E premte, 26 Prill, 2024

ZELENSKY PJESËMARËS NË SAMITIN E G7-ËS

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, ka mbërritur në qytetin japonez, Hiroshima për të marrë pjesë në takimin e nivelit të lartë të G7-ës. Ai gjithashtu zhvilloi disa takime bilaterale me udhëheqësit e shteteve të tjera. Vizita e Presidentit Zelenskyy vjen pas deklaratave të Presidentit amerikan Joe Biden, i cili në takimin e G7-ës të premten, tha se SHBA-ja do të ndihmojë në trajnimin e pilotëve ukrainas për avionët luftarakë F-16, duke qenë se Ukraina dëshiron të forcojë kapacitetin e saj ajror në konfrontimin me Rusinë, raporton Zëri i Amerikës, përcjell KDP.MK

Presidenti i Ukrainës Zelensky ka zhvilluar takime dypalëshe me udhëheqësit botërorë që po marrin pjesë në takimin e nivelit të lartë të shtatë vendeve më të zhvilluara të botës.

“Ne jemi me ju dhe do të jemi me ju deri në fund. Të jeni të sigurt për këtë”, tha presidenti francez Macron gjatë takimit me zotin Zelensky.

Vizita e presidentit ukrainas në Japoni vjen pasi Presidenti Joe Biden informoi udhëheqësit e G7-ës të premten se Uashingtoni mbështet programin e përbashkët të trajnimit për pilotët ukrainas në avionët luftarakë amerikanë F-16.

“Folëm shumë për koalicionin e ardhshëm të avionëve dhe dua të falënderoj ju dhe të gjithë partnerët për këtë vendim, për misionet stërvitore pasi kjo vërtetë është shumë e rëndësishme”, tha udhëheqësi ukrainas Zelenskyy.

Agjencitë e lajmeve raportojnë se trajnimi me gjasë do të zhvillohet në Evropë, dhe pritet të fillojë pas disa javësh.

Kujtojmë se udhëheqësit e demokracive më të fuqishme të botës, të premten, u zotuan të shtojnë masat ndëshkimore ndaj Rusisë për sulmin e saj në Ukrainë, duke zgjeruar sanksionet ndaj sektorëve të mëtejshëm të ekonomisë.

“Do t’i vendosim kufizime tregtisë me diamantët rusë. Diamantët rusë nuk do të rrojnë përgjithmonë”, tha Charles Michel, President i Këshillit Evropian.

Presidenti Volodymyr Zelenskyy i Ukrainës, një vend jo-anëtar i G7, ka vendosur të marrë pjesë në takimin e nivelit të lartë të G7 pas kthimit të tij nga Takimi i Lidhjes Arabe në Xhedah të Arabisë Saudite.

Ndërsa vende të tjera jo anëtare të ftuar përfshijnë krerët e Indonezisë, Koresë së Jugut, Vietnamit dhe Brazilit, pasi mikpritësi i takimit, kryeministri japonez dëshiron që vendimet të përfshijnë edhe përkrahjen e shteteve të hemisferës jugore.

“Ata e kanë kuptuar se kjo nuk mund të jetë vetëm një bisedë e ngushtë e G-7-ës për vendosje e sanksioneve ndaj Rusisë, por duhet të jetë një bisedë më e gjerë mbi pasojat globale të agresionit të Rusisë”, thotë Sheila Smith, eksperte për Japoninë tek Këshilli për Marrëdhniet me Jashtë.

Të fundit