E martë, 30 Prill, 2024

NJË TARTUF “ARKETIPAL” I VESHUR ME AKTUALITET

Planimetria regjisoriale e Qëndrim Rijanit në premierën “Tartufi”, të luajtur nga trupa e Teatrit të Gjilanit dhe aktorë tjerë të përfshirë në shfaqje, e modelon në përmasa tjera të aktualitetit tekstin fillimtar të Molierit. Tartufi i Qëndrim Rijanit ridimensionohet mbi dekompozimet shoqërore të së sotmes, mbi hipokrizitë, përuljet dhe naivitetin, që vijnë në skenë përmes lojës së jashtëzakonshme të aktorëve, të cilët arritën të përcjellin te publiku gjithë krisjet e hijes fatale të moralitetit, viktimizimin e shpifur, por edhe rebelimin e pashpresë që përfundon në simbolikën e flijimit. Një Tartuf atipik, gjithsesi i pacipë, që përvijohet në realitete krejtësisht tjera që determinohen nga fuqia e pushtetit, e dogmës, por që mbështillet me skofi viktimizimi dhe përvetësimi.

Shkruan: Bardhyl Zaimi

Ata ishin aty, të renditur në skenë, në një heshtje të krisur, të mbërthyer në skenën me tartufë të panumërt, në një hapësirë që ngjan si me një kështjellë të izoluar dhe të pashpersë. Një zgjedhje skenike që të rrëmben me vete dhe të bën pjesë e asaj që pritet të ndodh, lojës skenike, që fillon me lëvizje minimale, me një indiferencë të akullt të Tartufit që po kafshon qetësisht një mollë.

Nëpërmjet një mikrofoni të vendosur përskaj skenës bëhet paralajmërimi që Tartufi i Qëndrim Rijanit nuk do të jetë një shfaqje e intepretimit konvencional, një shfaqje besnike ndaj tekstit dhe imazheve autentike të Molierit, por përkundrazi gjithçka do të bëhet “për inat”, që vjen si një lloj rebelimi regjisorial, si një lloj shtrirje interpretimi përtej tekstit fillimtar, përtej kuptimeve dhe receptimeve “tradicionale”. Dhe, kjo qasje regjisoriale gjithsesi shkon përtej kuptimit dhe ndjeshmërive të zakonshme të komedisë së Molierit, duke sjellë kështu elemente të shumta të aktualitetit, të përditshmërisë, të cilat shpërfaqen përmes lojës kreative të aktorëve në skenë si një kundërvënie mes fuqisë së pushtetit, hipokrizisë, përuljes dhe çiltërsisë zhbiruese dhe rebeluese të gjeneratës së re në një dramë familjare, e cila tashmë merr përmasa reflektimesh të gjera konceptuale dhe shoqërore.

Nëpërduken në skenë, në mizaskenë, gjestikulacione, lëvizje skenike që e reflektojnë pikërisht këtë përplasje botërash dhe karakteresh. Një atmosferë skenike e projektuar me zvenitje, përulje, intrigë dhe rebelim, me një turfullimë Tartufi që simbolikisht shpërfaq përveç hipokrizisë edhe epshin kafshëror të zhvatjes dhe ngjall asociacione edhe të metaforës së madhe nga “Ferma e kafshëve” e Oruellit. Një Tartuf atipik, gjithsesi i pacipë, që përvijohet në realitete krejtësisht tjera që determinohen nga fuqia e pushtetit, e dogmës, por që mbështillet me skofi viktimizimi dhe përvetësimi.

Tartufi i Qëndrim Rijanit, hipnotizon naivitetin nëpërmjet moralizimeve viktimizuese, ndërkohë që shpërfaq transin kolektiv të ngjizur në një mashtrim thellësisht dramatik, që njeh krisjet e vlerave shpirtërore dhe të gjithë një sistemi shoqëror. Simbolika, karakteret në mizanskenë, që nëpërduken gjatë lojës skenike, shpërfaqin shumësinë e komplikuar të një shoqërie në rënie.

Tartufi i Qëndrim Rijanit shpërfaq shfytyrimin shoqëror përmes afishimit simbolik të shumë defeketeve që realisht shënojnë dekompozimin cinik të shpirtit njerëzor. Dialogët shpërthyes krijohen si kundërvënie mes intrigës, naives dhe rebelimit të çiltër të më të rinjve që përfaqësojnë afshin e pastër të lirisë qoftë nga autoriteti naiv patriarkal në këtë rast, qoftë nga gjithë ato ndërvarësi deformimesh dhe hipokrizish që shpërfaqen në figurën e Tartufit të veshur me petkun e aktualitetit.

Dhe shfaqja zhvillohet përtej linjave të tekstit autentik, përtej censures, në fakt duke e shmangur atë dhe duke krijuar një situate krejtësisht tjetër të mbushur me dykuptimësi dhe me një simbolik fatale përgjakjeje, flijimi, që lë para publikut ndjesinë e humbjes, trishtimit, të cilën mëton ta kompensojë me vazhdimin e një dashurie të ndërprerë. Mbase një rebelim që për pasojë ka shkatërrimin, dorëzimin dhe një fije të hollë shprese.

Planimetria regjisoriale e Qëndrim Rijanit në shfaqjen “Tartufi”, të luajtur nga trupa e Teatrit të Gjilanit dhe aktorë tjerë të përfshirë në shfaqje, e modelon në përmasa tjera të aktualitetit tekstin fillimtar të Molierit. Tartufi i Qëndrim Rijanit ridimensionohet mbi dekompozimet shoqërore të së sotmes, mbi hipokrizitë, përuljet dhe naivitetin, që vijnë në skenë përmes lojës së jashtëzakonshme të aktorëve, të cilët arritën të përcjellin te publiku gjithë krisjet e hijes fatale të moralitetit, viktimizmin e shpifur, por edhe rebelimin e pashpresë që përfundon në simbolikën e flijimit.

Padyshim, një shfaqje e konceptuar mirë, me të gjitha elementet që komunikojnë në harmoni në atë që përfaqësohet si muzikë, kostumografi dhe skenografi.

Të fundit