aspektin politik të fjalës”, – deklaron Hoxha.

Partia në pushtet në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje, pritet të jetë pjesë e koalicionit të opozitës shqiptare në Maqedoninë e Veriut, që njihet me emrin Lidhja Evropiane për Ndryshim (LEN). Mbështetja e Lëvizjes Vetëvendosje për bllokun opozitar në Maqedoninë e Veriut u konfirmua nga Bekim Qoku, këshilltar i Kurtit. Ai të dielën, gjatë hapjes së zyrës së përbashkët të koalicionit LEN në sheshin “Skënderbeu” në Shkup, tha se VV-ja do të do jetë partia e katërt e koalicionit opozitar, me qëllim për të sjellë, siç tha ai, “ndryshimin e munguar” në Maqedoninë e Veriut.

Unë jam këtu për të iniciuar bashkëpunimin tonë si Lëvizja Vetëvendosje, një lloj shtylle e katërt e këtij koalicioni tashmë të etabluar këtu, për ta sjellë ndryshimin e munguar tash e 20 vjet që realizohet përmes këtij regjimi që është në Maqedoninë e Veriut. Vetëvendosja, natyrisht që nuk mund të rrijë duarkryq”, – deklaroi Qoku.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut dhe kryetari i Lidhjes Social Demokrate, Dimitar Kovaçevski, u shpreh i befasuar pasi që tha se ka parë vetëm raste kur parti të huaja mbështesin parti simotra në zgjedhje të vendeve të tjera, por jo edhe të marrin pjesë vetë në to.

Unë deri tani nuk kam dëgjuar që parti nga shtete tjera të marrin pjesë në procese zgjedhore në shtete të tjera. Megjithatë, duhet të shihet se çfarë saktë mendon blloku opozitar pasi nëse partitë nga shtetet fqinje nisin të marrin pjesë në zgjedhjet në shtetin tonë, atëherë mund të ndodhë që parti edhe nga shtetet tjera të marrin pjesë në zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut”, – tha Kovaçevski.

Kjo mendoj se nuk paraqet një dinamikë të dëshiruar. Megjithatë, duhet të shihet se si e mendojnë pjesëmarrjen në zgjedhje dhe gjithsesi që duhet të shikohet Kodi Zgjedhor sa u përket partive që janë të regjistruara e kështu me radhë”, – shtoi ai.

Kujtojmë se VV-ja nuk është e regjistruar zyrtarisht si subjekt politik në Maqedoninë e Veriut, megjithatë bashkëpunimi mes saj dhe tri partive opozitare si Lëvizja Demokratike, Lëvizja Besa, dhe Alternativa, pritet të konkretizohet me lista të përbashkëta për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen në Maqedoninë e Veriut më 8 maj të vitit 2024.

Sipas dispozitave të Kodit Zgjedhor të Maqedonisë së Veriut, në procesin zgjedhor, mund të marrin pjesë vetëm partitë e regjistruara në regjistrin qendror. Në të njëjtën kohë, lejohet që lista zgjedhore të përfshijë emrin e një koalicioni, siç është rasti i Lidhjes Europiane për Ndryshim (LEN), por në brendi, është e detyrueshme të theksohen emrat e partive politike që përbëjnë koalicionin./KDP/

 

Të fundit