E premte, 26 Prill, 2024

NIS TAKIMI I SHUMËPRITUR KOVAÇEVSKI-MICKOSKI

Në Klubin e Deputetëve ka nisur takimi mes Kryeministrit dhe lider i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski, dhe kryetarit të opozitares VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski. Dy udhëheqësit ulen përballë njëri-tjetrit me qëndrime të kundërta lidhur me ndryshimet kushtetuese, çështje kjo e cila duhet të jetë kryefjala e këtij takimi të liderëve të dy forcave kryesore politike në vend, njofton kdp.mk.

Shkruan: Enis Shaqiri

Siç është saktësuar zyrtarisht nga Qeveria, në takim do të diskutohet para së gjithash për vendimet që duhet të merren në Kuvend me qëllim të çuarjes përpara të procesit të integrimit evropian të vendit, si dhe për qasjen e shtetit, institucioneve dhe të gjithë aktorëve politikë për zhvillimin dhe kultivimin e marrëdhënieve të fqinjësisë me fqinjët.

Për momentin është vështirë të parashikohet epilogu i takimit Kovaçevski-Mickoski për shkak se para fillimit të tij, LSDM-ja dhe VMRO-DPMNE-ja dolën me qëndrime që nuk ushqejnë optimizëm:

Pas mbledhjes së Komitetit Ekzekutiv të VMRO-DPMNE-së, Timço Mucunski bëri të ditur qëndrimin e opozitës se ndryshime kushtetuese në këto rretha nuk duhet të ketë:

Duke u nisur nga interesat kombëtare dhe shtetërore dhe duke mbajtur mendimin e shumicës dërrmuese të qytetarëve në vend, nuk duhet të ketë ndryshime kushtetuese nën diktat dhe në rrethana shkatërruese për Maqedoninë”, – ka deklaruar Mucunski duke riafirmuar qëndrimin e opozitës për zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Çështja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare do të duhet të jetë një nga temat që do të diskutohet mes dy liderëve,” – ka thënë Mucunski.

Qëndrimi i socialdemokratëve në pushtet është i kundërt:

Vendi ynë, populli ynë po përballet me një shans historik për të vazhduar rrugën evropiane, me synimin për anëtarësim të plotë në BE më së voni deri në vitin 2030. Tani duhet ta shfrytëzojmë atë mundësi, të shfrytëzojmë mbështetjen e fortë dhe konkrete nga aleatët tanë në BE dhe nga partneri ynë strategjik SHBA,”- thuhet në kumtesën e  LSDM-së në të cilën opozitës i bëhet thirrje të përballet me “përgjegjësinë e saj për arritjen e objektivit strategjik të anëtarësimit në BE”:

Është koha që Mickoski dhe të gjithë të tjerët në VMRO-DPMNE të përballen me përgjegjësinë e tyre që të kemi mundësi të marrim një vendim të rëndësishëm për të ardhmen e vendit dhe atë së bashku. Vota për Evropën në Parlamentin e Maqedonisë është votë për të ardhmen evropiane. Ne do të arrijmë bashkimin më të mirë kombëtar maqedonas nëse të gjitha partitë kryesore votojnë për ndryshimet kushtetuese dhe hapin rrugën drejt BE-së,”- paralajmërojnë nga LSDM-ja.

Ndërkaq, ministri i Jashtëm dhe Zëdhënës i BDI-së, Bujar Osmani, në një intervistë për TV Telma tha mbrëmë se opozita përfundimisht duhet të përfshihet në procesin e integrimit të vendit në BE dhe të marrë pjesë në marrjen e vendimeve historike për të ardhmen e qytetarëve:

Mendoj se ky është shansi i fundit që opozita, të paktën në një moment të rëndësishëm historik, të jetë pjesë e vendimmarrjes e jo të ikë anash dhe pastaj të ankohet se të tjerët i kanë zgjidhur keq çështjet. Sepse nëse nuk merrni pjesë vetë, dikush tjetër do t’ua zgjidhë çështjet, shteti nuk mund të mbetet me probleme të hapura,”- citon kdp.mk deklaratën e Osmanit për Televizionin Telma.

Të fundit