E premte, 26 Prill, 2024

GJËRAT QË DUA T’I THEM!

Dua të them se asnjë ndryshim nuk mund të vijë nga asgjëja, sikurse që asnjë dëshpërim dhe depresion shoqëror nuk vjen nga ndonjë entitet tjetër jashtë nesh. Ne mund të akuzojmë gjithsecilin, por pa e drejtuar gishtin kah vetja jonë nuk do të arrijmë që të krijojmë një vetëdije tjetër korrigjuese që shëron pandërprerë plagët e shoqërisë sonë që janë të shumta. Ne mund të shajmë, të fyejmë, të godasim këdo që na del përpara, por çapi i parë i mbrothësisë vjen nga vetëdija e thellë kritike, nga përndritja humane që kërkon zgjidhje në gjithë atë totalitet plural shoqëror që është aty pranë nesh diku dhe që kërkon një latim kulturore dhe qytetërues. Ne mund të mbështillemi me lloj-lloj pardesysh totalitare, por çapi i parë i mbrothësisë vjen nga kultivimi i individit, nga kultivimi kulturor dhe qytetërues i shpirtit të tij, që e njeh lirinë në të gjitha dimensionet e saj, që e njeh përgjegjësinë në sheshin e jetës së përbashkët, që e njeh dijen si të vetmen rrugë për dekostruim të mashtrimeve, të të gjitha formave të manipulimit.

Shkruan: Bardhyl Zaimi

Duke shëtitur nëpër koncepte dhe duke mbajtur gjithnjë parasysh principet gazetareske shpeshherë padiktueshëm ngufatesh në një mendim të kufizuar që e përjashton vetën e parë njëjës, e përjashton atë që është mendim, esencë, ndjeshmëri, por edhe vlerësim i artikuluar pa shtrëngesat e “objektivitetit” dhe ndërvarësitë e përkujdesjeve tjera.

Në fakt, kur ne përpiqemi që tekstin ta shtrijmë në një kontinutet të papërcaktuar, realisht mbajmë llogari, më saktë, kujdesimi me ankth që të mos keqkuptohemi në dialogun që kërkojmë të vendosim me njerëzit, sepse jemi në një marrëdhënie qytetare që e njeh përgjegjësinë dhe realitetet e aktualitetit, të cilat gjithmonë na kufizojnë dhe përfaqësojnë një rrezik për t’u ngatërruar dhe për ta parë veten në pasqyrën e thyer të militantizmit politik.

Prandaj, gjërat që dua t’i them, dua t’i them ngeshëm, pa këto rëndesa aktualiteti dhe pa rrezikun e kësaj pasqyrë të thyer, që realisht shpërfaqet kurdoherë si një lloj hije persekutuese për ato esenca mendimi që fare nuk kanë të bëjnë me emra, me parti, me individë e grupe të caktuara. Këto esenca mendimi që janë latuar nga një trajektore e gjatë politike, kulturore, sociale dhe etnopsikologjike më tepër kanë të bëjnë me fenomenet e përhershme, të përsëritshme, nganjëherë fatale për shoqërinë shqiptare në Maqedoninë e Veriut.

Dua në pak rreshta, në një formulim të vetëm, të artikuloj dhe të shpërfaq si ide, si horizont pritjeje dhe shndërrim tipologjik mbrothësinë shqiptare, këtë gjakim të përhershëm që gëlon nëpër damarët e gjithsecilit, nëpër vetëdijen më sublime të gjithë atyre njerëzve që kërkojnë një shpëtim, një shpresë brenda një zezone të gjatë të përshkuar nga ulje-ngritje, përndritje dhe errëtime të shumta dhe nga ëndrra e zhgënjime të panumërta.

Dua të them se asnjë ndryshim nuk mund të vijë nga asgjëja, sikurse që asnjë dëshpërim dhe depresion shoqëror nuk vjen nga ndonjë entitet tjetër jashtë nesh. Ne mund të akuzojmë gjithsecilin, por pa e drejtuar gishtin kah vetja jonë nuk do të arrijmë që të krijojmë një vetëdije tjetër korrigjuese që shëron pandërprerë plagët e shoqërisë sonë që janë të shumta. Ne mund të shajmë, të fyejmë, të godasim këdo që na del përpara, por çapi i parë i mbrothësisë vjen nga vetëdija e thellë kritike, nga përndritja humane që kërkon zgjidhje në gjithë atë totalitet plural shoqëror që është aty pranë nesh diku dhe që kërkon një latim kulturore dhe qytetërues. Ne mund të mbështillemi me lloj-lloj pardesysh totalitare, por çapi i parë i mbrothësisë vjen nga kultivimi i individit, nga kultivimi kulturor dhe qytetërues i shpirtit të tij, që e njeh lirinë në të gjitha dimensionet e saj, që e njeh përgjegjësinë në sheshin e jetës së përbashkët, që e njeh dijen si të vetmen rrugë për dekostruim të mashtrimeve, të të gjitha formave të manipulimit.

Dhe sigurisht, në të shumtën e rasteve ne e përsërsim vetveten. Duam të shpalojmë gjërat që i kemi thënë më herët për problemet tona që duket se mbeten të përhershme. Shqiptarët kanë pasur një rrugëtim rrëqethës dhe fatal përgjatë historisë. Mbi ekzistencën shqiptare kanë ndodhur shumë atakime dhe eklipse që kanë pamundësuar një mbrothësi permanente drejt vlerave të mirëqena eurpiane, që si hapësirë historikisht i takojmë. Historikisht kemi qenë nën goditjen e të tjerëve, prandaj është dashur të ndërtohet një gard ndaj tyre për të ruajtur qenësinë shqiptare. Sigurisht, ky fakt nuk e justifikon prirjen që gjithnjë të merremi me tjerët, sepse do të vazhdojmë të mbetemi në rolin e viktimës, që realisht përfaqëson mungesë potence për të vënë gishtin në plagët tona. Këto plagë janë të panumërta dhe kërkojnë një vetanalizë serioze socio-kulturore për t’i identifikuar dhe për t’i shmangur gjatë përpjekjes për ta afirmuar qenien tonë. Gjëja më e lehtë mbetet t’i akuzosh të tjerët për gjendjen tënde. Ne, tashmë duhet të kthemi kah vetja jonë, për t’u përballur pa ekuivoke me defektet tona, me gjithë ato “vrima të zeza” që përthithin energjitë si kolektivitet. Për këtë, na duhet të rigjejmë mendimtarët e viteve 30-ta, të cilët pas krijimit të “Shqipërisë ideale” u vunë të krijojnë “ Shqipërinë reale”. Është pikërisht kjo plejadë mendarësh që trajtuan me aq përkushtim gjithë defektet e shoqërisë shqiptare, me urtësi të pashoq dhe dijeshumë. Ky model kritike shoqërore duhet të kultivohet aktualisht nëse dëshirojmë ta shpëtojmë veten nga vetvetja. Branko Merxhan, Mit’hat Frashëri, Anton Harapi, Vangjel Koça dhe shumë të tjerë mbeten model i trajtimeve shoqërore, i një mendimi shoqëror dhe kulturor par exellence mbi problemet shqiptare që vazhdojnë të na zvetënojnë deri në qaramani kotësie.

Padiskutim që dua pa ngarkesat e aktualitetit të them se çapin e parë të mbrothësisë duhet ta kërkojmë te kultura, te kultura në gjithë gjerësinë e saj, në gjithë ato esenca emancipuese të qenies njerëzore. Duke krijuar një lëvizje kulturore gjithëpërfshirëse, ne mund të afirmojmë qenësinë tonë humane, identitetin tonë, gjithë atë që përfaqëson gjallni dhe përhershëmri në trajektoren e progresit kolektiv, të vizionit dhe interes të përbashkët politik dhe demokratik.

Të fundit