E premte, 26 Korrik, 2024

A DO TË JETË EDHE ASH PJESË E FRONTIT EVROPIAN?

Dy blloqe kryesore politike pritet të garojnë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe presidenciale, që do të mbahen më 24 prill dhe 8 maj. LSDM pritet të udhëheqë një koalicion parazgjedhor, i cili do të quhet “Fronti Evropian”, ndërkohë që nuk është e qartë ende nëse BDI, ASH dhe partitë tjera shqiptare do të bashkëngjiten aty, raporton KDP. 

Siç shkruan DW në gjuhën maqedonase, përgjigja ka munguar edhe pas takimit të djeshëm në Gostivar mes kryetarit të Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari dhe kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti. Temë e bisedës ka qenë koalicioni i mundshëm në zgjedhjet e ardhshme parlamentare mes këtyre dy partive, të cilat në vitin aktual u bënë partnerë në Qeveri.

Aleanca për Shqiptarët (ASH) në periudhën e ardhshme do të përballet me një vendim – nëse do të marrë pjesë e pavarur në zgjedhje, do të hyjë në koalicion me BDI-në, apo do të rifitojë imazhin e saj opozitar, duke iu bashkuar bllokut aktual trepalësh – Lëvizja Demokratike, Alternativa dhe Lëvizja Besa. Tre partitë e bashkuara nën emrin Lidhja Evropiane për Ndryshim (LEN) do të kenë një paraqitje të përbashkët në zgjedhjet parlamentare dhe, siç kanë paralajmëruar, kandidat për president. Në disa raste LEN i ka dërguar mesazh ASH-së për t’iu bashkuar frontit të tyre opozitar.

Sipas burimeve të DW-së në bllokun shqiptar, fakti që Ahmeti trokiti në derën e Taravarit do të thotë se vendimi i ASH-së mund të jetë vendimtar për çështjen e mbijetesës së BDI-së në pushtet, në rast se Aleanca vendos të anojë drejt frontit të opozitës.

Në bazën e ASH-së kishte më së paku disponim për koalicion me BDI-në dhe në pjesën më të madhe ata gjoja ishin të ndarë mes zgjedhjes – nëse do të shkonte e vetme apo do t’i bashkohej frontit të opozitës, si e vetmja rrugë e sigurt për t’i dhënë fund dominimit dy dekadash të BDI-së në qeveri.

Takimi i djeshëm Taravari – Ahmeti nuk ka sjellë përgjigje të qarta, kështu që ende sipas dy bashkëbiseduesve “të gjitha opsionet mbeten të hapura”.

“Një nga opsionet për të cilën kemi vendim nga menaxhmenti është që të shkojmë vetëm në zgjedhje. E thashë, është shumë e vështirë që Aleanca të dalë me BDI, por do ta shikojmë sërish këtë mundësi, sigurisht që do të respektohen vendimet e organeve të partisë”, tha Taravari për TV 21.

Në periudhën e ardhshme kjo çështje do të diskutohet dhe vendoset në Kryesinë e partisë dhe Kuvendin qendror.

Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, ka thënë shkurt se biseda ka qenë shumë miqësore, se opsionet janë të hapura dhe se do të takohen sërish.

“Do të shohim, do të diskutojmë opsionet, vizionin, ngjarjet. Në kuadër të vlerësimeve që do të japin organet drejtuese në partitë tona, do të vendosim se për cilin opsion do të vendosim”, tha Ahmeti.

Rezultati në bllokun shqiptar do të varet kryesisht nga cila anë do të anojë ASH-ja. Taktika e saj në Qeveri me fjalor pro-opozitës, ngatërroi llogaritë për plotësimin e vendit vakant në KSHZ. Me hyrjen e ASH-së opozitare në Qeveri, pas emërimit të Krenar Logës si ministër i Drejtësisë, vendi i tij në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve u zbraz dhe ai vend duhet të plotësohet me një përfaqësues të opozitës.

BESA akuzoi se edhe pse vendi në KSHZ i përket opozitës shqiptare, qeveria po bën përpjekje që të mos zgjedhë një anëtar të ri për të mos qenë kundër Aleancës për Shqiptarët (ASH), para se ajo të vendosë nëse do të dalë e vetme apo në koalicion në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale.

Pavarësisht vendimit përfundimtar të ASH-së, një person që mund ta ndihmojë bllokut opozitar shqiptar besohet të jetë ndikimi i kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, i cili gëzon besim dhe respekt të lartë tek shqiptarët në Maqedoninë e Veriut. Ndaj, burime në bllokun shqiptar thonë për DW se duhet llogaritur edhe ndikimi që mund të kenë mesazhet e tij në zgjedhjet e ardhshme, sepse ndikimi i tij nuk përfundon vetëm në kufijtë e Kosovës.

Kjo u pa edhe nga mënyra se si partitë opozitare e pritën Kurtin në Tetovë dhe Shkup në gusht të këtij viti, dhe ai konsiderohet si një nga politikanët në rajon që gëzon më shumë besim te liderët lokalë në bllokun shqiptar. Edhe pse në periudhën e kaluar u tha se në RMV do të formohet një parti sipas modelit të “Vetëvendosjes”, nuk është e sigurt nëse ka kohë të mjaftueshme për këtë. Por edhe pa një “franshizë” të tillë partiake, besohet se burim ndikimi nuk do të ishte partia si subjekt, por aura politike personale e Kurtit.

Të fundit