E shtunë, 18 Maj, 2024

QEVERI EU-KRATIKE PËR LËVIZJE TË SHPEJTË DREJT INTEGRIMIT

Të gjitha partitë politike të dakordohen për krijimin e një qeverie ekspertësh të pavarur, të propozuar nga partitë politike dhe që janë të njohur për opinion, me eksperiencë dhe suksese të dëshmuara, natyrisht duke marrë propozime edhe nga partnerët ndërkombëtar dhe nga shoqëria civile. Kjo qeveri do të ketë vetëm një agjendë, procesin dhe reformat që ndërlidhen me Eurointegrimit, duke anashkaluar agjendat partiake dhe ideologjike deri në afatin e rregullt të zgjedhjeve parlamentare.

Shkruan: Sefer Selimi Jr.

Tani që skena u hap për negociata mes partive politike për të arritur deri te ndryshimet kushtetuese me qëllim të vazhdimit të plotë dhe pa pengesa të integrimit në Bashkimin Evropian, partitë politike pritet që ditët në vazhdim të krijojnë më shumë paqartësi, deklarata dykuptimshme dhe lëvizje të vazhdueshme të poleve ekstreme të kërkesave me qëllim që të nxjerrin sa më shumë nga ky proces. Ajo që mbetet më e rëndësishme nga situata e tanishme është pranimi de fakto i VMRO DPMNE-së se ndryshimet kushtetuese nuk janë kundër interesave të maqedonasve etnik, por  thjeshtë bëhet fjalë për çështje mënyrash, mjetesh dhe interesash partiake për të arritur deri te ato.

I bindur që kërkesa për përfshirje në qeveri, posaçërisht duke përjashtuar BDI-në nga e njëjta, nuk do të pranohet nga shumica qeveritare, kryetari i VMRO DPMNE-së e hodhi dorashkën e sfidës në pres konferencë duke e propozuar këtë formulë si një nga dy kërkesat maksimaliste në këmbim të shumicë nga 2/3 e deputetëve e nevojshëm për ndryshimet kushtetuese. I shpejtë dhe i befasishëm ishte reagimi i BDI-së që shprehu gatishmërinë për të lëshuar vullnetarisht shumicën, një veprim i mirëkalkuluar dhe që e vendosi në pozitë të palakmueshme Mickovskin. Por të analizojmë në mënyrë hipotetike se si mund të funksionojë kjo.

Nisur nga 3 përvojat e kaluara të qeverive teknike që erdhën sipas formulës së Përzhinos, një qeveri teknike mes VMRO DPMNE-së dhe LSDM-së nuk mund të funksionojë. Kjo do të sjell ngërç në të gjitha proceset dhe mirëfunksionimin e sistemit qeverisës, i cili edhe ashtu është i plogësht dhe me shumë probleme. Pjesëmarrja në qeveri do të nxis një garë akuzash dhe lufte brenda të njëjtës dhe për shpejt kohë do të humbet fokusi dhe do të devijohet nga qëllimi për të cilin është formuar, duke e bërë gati të pamundur të realizojë programin për të cilin do të krijohet, atë me fokus primar EU integrimet. Prandaj unë mendoj që do të ishte më e udhës të kemi këtë proces dhe rrjedhë të ngjarjeve:

  1. Ndryshimet kushtetuese përfundojnë në fund të tetorit dhe hynë në fuqi me hapjen formale të Klasterit të parë të negociatave. Ato mbështeten nga të gjitha partitë politike dhe deputetët e parlamentit të RMV-së.
  2. Qeveri EU-kratike – Të gjitha partitë politike të dakordohen për krijimin e një qeverie ekspertësh të pavarur, të propozuar nga partitë politike dhe që janë të njohur për opinion, me eksperiencë dhe suksese të dëshmuara, natyrisht duke marrë propozime edhe nga partnerët ndërkombëtar dhe nga shoqëria civile. Kjo qeveri do të ketë vetëm 1 agjendë, procesin dhe reformat që ndërlidhen me Eurointegrimit, duke anashkaluar agjendat partiake dhe ideologjike deri në afatin e rregullt të zgjedhjeve parlamentare. Kjo do të ndihmoj edhe në ndryshimin e Ligjit për qeveri për të hequr qeverinë teknike 100 ditëshe që ka për mandat organizimin e zgjedhjeve. Kjo qeveri do të sigurojë që agjenda evropiane të jetë kryefjala e zgjedhjeve të ardhshme por edhe të krijojë një strategji të qartë e të fortë për qeverinë pasuese, duke krijuar një shteg të pakthyeshëm drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

Kjo do të kënaqte kërkesat e të gjitha palëve, përfshirë edhe atë të VMRO DPMNE-së për qeveri pa BDI-në dhe kështu do të hidhej një hap jetik për të evituar bllokimin e procesit integrues duke e futur vendin edhe në një dekadë tjetër paqartësish dhe jostabiliteti politik. Është e udhës që partitë politike të sillen me përgjegjësi dhe të vendosin interesin e qytetarëve para interesave të ngushta personale, klanore apo partiake. Presioni i krijuar nga lufta në Ukrainë është një mundësi që hap shumë shtigje dhe jo të gjitha janë të mira apo në interes të qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, por njëri prej tyre është edhe lëvizje e shpejtë dhe më e sigurt se kurrë më parë drejt Bashkimit Evropian, dhe kjo nuk duhet të humbet për asnjë pazar politik.

Të fundit