E enjte, 25 Prill, 2024

ESCOBAR NGA BEOGRADI: ASOCIACIONI DUHET TË BËHET, NË TË KUNDËRTËN…

I dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar ka deklaruar në Beograd se sfida më e madhe për Serbinë është të bindë serbët e Kosovës që të kthehen në institucione dhe serbët e Kosovës duhet të marrin pjesë në zgjedhjet lokale në veri të Kosovës, pa parakushte, – raporton kdp.mk duke iu referuar njoftimeve të medias serbe.

“Duhet të sigurojmë që ata që marrin pjesë në zgjedhje dhe kthehen në institucione të jenë të mirëpritur,”- citohet të ketë thënë Escobar në një bisedë me një grup gazetarësh në Bograd.

Escobar, i cili së bashku me përfaqësuesin special të BE-së për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Miroslav Lajçak, dy ditët e kaluara bisedoi me zyrtarë në Prishtinë dhe Beograd, tha se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, premtoi se do të ndikojë që serbët e Kosovës të dalinj në zgjedhjet e reja për katër komunat në veri të Kosovës.

“Shpresojmë që kryetarët (shqiptarë) të mos i shfrytëzojnë ndërtesat komunale, që policia e Kosovës të tërhiqet dhe që protestuesit të largohen nga zona”, tha Escobar.

I pyetur se cilat do të jenë pasojat për Prishtinën nëse nuk e pranon propozimin evropian për zgjidhjen e krizës në veri të Kosovës, Escobar tha se mospranimi  do të ishte “t’ia kthesh shpinën Evropës”.

“Nëse nuk pranojnë, do të thotë se largohen nga partneriteti euroatlantik”,- ka paralajmëruar diplomati amerikan.

Sipas agjencisë serbe  të lajmeve Beta, Gabriel Escobar ka thënë se formimi i Bashkësisë së Komunave Serbe është juridikisht i detyrueshëm për Qeverinë e Kosovës dhe ajo duhet të formohet – me këtë apo ndonjë qeveri të ardhshme,- pohohet të ketë thënë ai.

“Ajo është në Marrëveshjen e Brukselit, në Marrëveshjen e Ohrit, nuk është marrëveshje e Kurtit dhe Serbisë, por e Kosovës dhe Serbisë. Nëse Kosova dëshiron të bëjë progres në integrimet evropiane, duhet ta formojë Bashkësinë e Komunave Serbe, çështja është nëse do të bëhet kjo me këtë qeveri apo me ndonjë qeveri të ardhshme”,- ka deklaruar Escobar.

Të fundit