E shtunë, 27 Korrik, 2024

BE “SHUPLAKË” RMV-SË, GJENDJA NË KËSHILLIN GJYQËSOR TË PËRMIRËSOHET MENJËHERË

Bashkimi Evropian (BE) pret që urgjentisht të zbatohen 40 masa në Këshillin Gjyqësor dhe që ato të jenë prioritet i tanishëm, por edhe i çdo qeverie të ardhshme dhe të gjitha institucioneve gjyqësore në Maqedoninë e Veriut.

Pas serisë së skandaleve që tronditën Këshillin Gjyqësor, ky organ ishte nën vëzhgimin e Bashkimit Evropian (BE), i cili në shtator nisi Misionin Vlerësues të funksionimit të tij dhe sot konkluzionet i prezantoi ambasadori evropian David Geer.

Në raport thuhet se BE-ja rekomandon zbatimin e të 40 masave, disa prej të cilave Geer tha se janë afatshkurtra, ndërsa disa afatmesme dhe afatgjata. Për zbatimin e 23 prej tyre kërkohen ndryshime kushtetuese dhe ligjore, ndërsa 17 mund të zbatohen nga vetë Këshilli Gjyqësor.

Masat përfshijnë reforma strukturore në Këshillin Gjyqësor, ndryshimin e mandatit të anëtarëve, ndryshimet në procesin e përzgjedhjes së anëtarëve, përmirësimin e praktikave të transparencës, rritjen e pavarësisë financiare të organit dhe përfshirjen e shoqërisë civile në përzgjedhjen e anëtarëve në monitorimin e punës së tij.

“Problemet në Këshillin Gjyqësor nuk janë të ditës së djeshme, ato janë akumuluar prej kohësh dhe nuk janë adresuar në kohë dhe në mënyrë të duhur në mënyrë sistematike”, tha Geer.

Sipas tij, kjo ka sjellë sfidat aktuale me të cilat përballet funksionimi i Këshillit Gjyqësor, duke përfshirë moszbatimin e ligjeve dhe mungesën e praktikave të mira, të cilat “ndikojnë në punën e përgjithshme të gjyqësorit”.

“Duhet veprim urgjent për të adresuar këto probleme, sepse gjyqësori është në një pikë kritike”, tha Euroambasadori.

Këshilli Gjyqësor është institucioni më i rëndësishëm në sistemin gjyqësor, sepse ai vendos për përgjegjësinë, disiplinën dhe shkarkimin e gjyqtarëve. Por ngjarjet në nëntor 2022 dhe qershor 2023 shkaktuan shqetësim të veçantë.

Misioni i vlerësimit filloi pas trazirave, pasi dy kryetarë të organit u zëvendësuan në pesë muaj. Fillimisht presidentja Pavlina Cërvenkovski e cila dha dorëheqje në nëntor dhe më pas Vesna Dameva e cila u shkarkua.

Edhe Cërvenkova edhe Dameva lanë pozitat e tyre me akuza të rënda: Dameva për ndikim politik, kurse Cërvenkovski tha se jep dorëheqje për shkak të veprimeve të elitës gjyqësore-afariste.

Pak ditë pas shkarkimit të Damevës, në një seancë urgjente që u zhvillua në një atmosferë të tensionuar, kryetar i ri i Këshillit Gjyqësor u emërua Sashko Georgiev.

Georgiev u zgjodh në “kolegjium” pas “luftës” dhjetë ditore për procedurat për shkarkimin e Damevës, e cila kishte paraqitur padi edhe në Gjykatën Administrative për shkarkimin e saj të paligjshëm, siç tha ajo.

Kritika të Këshillit Gjyqësor për ndikime dhe presione politike janë theksuar edhe në Raportin e Komisionit Evropian në nëntor, ndërsa vërejtje të ngjashme janë edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe nga organizatat joqeveritare në Maqedoninë e Veriut.

Të fundit