E mërkurë, 24 Korrik, 2024

A DO TË PËRFSHIHET EDHE ZAEVI NË “LISTËN E ZEZË” AMERIKANE? AGELER: KA NJË EPIDEMI KORRUPSIONI KËTU

Ambasadorja e SHBA-ve në Shkup, Angela Ageler, alarmoi se Maqedonia e Veriut po zhytet në korrupsion. Në një konferencë për shtyp ajo tha se vendi ballafaqohet me një epidemi korrupsioni, edhe pse SHBA ke ndarë pothuajse 500 milionë dollarë për sundimin e ligjit, përcjell KDP.

“Ka një epidemi korrupsioni në këtë vend dhe ka prekur çdo sektor, çdo organizatë, dhe vetëm duke thirrur aktorët e korruptuar mund të fillojmë të ndihmojmë vendin të merret me ato çështje” tha Ageler. “Është dëshpëruese sepse, sidomos në dekadën e fundit, ne kemi parë një rritje të ndjeshme të korrupsionit në këtë vend. Çfarë mund të bëjë SHBA? Ne kemi punuar në trajnimin e shumicës së gjyqtarëve në vend, shumicës së prokurorëve dhe personave të tjerë që janë pjesë e gjyqësorit dhe nuk ka pasur kthim të madh nga investimi”.

Ageler vlerëson se në 10 vitet e fundit ka një rritje të ndjeshme të korrupsionit në vend dhe thotë se “lista e zezë” e SHBA-së, në të cilën vetëm në 8 muajt e fundit janë gjetur emra më të njohur politikanësh dhe biznesmenësh, është një përpjekje për të ndihmuar autoritetet e RMV-së që të fillojnë të merren me problemet.

Rasti i fundit i zgjerimit të listës së sanskioneve ishte përfshirja e Koço Angjushevit, ish-zvëvendës kryeministër në qeverinë e Zoran Zaevit. Ageler nuk deshi të japë më shumë detaje se pse Angjushev u gjet aty.

“Ka aspekte të ndryshme në të cilat nuk mund të hyj për shkak të privatësisë, sepse ne e marrim parasysh privatësinë edhe për njerëzit që i sanksionojmë. Kam dëgjuar njerëz të thonë – pse ai, ose më mirë një gazetar më pyeti pse Koço, ai është një burrë i mirë….? E them sërish, ka shumë prova për raste të shumta, ndaj nuk është vetëm – of, rrëshqita. Unë mendoj se ju e dini këtë, keni parë shumë, shumë raste. Është çështje llogaridhënieje, përgjegjësie për hapat e dikujt. Nuk mund të hyj në detaje, ligjërisht nuk më lejohet”, tha Ageler.

Biznesmeni Angjushev ka bërë të ditur se do ta apelojë vendimin dhe, sipas informacioneve të Ageler, këtë ai e ka bërë tashmë përmes avokatit të tij në SHBA. Por, ambasadorja thotë se kjo nuk do të ndryshojë asgjë: “Këto nuk janë dyshime. E dimë saktësisht se çfarë ka bërë Angjushev, ai është i përfshirë në aktivitete korruptive, dhe këtë në disa raste”.

A është vendosja e Angjushevit, i cili konsiderohet si person i afërt me ish-kryeministrin Zaev, por edhe me opozitën, një lloj sinjali se kush mund të jetë i radhës në listë? – Ageler nuk iu përgjigj kësaj pyetjeje.

“Mund t’ju premtoj se ka njerëz të tjerë, rastet e të cilëve janë duke u proceduar në Uashington. Nuk dua të spekuloj se kur do të shpallen, por ju premtoj se ky nuk ishte mbiemri”, tha ambasadorja amerikane në Shkup.

  • Po spekulimet për Zoran Zaev? Flitet se ndoshta ai është i radhës?, u pyet nga gazetarët.

“Dhe?”, pyeti Ageler.

  • Ju, na tregoni. Ai përmendej në një nga dokumentet, ia ktheu gazetari.

“Unë nuk do t’ju jap asnjë informacion tjetër se kë po shqyrtojmë”, tha Ageler.

Përveç Angjushev, në listën e zezë për korrupsion ishin edhe ish-kryeministri Nikola Gruevski, ish-drejtori i DBK-së Sasho Mijalkov, kryetari aktual i komunës së Strugës Ramiz Merko, si dhe biznesmenët Orce Kamçev dhe nëna e tij Ratka Kamçeva dhe Sergej Samsonenko me gruan e tij. Pesë kompani nga Maqedonia e Veriut që janë të lidhura me to kanë përfunduar në “listën e zezë”.

Ambasadori i SHBA-së e konsideron hap pozitiv hapin e qeverisë që propozoi projektligj që automatikisht do të hapë hetim në Maqedoninë e Veriut për çdo person që do të jetë në listën e zezë të SHBA-së. Një rregull i tillë deri më tani është rregulluar ligjërisht vetëm për personat që janë në listat e BE-së.

Ndryshe, që nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike midis Uashingtonit dhe Shkupit, Shtetet e Bashkuara kanë dhënë rreth gjysmë miliardë dollarë për qeverisjen e mirë dhe sundimin e ligjit – fusha në të cilat Maqedonia e Veriut nuk arrin të tregojë përparim të vazhdueshëm.

 

Të fundit