Maqedonia e Veriut dëbon një prift rus nën dyshimin për spiunazh. Një javë më vonë, Bullgaria dëboi gjithashtu të njëjtin prift që jetonte në Sofje prej vitesh. Çfarë dimë për arkimandritin Vasian, përfaqësuesin e Patriarkanës së Moskës në Sofje?
Radio Evropa e Lirë në gjuhën maqedonase shkruan se prifti 48-vjeçar rus prej vitesh largohet çdo ditë nga banesa e tij në mëngjes në rrugën elitare “Saborna” në qendër të Sofjes. Teksa ecën 350 metra deri te kisha ku shërben – Kisha ruse “Shën Nikolla mrekullibërësi”, qytetarët që janë mësuar ta shohin e përshëndesin rregullisht.
Por ata nuk do ta shohin më.
Ai është përfaqësuesi kishtar i Patriarkanës së Moskës në Sofje, Arkimandrit Vasian Zmeev.
Prifti u dëbua nga Bullgaria, së bashku me dy zyrtarë të tjerë që janë shtetas të Bjellorusisë, konfirmoi të enjten Agjencia Shtetërore për Sigurinë Kombëtare (DANS), megjithëse dha vetëm inicialet e të sanksionuarve. Në deklaratën e tyre, Vasian u rendit si një kërcënim për sigurinë kombëtare.
Njoftimi për dëbimin erdhi fillimisht nga ambasada ruse në Bullgari. Ambasada e Moskës shprehu zemërim dhe e quajti aktin “akte të rënda, tronditëse”.
Ndërkohë ka ardhur një reagim nga Moska.
“Ne jemi të indinjuar dhe të tronditur nga ajo që ndodhi,” tha në një deklaratë zëdhënësja e ministrisë Maria Zakharova, duke shtuar se përgjegjësia për “përkeqësimin e shpejtë të marrëdhënieve midis Rusisë dhe Bullgarisë qëndron tërësisht në anën bullgare”.
Gjithashtu, agjencia shtetërore ruse e lajmeve TASS njoftoi më 22 shtator se ambasadori bullgar në Rusi, Atanas Krastin, do të thirret për bisedime në Ministrinë e Punëve të Jashtme ruse.
Ambasadorja ruse në Bullgari, Eleonora Mitrofanova, në një intervistë për televizionin shtetëror, shtoi se Rusia nuk do të ndërmarrë veprime drejtpërdrejt kundër kishës bullgare në Moskë.
Vetëm pak ditë më parë, prifti u shpall persona non grata në Maqedoninë e Veriut. Ai dyshohet se është spiun rus.
“Veprimtaria e arkimandritit Vasian është një vazhdimësi e politikës ruse të përçarjes së Bullgarisë për shkak të kishës”, tha për Evropën e Lirë profesori Kalin Janakiev, një filozof dhe teolog.
Sipas historianit dhe publicistit Goran Blagoev, disa shenja të ndikimit rus mund të shihen në dështimin afatgjatë të përpjekjeve të Kishës Ortodokse Maqedonase për t’u bërë e pavarur (autoqefale) dhe në përkeqësimin e marrëdhënieve me Kishën Bullgare pasi Vasian ishte në Sofje.
Inteligjenca ruse në pallton e një prifti
Kush është Nikolai Zmeev – apo Vasian, çfarë po bën ai në Sofje dhe cili është roli i tij në shtrëngimin e marrëdhënieve midis kishave ortodokse të Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut?
“Të gjithë në Agjencinë e Inteligjencës e dinë se ky prift këtu është një përfaqësues i inteligjencës ruse me veshje klerikale. Unë pyes kundërzbulimin bullgar – nuk u vjen turp që ai që jeton dhe zhvillon veprimtari informative në Bullgari është dëbuar nga Maqedonia, dhe këtu jeton rehat”.
Kështu deklaroi të shtunën e kaluar Atanas Atanasov nga partia në pushtet “Vazhdojmë me ndryshimet” për BTN, i cili drejtoi komisionin parlamentar për kontrollin e shërbimeve pasi Shkupi e dëboi Vasianin për spiunazh, megjithëse rezidenca e tij ishte në Sofje.
Dy javë më parë, presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, tha se shërbimet e sigurisë morën informacion nga shërbimet partnere se anëtarët e Sinodit të Shenjtë të Patriarkanës së Moskës punonin për shërbimet sekrete ruse, por nuk përmendi emra.
Tani Vasian tashmë është dëbuar nga Bullgaria. Sipas shërbimeve bullgare, ka të dhëna për veprime “në lidhje me zbatimin e elementeve të ndryshme të strategjisë hibride të Federatës Ruse për të ndikuar qëllimisht në proceset socio-politike në Republikën e Bullgarisë në favor të interesave gjeopolitike ruse”.
Vasian është anëtar i Departamentit të Marrëdhënieve Ndër-Kisharë të Patriarkanës Ruse (ICRS), i cili jozyrtarisht funksionon si Ministria e Punëve të Jashtme të Patriarkanës. Ai në fakt përfaqëson patriarkun rus Kirill (Gundyaev) në Sofje.
Praktika e FSB-së për përdorimin e zyrtarëve të kishës si mbulesë dëshmohet, përveç çështjes Vasian, nga fakti se Byroja Federale e Hetimit të SHBA-ve po heton aktualisht Dmitry Petrovsky, një punonjës i të njëjtit departament për marrëdhëniet e jashtme të kishës së Patriarkanës së Moskës. Ai dyshohet se punonte për inteligjencën ruse, siç raporton portali rus Meduza.
Kush është Vasian?
Vasian lindi si Nikolai Valeryeviç Zmeev në 1975. Biografia e tij zyrtare nuk thotë se ku, por të dhënat ruse të zbuluara tregojnë se vendlindja e tij ishte qyteti i Berezniki në Territorin e Permit.
Në vitin 1998 u diplomua në Seminarin Teologjik të Moskës dhe në vitin 2002 në Akademinë Teologjike të Moskës me doktoraturë në teologji. Më 2 prill 1999 shugurohet murg me emrin Vasian.
Sipas biografisë së tij zyrtare nga viti 2002, prifti është gjithashtu mësues i gjuhëve të lashta në Seminarin e Moskës, që ndodhet në qytetin e Sergiev Posad./KDP