E shtunë, 18 Maj, 2024

LIDHJA ME SHËRBIMET SOVJETIKE – E DOMOSDOSHME

Milovan Gjilas (1911 -1995) është disidenti më i njohur jugosllav nga koha e Titos. Ai, në fillim të viteve pesëdhjetë të shekullit të kaluar, ishte funksionari i parë i lartë që braktisi partinë komuniste në kohën kur ajo ishte në shkëlqimin e vet të plotë. Në procese gjyqësore, pa praninë e publikut dhe të gazetarëve,u dënua tri herë për “propagandë armiqësore”. Ai është llogaritur ndër bashkëpunëtorët më të afërt të regjimit të Titos të cilin nuk ka nguruar ta kritikojë edhe në shtypin jugosllav të kohës, derisa ishte në pushtet, dhe atë ndërkombëtar. Është autor i disa analizave që hedhin dritë mbi zhvillimet në marrëdhëniet në të ashtuquajturin kam socialist. Për shkak të librit “Bisedat me Stalinin” qe dënuar me disa vite burg. Në një dorëshkrim tjetër, “Pushteti”, ai merret edhe dëshmi për marrëdhëniet jugosllavo-sovjetike e sidomos  me ato jugosllavo-shqiptare. KDP në disa vazhdime do t’ju sjellë thekse që e ndriçojnë këtë periudhë të errët të historisë, aktuale sot e kësaj dite.

…vazhdon

Theksoj – që lexuesi të mos jetë në lajthitje për qëllimet e mia në shpalosjen e  këtyre detajeve – lidhja me shërbimet sovjetike për partinë, veçanërisht atë ilegale, ishte e domosdoshme edhe për arsye organizative, kurse lidhje e disa anëtarëve të partisë me shërbimet sovjetike konsiderohej mirënjohje, madje edhe  nder, dhe rritte ndjeshëm prestigjin. Tito nuk u bë skllav i një lidhjeje të tillë, e as i nderimeve me të cilat e mbulonte udhëheqja sovjetike, sado që ato i pëlqenin. Paralelisht dhe pa shkëputur nga presioni dhe nënshtrimi sovjetik, konflikti midis Jugosllavisë dhe Bashkimit Sovjetik nisi dhe u intensifikua edhe për shkak të ndikimit dhe prestigjit në vendet e “demokracisë popullore” të Evropës Lindore. Ishte, të paktën në fillim, një mospërputhje dhe fërkim mes revolucionit të ri, pretencioz dhe ende të paburokratizuar të një vendi të vogël e të pazhvilluar dhe një superfuqie të stabilizuar dhe të vetëdijshme për rolin e saj “historik” perandorak.

Epo, nëse edhe aspiratat tona më ideale fillestare ndaj atyre vendeve ngërthenin në vete edhe një shtytje drejt një lloj hegjemonie, të paktën ideologjike – dhe a nuk përmban çdo politikë bërthama të këtilla qoftë edhe të pavetëdijshme  – aspiratat sovjetike u mbuluan me vetëdije,  me plan hegjemonist, vetëm dhe  sipërfaqësisht me ideologjinë tashmë të kodifikuar dhe të dukshme. Në grupin e afërt, më të ngushtë rreth Titos, nuk kishte mosmarrëveshje as ndaj “demokracive popullore” dhe as ndaj Bashkimit Sovjetik. Edhe nëse ka pasur dallime, të parëndësishme, ato vinin nga stili personal ose nga pikëpamje pak a shumë të idealizuara. Por kjo nuk do të thotë se qëndrimet e udhëheqjes ndaj të gjitha vendeve të “demokracisë popullore” ishin të njëjta ose të skematizuara. Të gjithë pajtoheshim se ato marrëdhënie duhet të jenë të përzemërta dhe të hapura. Por dallimet në ato vende dhe strukturën e tyre edhe në aspiratat e tyre të ndrydhura, na imponuan edhe neve qasje të ndryshme. Sidomos në raport me dy fqinjët tanë, Shqipërinë dhe Bullgarinë, me të cilët na lidhnin shumë konflikte të kaluara dhe beteja të përbashkëta, e aq më tepër, ngatërresa etnike dhe rivaliteti i trashëguar shtetëror.

Që në maj të vitit 1945, gjatë vizitës sime në Shqipëri, pas qëndrimit në Mal të Zi, vura re edhe nuanca në udhëheqjen tonë dhe trajtimin e Shqipërisë. Vizita ime ishte gjysmë zyrtare dhe në atë kohë asgjë midis regjimeve të reja nuk ishte rreptësisht protokollare. Shqiptarët më pritën përzemërsisht dhe me një vëmendje më të theksuar, sepse e dinin se vija me vendim të Byrosë Politike dhe se jam bashkëpunëtor i ngushtë i Titos që nga periudha e paraluftës. Udhëtova nga Ulqini nëpër një rrugë të keqe ushtarake dhe me një ngazëllim të përmbajtur, kureshtar. Një vend i huaj, por pjesërisht edhe historia ime! Mbase për këtë arsye, por  që në shoqërim me mikpritësit shqiptarë, nuk mund të rezistoja të mos ndalem në urën e improvizuar mbi Bunë. Me këtë lum poezia jonë popullore mori zë dhe u prarua, dhe nuk munda të rezistoj së kundruari kodrat djerrë përreth Shkodrës dhe të pyesja për Bardanjoltin; Kodrën ku disa mijëra malazezë humbën jetën në betejat e fundit, të pakuptimta dhe të kota kundër Perandorisë Turke në 1912 dhe 1913. Por Shkodra, ndonëse me gjallërinë e ruajtur të jetës ballkanike, plot ngjyra, në dukje kaotike, prapëseprapë për mua ishte një zhgënjim pikërisht sepse nuk ishte ai qyteti më i mrekullueshëm, më i magjepsur nga poezia jonë kombëtare.

Të njëjtën ditë, pas një dreke festive në sallën më të mirë të kafenesë e cila për shkak të hapësirës së saj më dukej aq e ulët sa ndjeva siklet duke qëndruar në këmbë, vazhdova për në Tiranë. Dhe, që gjatë këtij udhëtimi të shkurtër, vura re – shqiptarët e partisë me kënaqësi e konfirmuan – se pushtimi afatshkurtër italian i vitit 1939 ishte një nga ato aventurat e çmendura që i kushtuan shtrenjtë vet okupatorëve: rruga Shkodër-Tiranë ishte e asfaltuar. Për të “tejkaluar” ndërgjegjen represive “primitive”, patriarkale me “kulturë romake” dhe për ta aftësuar Shqipërinë për eksploatim e kolonizim, Duçes iu desh të ndërtonte dhe investonte. E ardhmja e mashtroi, aq më tepër në mënyrë të papritur, sepse ai e konsideronte veten interpretues dhe krijues të saj.

Në Tiranë përshtypja ime u plotësua me njëfarë “leverdie” nga pushtimi italian. Qendra ishte ndërtuar nga fillimi dhe me një subtilitet tipik për arkitekturën italiane. Në Shqipëri ende kishte disa mijëra punëtorë italianë të cilët qeveria shqiptare – me gjithë konsistencën ideo-kombëtare – nuk mundi t’i dëbonte ende, për shkak të prodhimtarisë. Do të thoja se ishin shqiptarët që rrokën armët, nën udhëheqjen e komunistëve, më shumë nga krenaria dhe jopatriotizmi i shtresave të larta, bejlerëve dhe tregtarëve, sesa për grabitje dhe shtypje të huaj.

Vështirë  përshtatem me njerëzit dhe zonat e reja. Zënia me mbledhje dhe vizita, duhet të më lodhin dhe të më qetësojnë, por vetëm më shtojnë tensionin dhe pagjumësinë. Kështu edhe në Tiranë, atëherë kur kisha shumë punë. Duhej të njihem me shumicën e prijësve, të asistoj në drekë-darka të merrja pjesë në takime pune.

Përzgjodhi dhe përktheu: Seladin Xhezairi

Nesër lexoni: Kishte bisedime që fillimisht Shqipëria t’i bashkohej Jugosllavisë e më pas Shqipërisë t’i bashkangjitej Kosova!

Të fundit