(Në përkujtim të aktorit Xhevat Qorrajt (1947 – 2023), me rastin e vdekjes së tij)
Dy fragmente nga vështrimi për filmin “Proka”, skenarin e të cilit e ka bërë Eqrem Basha sipas motiveve të novelës së Filip Papajanit, regjinë Isa Qosja, kurse rolin kryesor Xhevat Qorraj, prodhim i Kosovafilmit. Roli i Xhevat Qorrajt në filmin “Proka”, më së shkurti thënë, është një gravurë përherë e gjallë, një gravurë që lëviz edhe në çastet e plandosjes së thellë.
Nga Shaip Beqiri
Në qendër të këtij filmi është drama e Prokës, kryeprotagonistit që e ka këputur lidhjen e komunikimit normal me rrethin e vet. Dhe ai flet një gjuhë të rrallë, gjuhën memece që dëgjohet e depërton furishëm në atë rreth të kalbëzuar, i cili brenda vetes ka Prokën si një pikë dhe një trekëndësh që i vihet asaj pike: së pari, njerëzit përreth e marrin për të krisur; së dyti, pushteti e merr si rendprishës e turbullues dhe së treti, kisha e pandeh si të pabindur e ateist. Por nuk janë sall këta komponentë që e përbëjnë rrethin në të cilin gjëllin Proka. E vërteta është krejt tjetër. Ajo ngërthehet në tërë botën e preokupimeve të kryeprotagonistit të “Prokës”. Para së gjithash, ai nuk është një tip që përulet para të bëmave që s’i meriton, sepse rrjedhjen e jetës e sheh gjetkë, pikërisht te frytet e djersës së vet. Ndonjëherë ke përshtypjen se ky mëkatar i pafajshëm e bën punën e vet dhe i pëson mundimet e Sizifit, mirëpo ai gurin e vet të fatit më në fund e shpur në majë të kodrës. Është kjo një figurë tepër e njohur që moti, por Isa Qosja në filmin e vet e shfrytëzon duke e funksionalizuar mrekullueshëm në gjuhën e artit të vet, duke i dhënë një timbër shumë origjinal e të natyrshëm, pa e dhunuar domethënien që del vetvetishëm.
Nuk ka dyshim se vlerat shquese të këtij filmi ngërthehen edhe te loja e mirë e pjesës më të madhe të aktorëve, sidomos te aktrimi brilant i Xhevat Qorrajt, i cili bëri një rol antologjik që gjatë do të mbahet mend. Loja e Qorrajt është e mishëruar me tërë filmin, e përshkon atë si një domosdoshmëri, ndonëse ai të thuash ka më së paku tekst. Pra, ai flet më shumë me memecllëkun e vet se që do të fliste me çfarëdo gjuhe bombarduese, e cila zakonisht preferohet për të shprehurit e protestës. Roli i Xhevat Qorrajt në filmin “Proka”, më së shkurti thënë, është një gravurë përherë e gjallë, një gravurë që lëviz edhe në çastet e plandosjes së thellë. (1985)