E enjte, 25 Prill, 2024

RUSIA PROPAGANDON DHE DEZINFORMON, NEVOJITEN VEPRIME KONKRETE MBROJTËSE

Megjithëse propaganda ruse, e cila shpesh si “armë” të saj kryesore e përdor dezinformatën, është agresive dhe tenton të ndikojë ndaj mediave dhe opinionit publik, në Maqedoninë e Veriut, duket se përveç deklarimeve publike, nuk ekziston strategji objektive afatgjate për t’u përballur me këtë fenomen.

Shkruan: Arta Tahiri

Dezinformatat ruse në Maqedoninë e Veriut përhapen në masë të madhe. Rrjetet sociale, së bashku me portalet shërbejnë si platforma për përhapjen e tyre. Shteti, Qeveria dhe institucionet, pohojnë se fenomenin e luftojnë, por më shumë deklarativisht, sepse mungojnë veprime më konkrete. Prandaj, vendi, së bashku me Malin e Zi dhe Serbinë mbetet “oazë” e propagandës ruse në Ballkan, e dëmshme për qytetarët e tij. Si të luftohet propaganda ruse? Kush duhet të përfshihet në këtë projekt? Cilat hapa të ndërmerren?

Rrjetet sociale, pavarësisht se nuk mund të njihen si media, të paktën ashtu siç e konceptojmë me teoritë klasike, po keqpërdoren shumë për plasimin e dezinformatave apo “lajmeve të rreme”, siç njihen në diskursin e ri politik dhe mediatik ndërkombëtar, por dhe vendor. Përmes rrjeteve sociale, sikur tentohet të provohet thënia e gabuar se “Një gënjeshtër e përsëritur 100 herë bëhet e vërtetë”.

“Viraliteti” i dezinformatave nuk i bën ato të vërteta, por dëmi i shkaktuar shoqëror prej tyre është i madh. Pëson shoqëria dhe interesi publik, pasi dezinformon politika, manipulon biznesi, ndërsa pre e dezinformatave mund të jenë njerëz të ndryshëm, të cilën mund të rrezikojnë edhe shëndetin, pasi dezinformatat për shëndetësinë, por edhe për shkencën në përgjithësi, kohëve të fundit përhapen shumë. Periudha e Covid 19 ka dëshmuar se, krahas pandemisë, jemi ballafaquar me fenomenin e “infodemisë” apo shpërndarjes së dezinformatave mbi këtë sëmundje, që nga mohimi i saj i plotë deri te rekomandimi i mjekimit popullor, që për disa ka qenë fatal.

Megjithatë dezinformatat në masë më të madhe, pas kohës së pandemisë, shpërndahen me motive politike (të brendshme) dhe gjeopolitike (të jashtme). Këtë gjatë vizitës së tij në vendet e Ballkanit e pohoi edhe Xhejms Rubin, i dërguar i posaçëm amerikan. Ai u tha gazetarëve në Shkup se burim kryesor i kërcënimeve për Maqedoninë e Veriut dhe rajonin paraqesin dezinformatat që vijnë nga Rusia.

Rubin vlerëson se rajoni është në një ndikim të fuqishëm të manipulimeve dhe gënjeshtrave që përhapen nga struktura të lidhura me Rusinë dhe Kinën. Ai pohoi se Serbia është një “bazë” kryesore prej nga nisen dezinformatat dhe manipulimet lidhur me rajonin, sepse, siç tha, media ruse të mbështetura nga Kremlini ende veprojnë në Beogradi.

Dezinformatat, që janë pjesë e propagandës ruse kanë për qëllim që të keqinformojnë për luftën në Ukrainë, por edhe të ndikojnë ndaj opinionit publik në vend, që të mos jetë i orientuar drejt Bashkimit Evropian, por drejt bllokut lindor, kryesisht drejt Moskës, duke marrë parasysh sentimentin religjioz dhe të etnogjenezës, pra faktin që maqedonasit janë ortodoksë dhe njëkohësisht dy popujt, ngjashëm si edhe serbët, janë me prejardhje sllave.

Këto faktorë kanë ndikuar jashtëzakonisht shumë që te opinioni publik etnik maqedonas në përqindje të konsiderueshme të ulet mbështetja ndaj Bashkimit Evropian, duke shtuar këtu faktin që për të arritur në këtë stad të rrugëtimit integrues, Maqedonia e Veriut u desh të bëjë marrëveshje dypalëshe për emrin me Greqinë dhe me Bullgarinë, e cila përfshin kontestet historike dhe identitare midis dy vendeve.

Megjithëse propaganda ruse, e cila shpesh si “armë” të saj kryesore e përdor dezinformatën, është agresive dhe tenton të ndikojë ndaj mediave dhe opinionit publik, në Maqedoninë e Veriut, duket se përveç deklarimeve publike, nuk ekziston strategji objektive afatgjate për tu përballur me këtë fenomen.

Edhe pse Qeveria, në datën 24 korrik të vitit 2019 miratoi Planin për aksionin e vendosur kundër përhapjes së lajmeve të rreme që sublimon rekomandimet për luftimin e këtij fenomeni, nuk arrijmë të shohim vendosmëri në përballje me dezinformatat ruse. Në këtë drejtim, duhet theksuar se është ndërmarrë vetëm një hap vendimtar në luftën kundër propagandës ruse. Në mars të vitit 2022, me qëllim të luftës kundër dezinformatave putiniste lidhur me luftën në Ukrainë, Qeveria ndaloi ritransmetimin e kanaleve televizive ruse.

Gjithashtu, nuk kemi parë rezultate as nga roli i Grupit veprues për luftë kundër dezinformatave dhe sulmeve ndaj demokracisë, në të cilin, sipas dokumentit të përmendur qeveritar marrin pjesë përfaqësues të institucioneve kryesore shtetërore. Ky grup i kishte vënë vetes detyrë të bëjë analizimin dhe ndjekjen e fenomenit të dezinformatave në opinion dhe koordinimin e luftës kundër përhapjes së tyre.

Në të vërtetë, nevojitet angazhim më i madh, jo vetëm i qeverisë, sepse neutralizimi i dezinformatave nuk është detyrim vetëm i shtetit, por edhe i shumë faktorëve tjerë shoqërorë, që të ndërmarrin aktivitete. Në radhë të parë duhet të zhvillohet fushatë me qëllime edukative për njohjen e publikut me ndikimin e dëmshëm të dezinformatave ndaj shoqërisë dhe vlerave shoqërore dhe demokratike.

Mediat duhet të mbështesin punën e platformave për luftimin e dezinformatave dhe “lajmeve të rreme” dhe ta stimulojnë angazhimin e tyre.

Poashtu është mirë që të mendohet model i pranueshëm shoqëror, që të mbështetet prodhimi i përmbajtjeve mediatike për luftë kundër dezinformatave, sepse ky angazhim nuk duhet të jetë prioritet vetëm i faktorit ndërkombëtar, por edhe i shoqërisë, sepse me të, para së gjithash, mbrohen qytetarët vendas dhe interesi i tyre.

Mbetet detyrë e mediave dhe organizatave joqeveritare, vendase dhe ndërkombëtare që të mbështesin projekte që kanë për qëllim trajnimin e gazetarëve, redaktorëve dhe punonjësve të tjerë mediatik, me qëllim që të sensibilizohen profesionalisht për luftimin e dezinformatave.

(Autorja është redaktore e lajmeve në TV ALSAT)

Instituti për Media dhe Analitikë IMA jo çdoherë pajtohet me qëndrimet e dhëna në shkrimet dhe analizat autoriale, mirëpo e vlerëson lartë kontributin e secilit autor dhe kontributin e ekspertëve mediatik për zhvillimin e një debati të argumentuar me vështrime të ndryshme për të avancuar gjendjen në hapësirën mediatike në Maqedoninë e Veriut

Të fundit