E premte, 26 Korrik, 2024

REPORTERËT PA KUFIJ: SIVJET 45 GAZETARË RANË NË KRYE TË DETYRËS

Në vitin 2023, 45 gazetarë humbën jetën duke bërë punën e tyre, thuhet në Raportin vjetor të Reporterëve pa Kufij (RSF) të publikuar këtë të enjte. Ndonëse në konfliktin që shpërtheu midis Izraelit dhe Hamasit në tetor humbën jetën 17 gazetarë, RSF regjistron numrin më të ulët të vdekjeve që nga viti 2002,- përcjell kdp.mk njoftimin e agjencive të lajmeve.

Vitin e kaluar, sipas të dhënave të kësaj organizate joqeveritare, ranë në krye të detyrës 61 gazetarë.

“Kjo kurrsesi nuk e zvogëlon tragjedinë në Gaza, por ne vërejmë një rënie, shifrat janë larg mëse 140 gazetarëve të vrarë në vitin 2012, pastaj në 2013, kryesisht për shkak të luftërave në Siri dhe Irak”,  ka deklaruar Sekretari i Përgjithshëm i RSF-së, Christophe Deloire. Duke shtuar se në uljen e numrit të viktimave kanë ndikuar  lufta kundër mosndëshkimit, puna e organizatave ndërqeveritare, e organizatave joqeveritare dhe e vetë mediave, si dhe kujdesi më i madh i gazetarëve.

“Shkaqet janë të shumëfishta dhe për to po diskutohen”, –  tha Deloire.

Sipas raportit të fundit të RSF-së, i cili përmbyllet me datën 1 dhjetor,  ka dukshëm më pak vdekje në mesin e gazetarëve në Amerikën Latine, ku  gjatë vitit 2023 u vranë gjashtë gazetarë, përkundrejt  26  viktimave më 2022. Në Meksikë, që është  zona më vdekjeprurëse për profesionin e gazetarisë pas Gazës, katër gazetarë u vranë në vitin 2023 krahasuar me 11 një vit më parë.

Nga gjithsej 84 gazetarë të zhdukur, pothuajse çdo i treti është meksikan, – thotë kjo organizatë joqeveritare.

Raporti tërheq vëmendjen edhe për ndalimin e gazetarëve në Bjellorusi, Kinë, Mianmar, si dhe në Iran e Turqi./KDP/

Të fundit