E diel, 16 Mars, 2025

PËRPLASJA MICKOSKI-GRUEVSKI, “BETEJË” PËR TRASHËGIMITË POLITIKE APO RRUGËDALJE PËR VOTIMIN E NDRYSHIMEVE KUSHTETUESE

Ish ambasadori i Maqedonisë së Veriut në NATO, Nano Ruzhin, për KDP.MK ka theksuar se përplasja mes Mickoskit dhe Gruevskit mund të kuptohet në dy mënyra. Sipas tij, kjo përplasje, ose është e vërtetë, dhe shfaqet nga logjika e disa trashëgimive të caktuar politike, ose është një formë e caktuar për të gjetur një rrugëdalje që ndërlidhet me vendimin e deputetëve për të votuar ndryshimet kushtetuese.

Shkruan: Enis Shaqiri

Kanë vazhduar përplasjet mes ish-liderit të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski dhe liderit aktual të kësaj partie, Hristijan Mickoski. Njohësit e rrethanave politike brenda kësaj partie theksojnë se kjo përplasje mund të vijë ose për trashëgiminë politike në parti, ose për të gjetur një rrugëdalje që deputetët të votojnë ndryshimet Kushtetuese.

Për ish ambasadorin e Maqedonisë së Veriut në NATO, Nano Ruzhin, kjo përplasje është thjesht e pabesueshme.

Pra, për mua, kjo përplasje është thjesht e pabesueshme, dhe këtë përplasje ne mund ta kuptojmë në dy mënyra. Ose është një përplasje e vërtetë, e cila shfaqet nga logjika e disa trashëgimive të caktuar politike, sepse rrjedhimisht, çdo kryetar partie kërkon të tregohet sa më i respektuar dhe i ndershëm. Dhe kjo qëndron, sepse mund ta shihni dhe ta analizoni historikun e sistemit tonë partiak se kush i ka fituar këto beteja në përplasjet e mëparshme . Ky është një opsion, një mundësi. Ndërsa mundësia e dytë është ndoshta një formë e caktuar për të gjetur një rrugëdalje nga vendimi i deputeteve, për të votuar ndryshimet kushtetues”, thotë Ruzhin.

Kujtojmë se Kodi Penal dhe projekt-ligji për amnistinë u bënë mollë sherri për përplasjet midis ish-kreut të partisë opozitare maqedonase VMRO-DPMNE, Nikolla Gruevski, dhe kryetarit të saj aktual, Hristijan Mickoski. Pas njoftimeve se përfaqësues të partive në pushtet kishin komunikuar me ish-kryeministrin Nikolla Gruevski dhe ishin takuar me të në Budapestë të Hungarisë, ku ai ndodhet i strehuar për të diskutuar mundësitë e përfitimit të tij nga ndryshimet e Kodit Penal, në shkëmbim të votave të VMRO-së për ndryshimet kushtetuese, ka reaguar Hristijan Miskoski. Mickoski beson se Gruevski me disa ish-përfaqësues të lartë të partisë janë duke synuar të marrin mbështetjen e disa deputetëve të VMRO DPMNE-së për të miratuar ndryshimet kushtetuese, që duhet të bëhen për të përfshirë pakicën bullgare në preambulën e Kushtetutës, që është kusht për vazhdimin e bisedimeve për integrimin evropian, ashtu siç parashihet me marrëveshjen me Bullgarinë, të arritur në korrik 2022.

Është naive të besosh se ndryshimet në Kodin Penal janë bërë vetëm për  disa vepra të vogla kriminale. Ato kanë më tepër se kaq. Është një skenar që është bërë nga Lidhja Social-Demokrate dhe Bashkimi Demokratik për Integrim në bashkëpunim me një strukturë të VMRO DPMNE-së. Pra, është një skenar për të votuar ndryshimet kushtetuese sipas diktatit bullgar”, ka deklaruar Mickoski.

Kurse Nikolla Gruevski përmes një reagimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se Mickoski merret me “thashetheme”, pasi pretendimet e tij për “kurdisjen e amnistisë” nuk qëndrojnë.

Përçarjen e bëri ai duke më shpallur armik të ri dhe duke më sulmuar ashpër pa dhënë as më të voglën arsye, ashtu siç e prisja pa asnjë argument, pa asnjë provë apo diçka të tillë. Mickoski përmbushi dëshirën e tij të kahershme për të hyrë në një konflikt publik dhe për të më sulmuar mua. Mbase dikush i tha se do të ishte e dobishme…”, ka shkruar Gruevski.

E për ish-diplomatin Ruzhin, konfliktet e tilla, kërkojnë një qasje kritike dhe skepticizmi, pasi siç thotë, duhen analizuar dhe testuar mirë për të dalë në përfundim.

Pra, ajo çfarë kemi mësuar të paktën nga Bota Perëndimore, në fakultetet e shkencave politike, është që gjithmonë të kemi një qasje kritike dhe skepticizmi ndaj këtyre ngjarjeve. Pasi duhet analizuar, testuar dhe shqyrtuar mirë. Prandaj, nga ky këndvështrim, nuk jam në gjendje, të paragjykoj apo edhe të jap ndonjë konstatim final”, thotë Ruzhin.

VMRO-DPMNE: E prishëm planin e qeverisë, nuk ka ndryshime kushtetuese nën diktat bullgar.

Ndërkohë, përplasjet publike mes kryetarit aktual dhe ish kryetarit të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski dhe Nikolla Gruevskit kanë qenë temë e seancës së Komitetit qendror të partisë opozitare, VMRO-DPMNE. Nga atje pohojnë se e kanë “prishë planin e qeverisë” dhe se, vazhdojnë të bashkuar kundër ndryshime Kushtetuese nën diktatin bullgar.

Janë riformuar qëndrimet që janë paraqitur para opinionit në ditët e kaluara, dhe ajo është se VMRO-DPMNE e prishi planin e qeverisë, të boshtit BDI – LSDM dhe të ish zyrtarëve të tjerë që ishin në opozitë të cilët kanë vendosur të jenë nën dispozicionin e tyre nëpërmjet marrëveshjeve të pista të njohura vetëm për ato, të cilat do të dëmtojë drejtpërdrejtë popullin maqedonas. Për më tepër, u konfirmua kohezioni i fortë i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së dhe Koalicionit nga fillimi deri në fund, të gjithë 44 deputetët, dhe në aspektin e mospranimit të amendamenteve kushtetuese nën diktimin bullgar”, thuhet në komunikatën e VMRO-DPMNE-së.

LSDM: VMRO-DPMNE-ja po shpërbëhet

Ndërsa nga partia në pushtet, LSDM,  thanë se opozita maqedonase, VMOR-DPMNE, ka probleme të mëdha brenda partiake.

Mickoski për përçarjet dhe grindjet e brendshme në VMRO-DPMNE nuk duhet t’ia ngarkojë LSDM-së. I dëshpëruari Mickoski të mos ndërhyjë fare me LSDM-në në ballafaqimin e ndërsjellë dhe t’i zgjidhë vetë zënkat. Publiku ende pret përgjigje nga Mickoski për marrëveshjet me Gruevskin. A po i fsheh kërkesat për amnisti të bashkëpartiakëve të tij, për shkak të pakënaqësisë që ndodhen brenda partisë së tij”, thuhet në reagimin e LSDM-së.

Sidoqoftë, fati i VMRO-DPMNE-së ende mbetet i paqartë, sidomos me krijimin e mundësisë për kthimin e Nikolla Gruevskit nga Hungaria. Ai llogaritet ende si një figurë me autoritet te votuesit e kësaj partie, të cilët Mickoskin vlerësohet ta shohin vetëm si një “zëvendësim të përkohshëm të Gruevskit” në krye të VMRO-DPMNE-së.

 

 

Të fundit