E shtunë, 23 Shtator, 2023

HARTA SHPIRTËRORE E IDENTITETIT

Murat Isaku “Ngutem të marr një frymë”

Botues “Pipaj&Camaj”- Shkodër

Këngëtimi lirik i Murat Isakut merr udhë nga sentimentet e një bote të ndërprerë, të tkurrur, të zënë në frymë, të pagojë, që ruan brenda vetes dramat shpirtërore të individit dhe që ngritet në metaforë të mbijetesës kolektive. Kjo prekje lirike ngjizet në thellësitë e mistikës njerëzore, për të përftuar paskëtaj gjëmimet e thella kolektive. Novalis thotë se” poeti duhet të shkojë shumë larg në kërkimin e sekretit të sendeve dhe duhet të ushtrojë pushtetin e tij hyjnorë që e ka brenda shpirtit të tij”. M. Isaku arrin që të funksionalizojë mu këtë orientim krijues, duke trazuar në detin e kujtesës këtë sekret të sendeve që mishërojnë frymën e gjithëkohësisë dhe të identitetit. Tashmë është e sigurt se poeti udhëton fillikat nëpër hapësirat e ndjeshmërisë krijuese, duke bashkëjetuar me sendet, njerëzit, frymën, vuajtjen, gëzimet etj, natyrshëm me shqisat e veçanta të cilat i posedon vetëm soji i vetmitarëve.

Shkruan: Bardhyl Zaimi

Në krijimtarinë e shkrimtarit Murat Isaku në kontunitet ndiqen parashenjat e identitetit, të cilat në tekstin letrar përpunohen përmes një stili të veçantë që qëmton pandërprerë një “gjuhë të harruar” siç do të thoshte E. From. Ky tekst letrar, që mbruhet vazhdimisht me lëngun e peizazhit shqiptar në këto anë, sjell përpara lexuesit fate personazhesh “gungaçë” e “gjuhëprerë”, që si simbolikë tipizon fatin e një kolektiviteti, i cili gjallon vazhdimisht në kufijtë e mbijetesës. Me një finesë të skajshme, ky autor kërkon që të ravijëzojë në krijimtarinë e tij peizazhin e brendshëm të identitetit që frymon dhimbshëm në tunelin e fatalitetit historik.

Edhe lirika e tij fermenton, pikërisht këtë ndjeshmëri, hartën shpirtërore të identitetit që përmbushet me shumëllojshmëri refleksesh krijuese. Këngëtimi lirik i Murat Isakut merr udhë nga sentimentet e një bote të ndërprerë, të tkurrur, të zënë në frymë, të pagojë, që ruan brenda vetes dramat shpirtërore të individit dhe që ngritet në metaforë të mbijetesës kolektive. Kjo prekje lirike ngjizet në thellësitë e mistikës njerëzore, për të përftuar paskëtaj gjëmimet e thella kolektive. Novalis thotë se” poeti duhet të shkojë shumë larg në kërkimin e sekretit të sendeve dhe duhet të ushtrojë pushtetin e tij hyjnorë që e ka brenda shpirtit të tij”. M. Isaku arrin që të funksionalizojë mu këtë orientim krijues, duke trazuar në detin e kujtesës këtë sekret të sendeve që mishërojnë frymën e gjithëkohësisë dhe të identitetit. Tashmë është e sigurt se poeti udhëton fillikat nëpër hapësirat e ndjeshmërisë krijuese, duke bashkëjetuar me sendet, njerëzit, frymën, vuajtjen, gëzimet etj, natyrshëm me shqisat e veçanta të cilat i posedon vetëm soji i vetmitarëve.

Guri, mëkatet, zjarri, livadhet dhe një sërë simbolesh tjetra në poetikën e  M.Isakut  vërtetojnë rrugëtimin e tij të sakrificës krijuese, që herë-herë përndritet nga një mistikë e thellë besimi njerëzor që mëlcon blanat e qenësisë. Njëmendësohemi në këtë pikë udhëtimi krijues me Rëne Shar, i cili thotë:” Njeriu nuk mund dhe nuk duhet zbulojë misteret e udhës së jetës; atje gjenden grumbuj të mëdhenj gurësh mbi të cilët përplasen dhe rrëzohen të gjithë udhëtarët. Mirëpo, poeti është aty për t’ju treguar shtegun nga mund të kaloni pa u dëmtuar”.

“Melankolia është toni më legjitim i të gjitha toneve poetike”, thotë E. A. Poe, dhe pikërisht ky ton fundekrye përshkon përmbledhjen më të fundit me poezi të autorit M.Isaku “Ngutem të marr një frymë”. Përmbledhja poetike hapet me poezinë “Ngutem”, që si një kambanë trishtuese këngëtimit i jep tone “padurimi zemre” dhe ankth të thellë ekzistencial. “Mos m’i mblidhni hapat si kokrrat e rrushit n’vresht”, ky shqetësim kërkon me ngulm të shpërfaqë praninë e jetës në damarët krijues që nuk prajnë të tundin afshin e përhershëm të gjakut, të ëndrrës së papërfunduar. Ky trishtim fillimtar provon të ngjizet si parashënjë e vdekjes, por jo me ato tipare që zakonisht krijon kjo ndjenjë në situata të rëndomta. Refuzimi për t’iu dorëzuar kësaj ndërprerjeje mbetet refuzim krijues që çmon me vetëdije të thellë, të papërfunduarën, rrugën krijuese që vazhdërisht kryqëzohet në nyje pengu, në diçka të pathënë dhe të papërfunduar. Për më tepër, kjo ndjesi është kundërvënie ndaj errësimit që provon të ndërpresë fjalën e fundit që kërkon të ndërpresë ligjërimin poetik që zgjatet në hapësirat supreme të gjuhës dhe të misterit. “ Më lini të marr një frymë, aty ku zë kokrra kalliri im”, në këtë pikë shqetësimi frymëmarrja e autorit përkund ankthin krijues që kërkon kokrrat  e përkushtimit jetësor, të ngushëllimit që te lexuesi transmetohet si ndjenjë e trembur njerëzore.

Nga thellësitë e përjetimit autori miklon shqetësimin e tij për “shtizat që i ushtojmë për njëri-tjetrin”, duke shfaqur dilemën e dhimbshme “S’kuptoj në i di rrugët kjo kohë”. Ky paralajmërim që shtrihet si hije vrastare në këngëtimin e këtij libri rend të shpërfaqë në vetëdijen e lexuesit prapësinë që gëlon vazhdimisht në qenien tonë kolektive, në format e saj më destruktive. Ky shqetësim dendërohet fuqishëm në poezinë “ Në palcën time qesin fall”, përmes së cilës stigmatizohet rënia e brendshme njerëzore, e cila prek deri në kufijtë e frikës. “Ka ardhur një kohë kur pragu i derës merr frymë me frikë”, këndon autori, gjersa ndjen deri në palcë “shpifjet që vijnë nga rruga”. Ky rrëmbim i pangimë që merr hov në vetminë krijuese lëshohet të prajë në imazhet nga e kaluara, të cilat sjellin para lexuesit dramën e përhershme të njeriut me kasapin kohë, me të pakryerën, me fatin njerëzor që përfundon diku në një padurim të trishtë, amplitudat e të cilit autori i ndjen në tërë qenien .Kjo ngutje, para së gjithash, ngjyroset me tone vetmie krijuese, me gjakime për të arritur në “një majë si vajzë e dashur”, të cilën autori kërkon “ ta marr n’gji një natë të tërë”. Por, diçka vazhdimisht e pengon, e zmbrapsë dhe e fut në ferrin e angështisë, duke mos e lënë që “edhe një herë si fëmijë frymë të marr”.

Në këtë zgrip krijues, në hapësirën e përhimtë të jetë-vdekjes, pandërprerë gëlon kujtimi me arkën të mbushur me sende të moçme, me njerëz, me fjalë dhe me dashuri njerëzore. Se jeta e brendshme është enkas e drejt e shfaqjeve delikate, kjo par excellence vërtetohet te poezia “Kur shiu me erën më rrahin”, sidomos përmes vargjeve “M’përvëlon atëherë një dhimbë e fshehur në gji, si një zjarr i vjeshtës kur nëpër gjethe shklet”.

Në ciklin “Prej gjumit tonë bënte truall të zi”, M. Isaku përmes një lirizmi evokues përmallshëm i qaset shujtës shpirtërore që mbetet embleme e poezisë së tij. Në kohën kur angështia ia merr frymën, fuga e jetës e qas në hapësirën ku koha vazhdërisht rikthehet. Kjo është hapësira e kujtesës, e mallit dhe e ngjyrave të jetës. Në të ngjeshur do të gjejmë “hapat e babait”, “lule kajsie”, “rrugë me shelgje dhe kallinj të egër”, “tagarë”, “mintanë”, “postaja” etj.  Secila nga poezitë e këtij cikli mbetet një pikturë e ekspozuar para lexuesit nga galeria e brendshme e autorit, që përmes frymës së tij  i trand nga pluhuri i harresës.

Po në këtë cikël, autori me një ironi të pambuktë shpërfaq shumë defekte në ambientin tonë, të cilat ua zënë frymën gjërave të bukura. Kjo stërkeqje e përmbajtjeve njerëzore lehtësisht mund të lexohet te poezia “Mulliri elektrik i Bacës” dhe “Qyteti ka një orë të ligë”. Në poezitë e këtij cikli, autorin do ta gjejmë shpeshherë në gjendje të dyzuar: herë do t’i lëshojë flatrat krijuese nëpër hapësirat e kujtesës, për të zbutur angështinë e frymës dhe herë do ta gjejmë në një ambient real krijues, në dhomën e shkrimtarit, në të cilën,  “nga buzët buron vetëm fryma ime”. Në këtë pikë shpërfaqet vetmia krijuese, kjo ndjenjë  që transponon në lirizëm të thellë të gjitha pamjet e brendshme të autorit.

Në ciklin e fundit “Më dhemb fryma e gjoksit”, autori i këndon dashurisë, një dashurie të tejkohshme që shfaqet para syve të tij në formë qershie, apo si një “valle ankthi nën lëkurë”. Në kohën kur autori nuk mund t’i shquajë sytë e saj, klith dhimbshëm se “ vetja më duket i rëndë si një thes me rërë”. Ky cikël  zgjatet si një vazhdë drite dhe për një çast të përkujton këngëtimin e përmallshëm lasgushian tek përmbledhja poetike “Dolli për gjërat e humbura”, të cilën e pagëzova si “ Zjarri – Liza e pleqërisë djaloshare”. Kjo vazhdë dashurie përftohet edhe në këtë cikël, që si një “ trandafil i vjetër” ruhet “mes faqesh si dashuria në zemër”.Në këto poezi përflaket së brendshmi afshi i dashurisë, shpaloset me një ritëm të hovshëm gjakimi për të sjellë edhe në këtë kohë gjurmët e prekjeve të dikurshme, të cilat transpo-nojnë ndjenjat e brendshme në këngëtim të dhimbshëm për dashurinë. Mbetet emblematike për erotikën e këtij libri poezia “Mos më kërko çdo herë”, në të cilën me një ndjeshmëri të jashtëzakonshme shpërfaqet malli, si pluhur i mbetur ndër gishta.

(Shkrimi fillimisht është publikuar në revistën “Pro Kultura”, 2004)

Të fundit