E diel, 19 Maj, 2024

NUK MJAFTOJNË VETËM STRATEGJITË, NEVOJITET VULLNET POLITIK DHE LIDERË TË FUQISHËM REFORMUES

Nëse vazhdohet me grupe të mëdha për zbatim të reformave, të mbushura me ekspertë partiak, siç është rasti tani, edhe strategjia e re nuk do të arrijë të zbatohet me tempin e duhur. Kjo, gjithsesi, do të reflektohet edhe në kohëzgjatjen e procesit të bisedimeve për anëtarësim në BE, që do të thotë largim nga arritja e anëtarësimit të plotë në Union.

Shkruan: Xhelal Neziri

Ashtu siç do të lëvizë drejt integrimit në Bashkimin Evropian (BE), do të bëhet e paevitueshme nevoja që Maqedonia e Veriut të ketë një administratë të aftë për të zbatuar ligjet dhe politikat të lidhura me Unionin. Kjo mund të shihet nga anëtaret më të reja të BE-së, të cilat u detyruan të bëjnë këtë reformë të vështirë me qëllim që të sigurojnë se të gjitha ligjet e harmonizuara do të zbatohen me efikasitet dhe do të japin rezultatet e pritura.

Si veproi Kroacia, anëtari i fundi i BE-së që përmbylli procesin e negociatave në vitin 2013? Fillimisht hartoi një ligj të ri të administratës, i cili kishte për qëllim departizimin e shërbimit civil dhe sigurimin e një transparence më të madhe në përzgjedhjen e të punësuarve, në përshkrimin e vendit të punës dhe në zhvillimin dhe menaxhimin e karrierave. Administrata e Kroacisë ka kaluar nëpër tri faza të ngjashme me atë të Maqedonisë së Veriut: e para është ngritja e saj në periudhën 1990-1993, e dyta përfshin konsolidimin në periudhën 1993-2001 dhe e treta – evropianizimin që përfundoi me anëtarësimin e vendit në BE. Periudha e evropianizimit u zhvillua rrënjësisht në vitin 2008, kur edhe u miratua strategjia e reformimit të administratës në përputhje me kriteret e BE-së. Administrata e institucioneve qendrore kroate në atë 60.500 shërbyes civilë, me 15 ministri,  9 organizata shtetërore dhe 4 zyra nacionale. Në nivel lokal, administrata e komunave ka numëruar 11.000 shërbyes civilë, të angazhuar në 429 komuna, 126 qytete dhe 20 qarqe. Në total, Kroacia ka filluar reformat me 71.500 administratorë, edhe pse është vend më i madh se Maqedonia e Veriut, e cila duhet ta nisë këtë proces me plot 110.000 administratorë. Në nivel lokal Maqedonia e Veriut ka diku 7 mijë administratorë, ndërkohë që të tjerët janë në nivel qendror. Pra, administrata e vendit është diku për 40 mijë më e madhe sesa e Kroacisë në vitin 2008.

Ka edhe një dallim midis Kroacisë dhe Maqedonisë së Veriut: nëse e para ka zbatuar me përpikëri strategjinë e administratës, vendi nuk mund të lavdërohet me një gjë të tillë. Evaluimi i Strategjisë 2018-2022 dëshmon për një “lodhje nga reformat” te institucionet bartëse të zbatimit të tyre. Propozimet për ndryshimet e ligjeve që rregullojnë administratën dhe propozimi për sjelljen e Ligjit për shërbim të lartë udhëheqës vazhdojnë të ngelin të pamiratuara, ndërkohë që zbatimi i ligjeve aktuale ose është formal ose nuk jep rezultatet e pritura.

Në evaluim thuhet se “niveli i kërkuar i transparencës dhe i gjithëpërfshirjes nuk është zbatuar gjatë gjithë procesit të zbatimit të Strategjisë dhe Planit Aksional 2018-2022”. Më tej thuhet se qëllimet e Strategjisë të konsiderohen relevante edhe për Strategjinë e ardhshme, gjë që nënkupton edhe nivelin e ulët të zbatimit të saj. Këshilli i Reformave në Administratën Publike dhe Sekretariati, sipas evaluimit, nuk përdorën kapacitetin e plotë për koordinimin dhe kohezionin e Strategjisë me strategjitë e tjera sektoriale që lidhen me reformat në administratë. Dhe, në fund, theksohet se monitorimi dhe kontrolli i përgjegjësisë institucionale nuk parashikohet në planet e veprimit. Sipas analizës, 12 aktivitete të parealizuara nga Planet Aksionale janë ende relevante dhe se për 28 aktivitete të parealizuara nuk ka burime të mjaftueshme të nevojshme financiare, njerëzore apo materiale. Në evaluim rekomandohet që prioritet në planet aksionale t’u jepet aktiviteteve që do të përmirësojnë ofrimin e shërbimeve, digjitalizimin dhe interoperabilitietin.

Draft Strategjia e re 2023-2030 duket njëjtë ambicioze. Ajo është ende në përgatitje, por do të nevojitet vullnet i fuqishëm dhe konsensus politik për zbatimin e së njëjtës. Për dallim nga strategjia e mëparshme, e cila mbase nuk ishte prioritet për Këshillin për Reforma në Administratën Publike, kjo e fundit do të zbatohet nën llupën e Brukselit dhe në kuadër të procesit të integrimit të vendit në BE.

Megjithatë, qëllimet e strategjisë së re duhet të definohen qartë dhe duhet të jenë në përputhje me kriteret evropiane të shërbimit civil. Së këndejmi, ky dokument duhet të ketë për qëllim rritjen e efikasitetit të administratës, rritjen e cilësisë së shërbimeve, rritjen e ndjeshmërisë së administratës ndaj nevojave të qytetarëve, rritjen e nivelit etik dhe reduktimin e korrupsionit, digjitalizimin e shërbimeve, shtetin ligjor dhe institucionet demokratike.

Mbi të gjitha, Maqedonia e Veriut mund të ndjekë modelin kroat të reformave në administratë, i cili ka disa shembuj të mirë si: bashkëpunimi midis botës akademike dhe institucioneve shtetërore, angazhimi i ekspertëve të njohur në fusha specifike nga shoqëria civile, liderë të fuqishëm reformues dhe parti të dedikuara për reformat. Nëse vazhdohet me grupe të mëdha për zbatim të reformave, të mbushura me ekspertë partiak, siç është rasti tani, edhe strategjia e re nuk do të arrijë të zbatohet me tempin e duhur. Kjo, gjithsesi, do të reflektohet edhe në kohëzgjatjen e procesit të bisedimeve për anëtarësim në BE, që do të thotë largim nga arritja e anëtarësimit të plotë në Union.

 

#демократски_институции #institucione_demokratike #democratic_institutions #CivicaMobilitas

 

 

Të fundit