E diel, 23 Mars, 2025

NEZIRI NË “BALLKAN UPDATE”: VETËM NJË “FRONT EVROPIAN” DO TA MBANTE VENDIN NË BINARËT E DUHUR

Analisti nga Maqedonia e Veriut, Xhelal Neziri, gjatë intervistës për “Ballkan Update”, komentoi edhe propozimin e kreut të BDI-së në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmetit për të krijuar një front evropian, ku do të merrnin pjesë partitë shqiptare por edhe partia Lidhja Social Demokrate, që është një nga partitë më të mëdha maqedonase.

I pyetur nga gazetarja Linda Karadaku për këtë propozim, analisti theksoi se është një koalicion i mundshëm por edhe i nevojshëm. Sipas tij, kjo është një ide e qëlluar nga Ahmeti që do ta mbante Maqedoninë e Veriut në ‘binarët’ e integrimit drejt Bashkimit Evropian.

“Ne kemi një bllok të partive politike që pa hamendje thonë se jemi të gatshëm të bëjmë çdo reformë që kërkohet me qëllim që vendi të bëhet sa më parë pjesë e BE-së. Por që nga deklarimet e kryetarit të këshillit të BE-së zotit Michel dhe diplomatëve të tjerë nënkuptohet se një anëtarësim i shpejtë është i mundshëm. Si detyrë e parë është ndryshimi i Kushtetutës dhe zbatimi i propozimit francez, që përfshin edhe bullgarët në Kushtetutë. Ka parti që pa hamendje përkrahin ndryshimet kushtetuese dhe kemi parti të cilat nuk janë të qartë në këtë drejtim dhe thonë se jemi për BE por jo për propozimin francez.”“Ky qëndrim jo i qartë i partive politike hap debate nëse ky bllok është në fakt në favor të integrimit të vendit në BE, nëse ky bllok vërtet ka për qëllim strategjik anëtarësimin dhe nëse është vërtetë për vlerat perëndimore. Kur kemi një ndarje të tillë mendoj se një koalicion i tillë është i mundshëm dhe i nevojshëm dhe do të kishte gjasa që forca pro-evropiane në Maqedoni të fitojnë edhe një mandat për të qeverisur vendin. Si ide e Ahmetit është e qëlluar që do ta mbante vendin në binarët e integrimit evropian.“, përfundoi analisti.

Lidhur me kritikat e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti ndaj të dërguarit të BE-së për dialogun me Serbinë, Miroslav Lajçak, analisti Neziri tha se është një veprim i pamenduar mirë që shkon në dëm të Kosovës.

“Është e pazakontë që me një vend, me një union kaq serioz nga i cili varet e gjithë ekonomia e Ballkanit Perëndimor, të hapen fronte dhe konflikte verbale me qëllim të krijimit të pozicioneve më të mira në negociatat me Serbinë ose edhe të tentimit për të bërë presion ndaj tij dhe BE-së që në një farë forme të jetë më në favor të Kosovës. Mendoj që këto veprime nuk arrijnë efektin e dëshiruar por përkundrazi e paraqesin Kosovën gjithnjë e më shumë si burimi i problemit, gjë që nuk është“, tha analisti.

Sipas tij, diplomacia amerikane është e zhgënjyer nga Albin Kurti dhe se dalëngadalë do të tërhiqet nga përpjekjet për të normalizuar marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë. Nëse një gjë e tillë do të ndodhë, sipas analistit, do të ishte një humbje e madhe për Kosovën dhe qytetarët e saj.

“Mendoj se Escobar dhe diplomatët më të lartë amerikanë janë të zhgënjyer dhe kanë hequr dorë se kjo strukturë qeverisëse e Kosovës do të mund të çojë një proces për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë deri në fund. Pra, ka një hamendje në diplomacinë amerikane nëse do të duhet të vazhdojnë me përpjekjet që të çojnë përpara procesin e normalizimit të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës, i cili në planin afatgjatë, do të finalizohej me njohjen e ndërsjellë apo të tërhiqen dhe të presin kohë më të mira, në kuptimin e ardhjes në pushtet e një strukture më operuese, e cila i kupton më mirë kontekstet gjeopolitike, pozicionet e fuqive të mëdha dhe rrugët nëpërmjet të cilave duhet të arrihet drejt një qëllimi final, që është njohja.”

“Kam frikë se diplomacia amerikane dalëngadalë do të tërhiqet nga përpjekjet e saj për të normalizuar marrëdhëniet për shkak se edhe Serbia, jo që tregon ndonjë gatishmëri më të madhe që të rreshtohet me Perëndimin, sidomos kur merret parasysh se vendimi i fundit i zotit Vuçiç që të mos mbështesë sanksionet e Perëndimit por edhe që e përsëriti gjatë ditës së sotme kur u shpall vendimi i BE për të vazhduar edhe për 12 muaj sanksionet ndaj Rusisë, Serbia nuk u rreshtua krah tyre. Kjo situatë po zbeh gjasat që të arrihet synimi i diplomacisë amerikane që më në fund edhe Ballkani të paqësohej si rajon dhe të përshpejtojë integrimin drejt BE. Një tërheqje eventuale e diplomacisë amerikane nga kjo çështje do të ishte humbje e madhe në radhë të parë për Kosovën, qytetarët e saj sepse do të humbnin një përkrahës të projektit të shtetit, dhe nuk do të ishte një lajm i mirë edhe për rajonin”, u shpreh analisti.

Të fundit