E premte, 3 Maj, 2024

G7 ZOTOHET PËR NJË QËNDRIM TË ASHPËR DHE TË UNIFIKUAR KUNDËR RUSISË

Ministrat e jashtëm të Grupit të Shtatë Vendeve demokratike më të pasura të botës, u zotuan për një front të unifikuar kundër kërcënimit që paraqet Kina ndaj Tajvanit si dhe agresionit rus në Ukrainë, raporton Zëri i Amerikës, përcjell KDP.mk

Në përfundim të takimeve të tyre të martën, ata shprehën përkushtimin për të forcuar dhe zbatuar sanksione të ashpra kundër Moskës. Deklarata e përbashkët e kryediplomatëve përfshinte gjithashtu qëndrime të forta, mbi një seri të pashembullt provash me raketa të Koresë së Veriut. Por Kina dhe Rusia morën vëmendjen kryesore të takimit treditor të organizuar nga Japonia.

Nuk mund të ketë mosndëshkim për krimet e luftës dhe mizoritë e tjera, si sulmet e Rusisë kundër civilëve dhe infrastrukturës jetike civile. Mbetemi të përkushtuar për intensifikimin e sanksioneve kundër Rusisë, duke i koordinuar dhe zbatuar plotësisht ato”, thuhej në deklaratë ndërsa shtohej se Perëndimi, do të vazhdojë të mbështesë Ukrainën, për aq kohë sa do të jetë e nevojshme.

Ofensiva e Rusisë në Ukrainë kryesisht ka ngecur dhe Kievi po përgatitet për një kundërofensivë. Megjithatë ekziston një shqetësim i gjerë global, lidhur me kërcënimet e përsëritura të udhëheqësit rus për të përdorur armë taktike bërthamore.

Retorika e papërgjegjshme bërthamore e Rusisë dhe kërcënimi i saj për të dislokuar armë bërthamore taktike në Bjellorusi, janë të papranueshme”, thanë ministrat.

Ministrat e jashtëm nënvizuan se takimi i tyre në Karuizawa të Japonisë, shënoi një moment vendimtar në përgjigjen e botës ndaj agresionit rus dhe kinez, dy kriza që shihen si sfida për rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla.

Përpjekjet globale për zgjidhjen e tyre, janë penguar nga qëndrimet kundër të Kinës dhe Rusisë, në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Më parë, vendet e G7 i kishin bërë thirrje Kinës që të respektonte rregullat ndërkombëtare. “Ne i kujtojmë Kinës nevojën për t’iu përmbajtur qëllimeve dhe parimeve të Kartës së OKB-së dhe për t’u përmbajtur nga përdorimi i kërcënimeve, shtrëngimit, frikësimit ose përdorimi i forcës,” u tha në deklaratën përfundimtare të takimit në Karuizawa, Japoni.

Ministrat e Jashtëm kritikuan qartë veprimet kineze në Detin e Kinës Jugore. “Nuk ka asnjë bazë ligjore për pretendimet detare ekspansioniste të Kinës në Detin e Kinës Jugore dhe ne dënojmë aktivitetet militarizuese të Kinës në rajon”, thanë ata në dokument. Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken pas takimit tha se ishte arritur një marrëveshje e qartë, veçanërisht në lidhje me Tajvanin dhe Kinën.

G7 gjithashtu mbajti një qëndrim edhe për situatën e të drejtave të njeriut në Kinë. U shpreh shqetësimi për shkeljet e të drejtave të njeriut në Tibet dhe provincën perëndimore të Xinjiang-ut. Qeveria qendrore e Kinës është akuzuar prej kohësh për shtypjen sistematike të ujgurëve myslimanë në Xinjiang.

Pavarësisht kritikave, vendet e G7 duan të bashkëpunojnë me Kinën për sfidat globale si ndryshimi i klimës. Ata janë të gatshëm të krijojnë “marrëdhënie konstruktive dhe të qëndrueshme përmes dialogut dhe të promovojnë rimëkëmbjen ekonomike globale dhe shkëmbimet mes njerëzve në një mënyrë reciproke të dobishme“, thuhet në deklaratë.

Kina përgjigjet pas kritikave të G7 “shpifje qëllimkëqia”

Sikurse njofton DW, pas kritikave të G7 ndaj Kinës, Pekini i ka akuzuar këto vende për “shpifje me qëllim të keq

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Wang Wenbin, tha në një konferencë për shtyp në Pekin se vendet e G7-ës “kishin ndërhyrë rëndë në punët e brendshme të Kinës, kishin shpifur dhe denigruar Kinën me keqdashje“.

Deklaratat ishin plot arrogancë, paragjykime dhe qëllime të këqija për të shtypur Kinën”. Vendi i tij kishte protestuar ndaj Japonisë, mikpritëse e G7, tha zëdhënësi. Sipas tij, Tajvani është “pjesë e pandashme” e Republikës Popullore të Kinës. Për të ruajtur vërtet paqen në ngushticën e Tajvanit, është e nevojshme të refuzohen aspiratat e pavarësisë në ishull,” shtoi ai.

Hong Kongu, Tibeti dhe provinca Xinjiang janë gjithashtu vetëm “çështjet e brendshme” të Kinës, të cilat nuk lejojnë asnjë ndërhyrje të jashtme, tha Wang-u. Situata aktuale në Detet e Kinës Lindore dhe Jugore është përgjithësisht e qëndrueshme, shtoi ai. Kina e respekton Kartën e OKB-së dhe normat bazë të së drejtës ndërkombëtare, tha ai. Vendet e G7-ës duhet të “heqin dorë nga të menduarit si gjatë Luftës së Ftohtë dhe nga paragjykimet ideologjike”, tha Wang. Ata as nuk duhet t’ua “diktojnë sjelljen e tyre në vende të tjera”.

Lidhur me shqetësimet e G7 për zgjerimin e arsenalit bërthamor të Kinës, Wang tha se Kina posedon vetëm një “numër minimal armësh bërthamore të nevojshme për sigurinë kombëtare“. Kina është e vetmja fuqi bërthamore, që është zotuar të mos jetë e para që do të përdorë armët bërthamore. SHBA kanë arsenal më të madh, tha zëdhënësi.

Të fundit