E diel, 19 Maj, 2024

VENDOSET GURTHEMELI I KORRIDORIT 8, INVESTIM KAPITAL ME RËNDËSI GJEOSTRATEGJIKE

Nesër pritet të vendoset gurthemeli i Korridorit 8 dhe 10-D në pikën pagesore Tetovë-Gostivar. Ejup Rustemi nga Ndërmarrja e Rrugëve të Maqedonisë së Veriut për KDP thekson se në aksin e parë Tetovë-Gostivar, në gjatësi totale prej 17.50 km dhe gjerësi 10.75 m, vlera e parashikuar e punimeve të ndërtimit pritet të arrijë shumën e 125 milionë eurove. Për aksin e dytë dhe të tretë, Gostivar-Bujkoçan, dhe Trebenishtë – Strugë – Qafëthanë, Rustemi thotë se vlera e parashikuar e punimeve ndërtimore në total pritet të jetë 1.3 miliardë euro.  Ai thotë se momentalisht po shqyrtohen edhe disa variante shtesë në pikën kufitare Qafëthanë, siç është ndërtimi i një tuneli të përbashkët me Shqipërinë për të shkurtuar kështu rrugën për 20 km. Ndryshe, ekspertë të ekonomisë theksojnë se ndërtimi i Korridorit 8 dhe 10-D paraqet një investim të rëndësishëm kapital me përfitime të shumta ekonomike. Ky projekt vlerësohet edhe për rëndësinë gjeostrategjike.

Shkruan: Enis Shaqiri

Qeveria e Maqedonisë së Veriut të enjten në pikën pagesore Tetovë-Gostivar do të shënojë edhe solemnisht fillimin e projektit më të madh infrastrukturor në Maqedoninë e Veriut që nga pavarësia e saj, Korridorit 8 dhe 10-D. Projekti i cili cilësohet historik nga të gjitha institucionet shtetërore pritet të kap vlerën prej 1.3 miliardë eurosh.

Pjesë e Korridorit 8 që duhet ndërtuar, është autostrada Tetovë-Gostivar – Kërçovë- Bokujçan -Strugë – Qafëthanë, përderisa Korridori 10-D, do të lidhë Prilepin me Manastirin. Korridori 8 do të shtrihet në gjatësi prej 68 km përmes një autostrade me 6 korsi, kurse Korridori 10-D do të shtrihet në gjatësi prej 40 km. Korridori 8 së bashku me atë 10D në tërësi janë 110 kilometra autostradë, që pritet të përfundojë më 31 dhjetor 2027, pra për 4 vite e 7 muaj.

Ejup Rustemi nga Ndërmarrja e Rrugëve të Maqedonisë së Veriut, në një prononcim për kdp.mk jep disa hollësi për projektin. Ai thotë se në aksin e parë, Tetovë-Gostivar në gjatësi totale prej 17.50 km dhe gjerësi 10.75 m, vlera e parashikuar e punimeve të ndërtimit pritet të kap shumën e 125 milionë eurove.

Gjatësia totale e planifikuar e seksionit është 17.50 km. Gjerësia totale e rrugës në një drejtim do të jetë rreth 10.75 m. Sipas studimit të fizibilitetit, vlera e parashikuar e punimeve të ndërtimit do të arrijë në 125 milionë euro. Ndërtuesi “kontraktori” parashikon fillimisht të ndërtojë një rrugë paralele përgjatë së cilës do të lëviz trafiku. Më pas, trafiku do të kalojë përgjatë rrugës paralele. Rruga ekzistuese do të zgjerohet, pra do të prishen të gjithë mbikalimet, gardhi i Nju Xhersit si dhe asfalti”, thotë Rustemi.

Për aksin e dytë, dhe të tretë, Gostivar-Bujkoçan, dhe Trebenishtë – Strugë – Qafëthanë, Rustemi thotë se vlera e parashikuar e punimeve ndërtimore në total pritet të jetë 920 milionë euro.
Ai thotë se momentalisht po shqyrtohen edhe disa variante shtesë në pikën kufitare Qafëthanë, siç është ndërtimi i një tuneli të përbashkët me Shqipërinë, për të shkurtuar kështu rrugën për 20 km.

Gjatësia totale e planifikuar e seksionit është 30.36 km. Gjerësia totale e rrugës në një drejtim do të jetë rreth 10.25 m. Sipas studimit të fizibilitetit, vlera e parashikuar e punimeve të ndërtimit do të arrijë në 560 milionë euro. Itinerari është krejtësisht i ri dhe fillon në pikë e pagesore në Gostivar dhe përfundon në Bukojçan. Ndërsa për seksionin e 3 Trebenishtë – Strugë – Qafëthanë, gjatësia totale e kësaj pjese të rrugës është 21.49 km. Gjerësia totale e rrugës në një drejtim do të jetë rreth 10.25 – 10.75 m. Sipas studimit të fizibilitetit, vlera e parashikuar e punimeve ndërtimore do të arrijë në 360 milionë euro. Itinerari fillon në kryqëzimin e Trebenishtës dhe përfundon në pikën kufitare ekzistuese në Qafëthanë. Janë duke u shqyrtuar disa variante zgjidhje për përmirësimin e lidhjes me Republikën e Shqipërisë si dhe plotësimin e kushteve të vendosura nga UNESCO. Një zgjidhje alternative është ndërtimi i një tuneli të përbashkët me Republikën e Shqipërisë, i cili do të shkurtojë udhëtimin për 20 km”, thotë ai.


Kujtojmë se aksi i dytë Gostivar-Kërçovë është një nga terrenet më të vështira për ndërtim, por sipas analizave të kompanisë “Bechtel & Enka”, nuk pritet që këtu të dalë ndonjë e papritur.

Ndërsa për Korridorin 10-D, i cili do të lidhë Prilepin me Manastirin, Rustemi thotë se “gjatësia totale e planifikuar e seksionit është 39.51 km. Gjerësia totale e rrugës në një drejtim do të jetë rreth 10.75 m. Sipas studimit të fizibilitetit, vlera e parashikuar e punimeve të ndërtimit do të arrijë në 260 milionë euro. Në këtë seksion trafiku do të devijohet dhe shkojë në rrugën rajonale R1101. Më pas rruga ekzistuese do të zgjerohet në nivelin e autostradës me tre korsi në një drejtim,”

Ndryshe, mjetet për realizimin e këtij projekti do të sigurohen nga arka e shtetit me vlerë nga 250 milionë euro në vit.

Projekti historik, Korridori 8 dhe 10D, është vlerësuar edhe nga ekspertët ekonomik. Sipas tyre projekti është i rëndësisë gjeostrategjike, i cili do t’u sjellë shumë benefite bizneseve. e që do të ndikojë në mënyrë direkte jo vetëm në ekonominë e vendit por edhe të rajonit më gjërë.

Eksperti i njohur ekonomik në Maqedoninë e Veriut, Akademik Abdylmenaf Bexheti, vlerëson se të gjitha projektet kapitale të parapara me ketë marrëveshje nëse realizohen sipas dinamikës së paraparë do të kenë ndikim shumë më të madh jo vetëm për nga volumi ekonomik, por edhe nga cilësia. Ai shpreson që progresi do të vazhdojë me një ritëm sa më të shpejtë dhe në kohë të shkurtër, në mënyrë që përfitimet ekonomike të shumëfishohen.

Lufta në Ukrainë vetëm se vërtetoi rëndësinë kapitale të “pishinave furnizuese” dhe lidhjet e tyre me pikat e destinimit. Kur kësaj t’i shtohen edhe angazhimet e resurseve vendore në ndërtimtarin e ulët, projekti ka impakt të pallogaritshëm në prerje të momentit, jo vetëm financiare por edhe ekonomike e njerëzore. Siguria në rrugë është impakt i pallogaritshëm për nga rëndësia e jetës. Shpresoj që dinamizimi të shkojë sa më mirë se një vit e më parë, përfitimet ekonomike do multiplikohen”, vlerëson Bexheti.

Ndërsa kryetari i OEMVP-së Mendi Qyra, në një deklaratë të mëparshme për kdp.mk, tha se kjo infrastrukturë e re e Korridorit 8 dhe 10D mundëson një qasje të drejtpërdrejtë për çdo ekonomi dhe shërbim transporti që kalon nëpërmjet RMV-së dhe kryqëzohet me Detin e Zi dhe Adriatikun.

“Me këtë projekt i jepet qasje direkte çdo ekonomie dhe shërbimi transporti që kalon nëpërmjet RMV-së duke u i kryqëzuar për Detin e Zi apo Adriatik, ku në këtë moment, shumë transportues dhe kompani ndërkombëtare e shfrytëzojnë vetëm portin e Selanikut si mundësi më e mirë me infrastrukturë adekuate dhe moderne. Gjithashtu e kemi edhe elementin kombëtarë ku përmes këtij projekti realizojmë qëllimet gjeostrategjike për lidhshmëri ekonomike të trojeve shqipfolëse”, ka thënë Qyra.

Të fundit