E shtunë, 4 Maj, 2024

ISH-DPLOMATI SERB AKUZON PUSHTETIN PËR HUMBJEN DEFINITIVE TË KOSOVËS

Sreqko Gjukiq, ish-diplomat serb dhe anëtar i Forumit për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Beograd ka kritikuar pushtetin në Serbi se për shkak të mënyrës se si kanë zhvilluar politikën e jashtme “Kosova është humbur përfundimisht”. Këto komente, transmeton kdp.mk, Gjukiq i ka bërë për agjencinë e lajmeve “Beta”.

Sipas tij, kthesa e paralajmëruar në politikën e jashtme të Serbisë, nga ana e presidentit Aleksandar Vuçiq, mund të shënojë shkëputjen përfundimtare me politikën, qëllimi i proklamuar i së cilës ishte anëtarësimi në Bashkimin Evropian (BE). Deklaratat e Presidentit për ndryshimin e politikës së jashtme, ka thënë Gjukiq, “janë të nxituara dhe emocionale, që nuk bëhen pa një analizë të thelluar”.

“Shtrohet pyetja nëse dhe çfarë do të arrijë Serbia me ndryshimin e politikës së saj të jashtme, siç e paralajmëroi Vuçiq, dhe a mund të jenë mbështetja jonë në politikën e jashtme Azerbajxhani, Gjeorgjia apo Hungaria. Kthesa e paralajmëruar në politikën e jashtme mund të shënojë ndarjen përfundimtare me politikën e proklamuar të Serbisë, drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE) dhe kalimit nën kujdestarinë  e Rusisë”,- ka thënë Gjukiq për agjencinë serbe të lajmeve.

I pyetur nëse një politikë e tillë do ta çlirojë Serbinë nga detyrimet e nënshkruara dhe marra për sipër lidhur me Kosovën në Bruksel dhe Ohër, Gjukiq është përgjigjur se “sigurisht se jo”.

Serbia sigurisht nuk do të lirohet nga detyrimet e nënshkruara dhe të pranuara në lidhje me Kosovën në Bruksel dhe Ohër, por mopërmbushja e këtyre detyrimeve mund të na sjellë sanksione, nga  vendosja e vizave të BE-së deri te mbyllja e rubinetave financiare, ndërprerja dhe tërheqja e investimeve dhe kufizimi i tregtisë,” – ka vlerësuar Gjukiq duke nënvizuar se sipas njohurive të tij, Serbia nuk është larg sanksioneve.

Sipas tij politika e jashtme e autoriteteve serbe “me të cilën rrahnin gjoks duke menduar se mund ta mashtrojnë gjithë botën”, ka bërë që Kosova përfundimisht të humbet.
“Autoritetet serbe kanë marrë përsipër që të mos e pengojnë Kosovën të hyjë në organizatat ndërkombëtare dhe që detyrimet nga marrëveshjet e Brukselit dhe Ohrit të zgjidhen pa kurrfarë kushtëzimi. Serbia madje ka marrë përsipër të hapë përfaqësi diplomatike në Prishtinë. Është kjo një fiasko absolute e politikës serbe  edhe në planin e jashtëm, edhe në atë të brendshëm”,- citon kdp.mk deklaratën e  diplomatit serb për agjencinë “Beta”.

Rrjedhimisht, ndryshimin e politikës së jashtme, presidenti serb e paralajmëroi pas zhgënjimit me vendimin e Komitetit Ministror të Këshillit të Evropës për t’i propozuar Asamblesë Parlamentare shqyrtimin e kërkesës së Prishtinës zyrtare për anëtarësimin e Kosovës.

Të fundit