E premte, 26 Korrik, 2024

BE ME 680 MILIONË EURO PËR BALLKANIN, FINANCOHET HEKURUDHA E KORRIDORIT VIII

Komisioni Evropian (KE) njoftoi të mërkurën në mbrëmje se ka miratuar një paketë të re investimi prej 680 milionë eurosh për të mbështetur pesë investime kryesore në transportin hekurudhor dhe energjinë e rinovueshme në Ballkanin Perëndimor, përcjell KDP.

Midis pesë projekteve të reja të miratuara është edhe rindërtimi i linjës hekurudhore të Korridorit VIII në Shqipëri dhe rehabilitimi i linjës hekurudhore Bar – Vrbnicë në Mal të Zi.

Këto projekte, sipas KE-së, do të kontribuojnë në përmirësimin e transportit hekurudhor të Ballkanit Perëndimor në standardet TEN-T dhe do të sigurojnë integrimin me rrjetin hekurudhor të BE-së.

Në fushën e energjisë së pastër, do të mbështetet ndërtimi i dy fermave me erë në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe vendosja e një termocentrali diellor fotovoltaik në Shqipëri. Këto projekte, thotë KE, mbështesin tranzicionin drejt ekonomive me karbon të ulët dhe nxisin zhvillimin e qëndrueshëm në rajon.

Presidentja e Komisionit Evropian (KE), Ursula Von der Leyen, tha se “në një botë gjithnjë e më të fragmentuar, ne kemi nevojë për një komunitet vlerash edhe më të fortë dhe të bashkuar.”

“Zgjerimi është çelësi për të arritur këtë. Ndërsa ne vazhdojmë të punojmë së bashku për anëtarësimin, ne duhet të ndërmarrim veprime vendimtare për ta afruar Ballkanin Perëndimor me ekonominë tonë”, deklaroi Von der Leyen.

Sipas saj, me projektet me vlerë 680 milionë euro të sapo miratuara, BE po përshpejton udhëtimin të përbashkët drejt një të ardhmeje të gjelbër dhe të lidhur më mirë duke përmirësuar lidhjet e transportit dhe duke shfrytëzuar energjinë e rinovueshme.

“Së bashku, ne po hedhim themelet për rritje të qëndrueshme dhe integrim më të ngushtë, duke demonstruar edhe një herë angazhimin tonë të fortë për prosperitetin e rajonit dhe rrugën e tij drejt anëtarësimit në BE”, theksoi Von der Leyen.

Kjo është paketa e gjashtë financiare në kuadër të Planit Ekonomik dhe Investimeve të BE-së për Ballkanin Perëndimor, e cila pritet të mobilizojë 16.6 miliardë euro investime. Projektet janë përgatitur në bashkëpunim të ngushtë me partnerët e Ballkanit Perëndimor dhe institucionet financiare ndërkombëtare.

Paketa e investimeve prej 680 milionë eurosh, që përfshin 253.2 milionë euro grante të BE-së nga Instrumenti për Asistencën e Para-anëtarësimit (IPA III), kredi të favorshme nga institucionet financiare ndërkombëtare dhe kontribute nga Ballkani Perëndimor, është miratuar më 8 dhjetor nga Bordi i Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF).

Si pjesë e Global Gateway, Plani Ekonomik dhe Investimi i BE-së për Ballkanin Perëndimor synon të nxisë rimëkëmbjen afatgjatë, të përshpejtojë një tranzicion të gjelbër dhe dixhital, si dhe të nxisë bashkëpunimin rajonal dhe konvergjencën me BE-në. I miratuar nga Komisioni Evropian në tetor 2020, Plani do të mobilizojë deri në 30 miliardë euro investime, duke përfshirë 9 miliardë euro grante të BE-së. Pas kësaj pakete të re investimi, BE-ja pritet të mobilizojë 16.6 miliardë euro investime, përfshirë 4.5 miliardë euro grante të BE-së. Kjo përfshin financimin për 59 investime kryesore të EIP të mbështetura nga WBIF.

Korniza e Investimeve në Ballkanin Perëndimor (WBIF) është një platformë e përbashkët financiare e Komisionit Evropian, organizatave financiare, shteteve anëtare të BE-së dhe Norvegjisë që synon të rrisë bashkëpunimin në investimet e sektorit publik dhe privat për zhvillimin socio-ekonomik të rajonit dhe të kontribuojë në integrimin evropian të Ballkanit Perëndimor. WBIF është mjeti kryesor financiar për zbatimin e Planit ambicioz Ekonomik dhe Investiv të BE-së për Ballkanin Perëndimor.

Të fundit