E premte, 26 Korrik, 2024

TË DHËNA SHQETËSUESE: BIE NË MINIMUM MBËSHTETJA PËR BE-NË, MË SKEPTIKË – TË RINJTË

Mbështetja për BE-në ka ra në nivelin më të ulët të mundshëm në nëntë vitet e fundit, tregojnë të dhënat e hulumtimit të kryer nga Instituti për Demokraci “Societas Civilis”, përcjell KDP. 

Për gati një dekadë, mbështetja e qytetarëve për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE) ka rënë për një të katërtën. Nëse në vitin 2014 80 për qind e të anketuarve ishin “për” anëtarësimin në Union, në vitin 2023 kjo përqindje është 60 për qind. Njëri hulumtim i referohet mbështetjes për anëtarësim vetëm këtë vit, ndërsa tjetri mbulon opinionet për procesin e integrimit evropian në periudhën 2014-2023.

Të dhënat shqetësuese i referohen të rinjve dhe mbështetjes së tyre për anëtarësimin në BE, thotë autori i analizës për qasjen 2014-2023.

“Kategoria më e re e qytetarëve të rritur nga 18 deri në 24 vjeç janë në thelb më euroskeptikët. Të rinjtë në vend ofrojnë më pak mbështetje për procesin në krahasim me kategoritë më të vjetra. Vetëm gjysma e të rinjve e përkrahin anëtarësimin në BE”, thotë autori i analizës, profesori në Fakultetin Juridik, Ivan Damjanovski, raporton REL.

Këtë vit ka rënë mendimi se fqinjët janë pengesa kryesore për anëtarësimin në BE dhe po rritet numri i atyre që besojnë se faji duhet kërkuar në shtëpi, pra në moszbatimin e reformave.

Zhgënjimi i qytetarëve që reformat nuk janë realizuar është një nga aspektet kryesore pse mbështetja për integrimet ka rënë.

Një e treta e të anketuarve mendojnë se procesi integrues paraqet harmonizimin e legjislacionit të brendshëm me legjislacionin e Unionit, dhe 11 për qind mendojnë se bëhet fjalë për plotësimin e kushteve të fqinjëve.

Në pyetjen se pse e mbështesin anëtarësimin në BE, dominojnë faktorët ekonomikë, pra qytetarët presin një standard më të mirë, ulje të papunësisë, akses më të lehtë për të punuar jashtë vendit, ndërkohë që promovimi i demokracisë nuk është faktor. Afër 90 për qind e tyre që besojnë se anëtarësimi në BE nuk do të reduktojë emigracionin e të rinjve.

Sondazhi tregon se numri i atyre që besojnë se vendi do të bëhet anëtar i BE-së në tre deri në pesë vitet e ardhshme po bie, që sipas autorëve do të thotë se njerëzit janë bërë më realistë në pritshmëritë e tyre. Megjithatë, shqiptarët etnikë janë më optimistë se BE-ja do të jetë gati të pranojë vendet e Ballkanit Perëndimor deri në vitin 2030.

Sondazhet e opinionit publik janë bërë në bashkëpunim me Fondacionin Gjerman Konrad Adenauer. Drejtori i zyrës së këtij fondacioni në Shkup, Daniel Brown thotë se rezultatet e hulumtimit nuk duhet të na habisin.

“Rezultatet janë shprehje e pakënaqësisë së thellë. Megjithatë, ne e kemi parë që publiku nuk është gati dhe nuk dëshiron t’i drejtohet disa partnerëve të tjerë, por dëshiron të qëndrojë në rrugën evropiane. Publiku nuk dëshiron të bashkëpunojë me Rusinë apo Kinën apo partnerë të tjerë më gjerësisht. Rezultatet janë ende një shprehje e atij dimensioni”, tha Brown.

Hulumtimi i Institutit për Demokraci tregoi se gjithnjë e më pak njerëz besojnë se BE-ja është faktori i jashtëm më me ndikim në Maqedoninë e Veriut, por pavarësisht kësaj, të pyetur se kush është aleati më i mirë dhe kush ofron mbështetjen më të madhe ekonomike, ata treguan Unionin.

Gjysma e të anketuarve pajtohen me tezën se Maqedonia e Veriut nuk i përket as Lindjes dhe as Perëndimit.

Ndryshe, javën e kaluar, në Samitin e BE-së në Bruksel, liderët e Unionit thanë se ndryshimet kushtetuese janë kusht për vazhdimin e procesit të integrimit evropian, gjegjësisht thirrjen e konferencës së dytë ndërqeveritare për të cilën nuk do të ketë nevojë për vendime shtesë politike.

 

Të fundit