E hënë, 20 Maj, 2024

SHQIPËRIA MIRËPRET STËRVITJEN MË TË MADHE USHTARAKE NË EVROPË-“DEFENDER EUROPE 2023”

Shqipëria për herë të dytë është bërë vend-pritës i stërvitjes së përbashkët shumëkombëshe, nën drejtimin e Komandës Europiane të Shteteve të Bashkuara të Amerikës “Defender Europe“.

Në këtë stërvitje marrin pjesë 24 mijë trupa ushtarake shqiptare, evropiane dhe amerikane.

Në ceremoninën e hapjes së stërvitjes në sheshin “Nënë Tereza” në Tiranë, paraditen e së hënës, ishin të pranishëm personalitete të larta të shtetit dhe ushtrisë shqiptare,

Presidsenti i Shqipërisë Bajram Begaj tha se rëndësia e kësaj stërvitjeje është më e prekshme se kurrë dhe se vazhdueshmëria e kësaj manovre ushtarake është mëse e nevojshme për rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Shqipëria është e përkushtuar në misionin e saj si faktor stabilizues ne Ballkan dhe eksportuese e sigurisë në rajon e më gjerë“, theksoi presidenti.

Ndërsa kryeministri Edi Rama tha se Shqipëria është e privilegjuar që është mikëpritëse e kësaj stërvitjeje për herë të dytë.

Shqipëria ka nderin të presë për herë të dytë stërvitjen më të madhe ushtarake në Evropë. Ky është një privilegj i posaçëm për Forcat tona të Armatosura, që janë pritëse dhe pjesëmarrëse. Për herë të dytë kjo stërvitje vë në pah përmirësimin e vazhdueshëm të kapaciteteve tona ushtarake falë edhe mbështetjes së aleatëve tanë amerikanë dhe të tjerë të vendeve të NATO”, tha Rama.

Ai shtoi se “Shqipëria nuk ka qenë kurrë më lart në nivelin e respektit ndërkombëtar, sot e ulur në tryezën e këshillit të sigurimit krah për krah SHBA si bashkëpenëmbajtëse për çështjen e Ukrainës. Kjo gjithashtu merr një profil dhe rol që jo vetëm e ngarkon me përgjegjësi të jashtëzakonshme por e vë në duke se çfarë pjekurie ka rritur vendi ynë”, tha Rama.

Nga ana tjetër Ambasadorja amerikane tha se kjo stërvitje tregon se SHBA, së bashku me vendet aleate, mund të kryejnë çdo mision.

Në dy vite që prej Defender 2021, bota ka ndryshuar, Shqipëria dhe aleatët tanë të NATO-s janë më të bashkuar dhe më të fortë se kurrë. Nuk mund të mos kujtoj fjalët e Skënderbeut, bashkimi bën fuqinë. Që nga Defender 2021, Shqipëria dhe SHBA po bëjnë më shumë se kurrë më parë së bashku. Kemi ngritur dy pranitë e para ushtarake të SHBA-së në historinë e Shqipërisë. Defender 2023 do të na tregojë se së bashku me aleatët dhe partnerët ne mund të kryejmë çdo mision. Jemi krenar që e quajmë Shqipërinë aleate dhe mike“, tha Yuri Kim.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, Arben Kingji, deklaroi se autoritetet synojnë një stërvitje sa më të suksesshme gjatë Defender Europe 2023 në vendin tonë.

Kjo stërvitje është vetëm njëra prej elementëve të bashkëpunimit me aleatin tonë strategjik. Garda Multinacionale e Jugut është gjithashtu strukturë në të cilën janë angazhuar trupa nga Republika e Kosovës, Kroacia, Sllovenia dhe Rumania”, theksoi në përmbyllje Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë.

Sikurse njofton REL, stërvitja e përbashkët shumëkombëshe do të zhvillohet deri më 3 qershor. Në këtë stërvitje  pjesëmarës janë edhe ushtarakë nga 10 vende të ndryshme evropiane dhe nga SHBA-ja.

Për këtë stërvitje janë sjellë 7 mijë pajisje nga SHBA si dhe 13 mijë të tjera që janë nxjerrë nga depot e armatimeve të pozicionuara aktualisht në zonat ku do të kryhet stërvitja, e cila do të zgjasë deri më 2 qershor.

Stërvitja “Defender Europe” është një stërvitje vjetore, shumëkombëshe, e përbashkët në shkallë të gjerë, e drejtuar nga SHBA-të, e krijuar për të ndërtuar gatishmërinë dhe ndërveprueshmërinë midis Shteteve të Bashkuara, NATO-s dhe vendeve partnere.

Stërvitja “Defender 2023” nisi një ditë më parë në Kosovë.

Ndërsa dy vite më parë, Tirana ishte një nga organizatorët e “Defender-Europe 2021”, stërvitja në shkallë të gjerë që përfshinte 30 mijë trupa amerikane dhe forca të NATO-s nga 26 vende, e cila filloi më 4 maj dhe vazhdoi deri në qershor me disa stërvitje të lidhura në të gjithë kontinentin.

Të fundit