E shtunë, 18 Maj, 2024

“LEGIJA ËSHTË ZEMRA E SERBISË”

Udbashësht dhe avokatët e UDB-së shëtisin nëpër frkuencat kombëtare çdo ditë dhe çdo natë dhe glorifikohen ata të dënuarit nga e gjithë bota, nxisin urrejtje dhe bëjnë thirrje për konflikte me fqinjët për të përsëritur të keqen pa të cilën nuk mund të jetojnë sepse ky është kodi i tyre gjenetik.

Sot sërish është i nevojshëm Legija dhe beretat e tij gjakatare për mësymje të reja luftarake në paralajmërim, dhe nga kjo rrjedh historia për të, për të drejtat e tij në burg dhe teket e tij të dashurisë, për ta mbuluar sekretin publik se ai ka dy vjet që është i lirë, thonë disa udbashë, i liruar për të përgatitur beteja të reja të Kosovës.

Shkruan: Danica Drashkoviq*

Nuk ka kaluar shumë kohë nga ndryshimi në postin e kryetarit të Gjykatës së Lartë në Beograd, dhe tashmë në Zabelë (burg në Serbi – sqarimi i kdp) ka një aksion të ri të Legisë që me grevë urie të arrijë takime dashurie dhe transferim në një burg më të lehtë. Deri tani ka pasur më shumë veprime të ngjashme, por nuk ia ka dalë, ndaj shpreson te kryetari i ri i Gjykatës së Lartë, ndoshta me të drejtë.

Hë, erdhi dhe majori Fiqa nga Kina, dhe shërbimi po vepron rigorozisht me plan, si GRU, për të mbrojtur shokët e vetë vrasës. Nga vilat luksoze në Deliblatska Peshçarë dhe në Frushka Gorë, ai komandon me strategji. Kështu, të gjithë të akuzuarit për vrasjen e Slavko Quruvijsë (gazetar i njohur serb- sqarim i kdp) u liruan pa vendim.

Aktgjykimi është lirues dhe pritet një moment i përshtatshëm që të shpallet. Është ndërprerë plotësisht edhe hetimi për pushkatimin e serbëve në kafenenë “Panda” në Pejë në vitin 1998.

Prandaj, aspak rastësisht, tani terroristi shtetëror dhe vrasësi serial, kolonel i UDB-së dhe komandant i Beretave të Kuqe, Legija, është sërish temë e të gjitha mediave udbashe dhe shtetërore.

Nga ballinat ai kërkon të transferohet në një burg më të lehtë dhe  që me gruan e tij të bëj fëmijë mbi grumbullin e kufomave që la pas. Tabloidët e bëjnë hero, hero të orgjisë vrastare serbe në luftërat e viteve nëntëdhjetë, të cilat, siç duket, me kënaqësi do t’i përsërisnin bashkë me të.

Për ata që kanë lindur pas luftërave, për të gjithë ata që kanë harruar pse ky përbindësh është në burg, le të rikujtojmë.

Ai vrau vëllain tim dhe tre të rinj të tjerë në autostradën e Ibrit, u dënua me 40 vjet burg.

Ai vrau Ivan Stamboliqin, ish-presidentin e Serbisë, u dënua me 40 vjet burg.

Ai vrau kryeministrin e Serbisë, Zoran Gjingjiq, u dënua me 40 vjet burg.

Ai me Klanin e Zemunit vrau 17 persona dhe organizoi katër rrëmbime dhe dy sulme terroriste, u dënua me 40 vjet të tjera burg.

Gjithsej 160 vjet.

E, për fat të keq, nuk u dënua edhe për shumë krime të tmerrshme që ndodhën derisa ishte pjesë e UDB-së serbe.

Për vrasjen e gjyqtarit Nebojsha Simeunoviq.

Për vrasjen e 68 anëtarëve të familjes Jashari në Kosovë, në Drenicë.

Për terrorin ndaj shqiptarëve, për grabitje, dëbime nga shtëpitë.

Nuk u dënua për vrasjen e gjashtë të rinjve, serbë, në kafenenë “Panda” në Pejë, për vrasjen e vëllezërve Bytyqi, shtetas amerikanë, për frigoriferët me kufomat e shqiptarëve të vrarë që i transferuan në Serbi dhe i fundosën në liqene për të fshehur krimet, për bartjen e kufomave të shqiptarëve të vrarë  dhe groposjen e tyre në poligonin policor në Batajnicë, vrasjen dhe plaçkitjen e popullit dhe të bankave nëpër Kroaci, Bosnje, me Tigrat e Zheljko Razhnatoviqit dhe kushedi sa krime të tjera në gjithë ish-Jugosllavinë.

Duhet të pyesim veten se sa komb i sëmurë jemi kur shkruhet çfarëdo qoftë për një vrasës të tillë serial dhe diskutohet për të drejtat e tij për dashuri dhe të tjera në burg, të cilat nuk i janë mohuar, por i ka gëzuar në mënyrë të jashtëligjshme, përkundër rregullave që vlejnë për të burgosurit e tjerë. Madje në atë burg pa të drejta të njeriut ai ka botuar 22 libra.

Dhe kujt duhet t’i drejtohen fëmijët dhe familjet e shumta të njerëzve që ai i vrau? Si të mbrohen të drejtat e rrezikuara me arrogancë të atyre fëmijëve që rriten dhe jetojnë pa prindër, pa punë dhe pa asnjë përkujdesje të shtetit i cili i bëri skamnorë, dhe të drejtat e rrezikuara të grave, të të vejave të tyre, për të cilat askush nuk përkujdeset dhe nuk ua zgjidh problemet. Ato familje si viktima të terrorizmit shtetëror janë edhe sot të izoluara sepse janë dëshmitarë të padëshiruar të krimeve të tmerrshme të shtetit.

Le të imagjinojmë nëse në cilindo shtet të botës së qytetëruar sot një vrasës dhe terrorist i tillë do të ishte temë e emisioneve televizive dhe tabloideve. Natyrisht se jo, do të merrte dënim të përjetshëm dhe do të ishte në burgun më të rreptë, i harruar nga të gjithë si turpi i kombit.

Mirëpo, ajo që është turp për popujt dhe shtetet e qytetëruara, në Serbi, vendin e UDB-së dhe traditës së krimeve, është krenaria.

Madhërohen kriminelët e luftës të dënuar në Hagë, terroristët shtetërorë, vrasësit dhe kriminelët. /Viktimat askush nuk i vajton dhe nuk i përmend, nënkuptohet vrasja si një veprimtari dhe politikë e përhershme dhe e adoptuar shtetërore.

Udbashësht dhe avokatët e UDB-së shëtisin nëpër frekuencat kombëtare çdo ditë dhe çdo natë dhe glorifikohen ata të dënuarit nga e gjithë bota, nxisin urrejtje dhe bëjnë thirrje për konflikte me fqinjët për të përsëritur të keqen pa të cilën nuk mund të jetojnë sepse ky është kodi i tyre gjenetik.

Sot sërish është i nevojshëm Legija dhe beretat e tij gjakatare për mësymje  të reja luftarake në paralajmërim, dhe nga kjo rrjedh historia për të, për të drejtat e tij në burg dhe teket e tij të dashurisë, për ta mbuluar sekretin publik se ai ka dy vjet që është i lirë, thonë disa udbashë, i liruar për të përgatitur beteja të reja të Kosovës.

Për vrasjet e reja duhet një njeri që vrau një president shteti, një kryeministër dhe qindra njerëz, që të mund gjithë këtë ta përsëris lehtësisht dhe me mjeshtëri, sipas nevojës së UDB-së dhe strategjisë së saj për të sunduar me frikë, duke vrarë dhe grumbulluar fatkeqësi prej vitesh e dekadash në këtë vend të zënë rob.

Kur strategjia shtetërore dektis në vitet e tmerrshme nëntëdhjetë, Legjija imponohet si një hero dhe patriot e jo si një terrorist shtetëror dhe vrasës mizor. Sikur UDB-së serbo-ruse të mos i duhej Legija dhe duart dhe veprat e tij të përgjakura, nuk do të kishte diskutime të përditshme të lakejve të UDB-së për të drejtat e njeriut të vrasësve shtetëror.

*Autorja është bashkëshorte e Vuk Drashkoviqit, ish- ministër i Jashtëm i Jugosllavisë (Serbi&Mali i Zi) dhe kryetar i Lëvizjes Serbe të Përtëritjes si dhe motër e Veselin Boshkoviqit, një prej të vrarëve në atentatin në autostradën e Ibrit në vitin 1999. Shkrimi është botuar në danas.rs. Përktheu kdp.mk

 

Të fundit