E shtunë, 18 Maj, 2024

RRËMBIMI I POLICËVE NË KOSOVË, REAGOJNË PARTITË SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT

Partitë politike shqiptare në Shkup kanë reaguar sot lidhur me rrëmbimin e tre policëve në veri të Kosovës, duke e dënuar rastin si akt agresioni nga ana e Serbisë, raporton kdp.mk.

Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, është shprehur thellësisht i shqetësuar për situatën e tensionuar në raportet mes Kosovës dhe Serbisë.

Ai ka dënuar ashpër aktin e kidnapimit të policëve të Kosovës sot nga forcat speciale të Serbisë dhe ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të tyre.

“Pala serbe duhet t’i ndalojë provokimet menjëherë dhe të dyja palët të ulen urgjentisht në tavolinën e bisedimeve dhe me ndërmjetësimin e aleatëve tanë, bashkësisë euro-amerikane, t’i japin fund kontestit shumëvjeçar përmes njohjes së ndërsjelltë”, ka thënë Ahmeti. “Integriteti dhe sovraniteti territorial i Kosovës është i paprekshëm dhe i garantuar nga faktori ndërkombëtar.”

Aleanca për Shqiptarët (ASH) poashtu ka dënuar ashpër “rrëmbimin brenda territorit të Republikës së Kosovës të tre pjesëtarëve të policisë së Kosovës nga ana e forcave speciale serbe.”

“Ky akt luftënxitës është shkelje e rëndë e sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës”, thuhet në reagimin e ASH-së.

Kjo parti kërkon lirimin e menjëhershëm të efektivëve policorë dhe i bën thirje faktorit ndërkombëtar t’i bëjë presion Qeverisë së Serbisë në këtë drejtim.

“Inkurajojmë palët që të rikthehen në tavolinën e bisedimeve, duke kontribuar në normalizimin e plotë të situatës në Veriun e Kosovës dhe zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja dhe të përkrahur nga SHBA-të.”, thuhet në deklaratën e ASH-së.

Ndryshe, Kryeministri i Kosovës Albin Kurti njoftoi se tre zyrtarë të policisë së Kosovës janë rrëmbyer sot në Leposaviq në vendin ku dikur kishte një rrugë ilegale të kontrabandës e që ndodhet rreth 300 metra në brendësi të territorit të shtetit kosovar.

“Dyshojmë që ata janë rrëmbyer nga ushtria e Serbisë, qartazi si hakmarrje e Serbisë për arrestimin e djeshëm të kriminelit famëkeq Millun Millenkoviq – Lune, i cili paraqet një ndër krerët e krimit të organizuar dhe kontrabandës”, ka thënë Kurti. “Policia e Kosovës është treguar tejet e vetëpërmbajtur këto javët e fundit. Hyrja e forcave të Serbisë në territorin e Kosovës është agresion dhe synim për eskalim dhe destabilizim.”

Ai ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të tre zyrtarëve të rrëmbyer policor dhe ka ftuar faktorët ndërkombëtarë që të “dënojnë këtë akt agresioni të Serbisë”.

 

Tani është koha të ndërmerren veprime që të ruhet paqja, stabiliteti rajonal dhe perspektiva jonë europiane.

Të fundit