E premte, 26 Prill, 2024

PËRKRAHJA GJERMANE NË RRUGËN DREJT BE-së

Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock theksoi nevojën për ndryshimin e shpejtë të Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut, në mënyrë që vendi të vazhdojë në dhjetor bisedimet për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Ajo theksoi mbështetjen e vendit të saj për rrugën e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut. “E dimë se sa të vështira janë ndryshimet kushtetuese, duhet të luftohet për çdo votë. Kështu është edhe në Gjermani. Për këtë shkak duhet të uleni në tavolinë të përbashkët me opozitën – kjo është fuqia e demokracisë”, theksoi Berbok.

Shkruan: Enis Shaqiri

Shefja e diplomacisë gjermane, Analena Berbok, sot zhvillojë vizitë zyrtare në Shkup. Vizita e ministres së Punëve të Jashtme të Republikës Federale të Gjermanisë, Analena Barbok, në Republikën e Maqedonisë së Veriut erdhi në vazhdën e pritjeve për ndryshimet kushtetuese si dhe për procesin eurointegrues të Maqedonisë së Veriut drejt BE-së.

Berbok, gjatë vizitës zyrtare në Shkup, u takua me Ministrin e Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, Kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, si dhe presidentin Stevo Pendarovski.

Kryeministri Kovaçevski, i shoqëruar nga zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq, e përshëndeti ardhjen e ministër gjermane Barbok në RMV, duke e cilësuar si një moment tejet të rëndësishëm për Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Ne bëmë një hap historik dhe filluam negociatat për anëtarësimin në BE në korrik 2022, që shënoi fillimin e një faze cilësore të re në marrëdhëniet me Bashkimin Evropian, pas 17 vitesh marrje të statusit kandidat dhe pas sfidave të shumta në rrugën drejt anëtarësimi në BE me mbështetjen aktive të Gjermanisë, e cila ishte veçanërisht e rëndësishme gjatë presidencës gjermane të BE-së në vitin 2020. Sot e kemi përsëri atë mbështetje dhe është e një rëndësie të madhe sepse Gjermania gëzon reputacion të madh dhe respekt të thellë te qytetarët tanë”, tha kryeministri Kovaçevski.

Në takimin mes Kovaçevskit dhe Analena Berbok gjithashtu është diskutuar edhe rëndësia e Procesit të Berlinit si forcë lëvizëse e bashkëpunimit rajonal në nivelin më të lartë dhe si iniciator i planeve të veprimit për tregun e përbashkët rajonal për Ballkanit Perëndimor.

Kujtojmë se Gjermania është udhëheqëse e procesit të Berlinit, i filluar në vitin 2014, nga ish-kancelarja gjermane, Angela Merkel. Iniciativa synon rritjen e bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor dhe në asistimin e tyre në procesin e integrimit në BE.

Stevo Pendarovski: Gjermania, aleat i fuqishëm në rrugën e integrimeve

Siç theksohet në kumtesën e Presidencës, Presidenti Stevo Pendarovski sot gjatë vizitës ka shprehur pritjen e tij për mbështetje të mëtejshme dhe të fuqishme për procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Ai ka shtuar se Gjermania është një nga aleatët më të afërt të Maqedonisë së Veriut në rrugën integruese drejt BE-së dhe autoritetet gjermane sipas tij kanë treguar vazhdimisht përkushtimin e tyre ndaj vendit, dhe rajonit më gjerë.

Në takim u bisedua për marrëdhëniet e përgjithshme bilaterale ndërmjet dy vendeve, partneritetin në NATO, OKB dhe OSBE, aspiratat e Maqedonisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian, si dhe për situatën në rajon dhe ndryshimet kushtetuese. Presidenti Pendarovski vlerësoi se Gjermania është një nga aleatët më të afërt dhe mbështetësit më të fuqishëm të Maqedonisë së Veriut në rrugën integruese drejt BE-së dhe autoritetet gjermane kanë treguar vazhdimisht përkushtimin e tyre ndaj vendit tonë dhe rajonit për tre dekada”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Osmani- Berbok: Viti 2030, i arritshëm për në BE

Bisedimet ndërmjet dy ministrave të jashtëm u zhvilluan në fokusin e anëtarësimit të vendit në BE, me ç’rast Minsitri Osmani potencoi se hapi i radhës drejt unionit evropian varet prej RMV-së, e me këtë, edhe përgjegjësia sipas tij bie mbi të gjithë partitë politike në vend.

RMV-ja ka marrë obligime dhe këto duhet realizuar, ndërsa bisedimet për anëtarësim me BE-në duhet të vazhdojnë. Kësaj radhe kjo varet vetëm prej nesh, nga secili. Në BE nuk integrohet vetëm qeveria, por edhe shteti edhe opozita dhe secili duhet të mbajë përgjegjësi për këtë proces dhe këtu presim mbështetje nga të gjithë miqtë.”, theksoi Ministri i Jashtëm, Bujar Osmani.

Osmani mes tjerash në këtë takim foli edhe për zbatimin e agjendës së BE-së si investim për ardhmërinë evropiane të vendit.

Gjermania vazhdon të jetë një nga promotorët më të fuqishëm të integrimit evropian të rajonit dhe në këtë kontekst dua të falënderoj për mbështetjen e fuqishme dhe të vazhdueshme që merr edhe vendi ynë.  Maqedonia e Veriut ndodhet në një udhëkryq të rëndësishëm historik. Ta marrë fatin në duart e saj dhe të ecë me vendosmëri drejt anëtarësimit të plotë, gjatë së cilit viti 2030 është një qëllim ambicioz, por edhe i arritshëm, ose përsëri të hyjë në rishikim dhe ngecje. Perspektiva reale për gëzimin e katër lirive – për mallra, kapital, shërbime dhe fuqi punëtore, edhe gjatë negociatave duhet t’i mobilizojë të gjitha pjesët e shoqërisë dhe të çojë drejt dinamikës së re ekonomike”, theksoi mes tjerash Osmani.

Ndërkaq. Ministrja gjermane, Berbok edhe një herë konfirmoi mbështetjen për integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut dhe shprehu kënaqësi për gatishmërinë e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut për t’u ballafaquar me sfida serioze, siç janë ndryshimet kushtetuese, të cilat janë të një rëndësie të madhe për të vazhduar procesin e negociatave me qëllim për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian.

Analena Berbok: RMV e ka fjalën time, BE-ja nuk do t’ju lërë në baltë

Ministrja Federale e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Analena Berbok, para se të arrijë në Shkup për DW ka deklaruar se “vendi i Maqedonisë së Veriut është në BE, ashtu si partnerët tanë të tjerë nga Ballkani Perëndimor. Këtë e kemi treguar realisht, më së voni me fillimin zyrtar të negociatave të anëtarësimit me BE-në në korrik të vitit 2022”,

Berbok mes tjerash është shprehur e kënaqur nga procesi eurointegrues i Maqedonisë së Veriut duke potencuar se duhet të shfrytëzohen të gjitha mjetet që janë në dispozicion për të vazhduar ky rrugëtim.

Sipas saj, ndryshimet kushtetuese duhet sa më shpejt të miratohen në parlament, me qëllim që në dhjetor të hapen klasterët negociues, me çka Maqedonia e Veriut përfundimisht do të mund të bëhet anëtare e BE-së.

BE-ja premtoi dhe do ta mbajë fjalën. Hapi që tani duhet të bëhet është zbatimi i ndryshimeve kushtetuese. Sërish do të vij në dhjetor, për shkak se duhet të bisedohet me të gjithë faktorët politik në vend. E dimë se sa të vështira janë ndryshimet kushtetuese, duhet të luftohet për çdo votë. Kështu është edhe në Gjermani. Për këtë shkak duhet të uleni në tavolinë të përbashkët me opozitën – kjo është fuqia e demokracisë”, tha Berbok.

Ajo gjithashtu tha se “ndryshimi i negociuar i Kushtetutës nuk duhet të bëhet mollë sherri për grindje në garën e popullaritetit në anketat apo garën se cila parti mund të ketë një lloj avantazhi në fund të zgjedhjeve

Kujtojmë se Presidenti i Republikës Federale të Gjermanisë Frank-Walter Steinmeier vizitoi Maqedoninë e Veriut në nëntor të vitit 2022, në kuadër të shënimit të 30-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve

Atë botë, Steinmeier gjithashtu konfirmoi se Maqedonia e Veriut e ka mbështetjen e Gjermanisë drejt procesit euro-integrues dhe se  procesi reformues i vendit duhet që të vazhdoj.

Nëse do të jetë viti 2030, duhet ta kuptoni, askush për momentin nuk mund ta thotë këtë, as politikanët e Maqedonisë së Veriut, as të Gjermanisë e as të BE-së. Askush nuk mund të premtojë, por duhet të synojmë që të arrihet ky qëllim dhe ai është i pranishëm këtu.. Dëshiroj që procesi inkuadrues për Maqedoninë e Veriut të ndodhë më shpejtë dhe të mos ketë pengesa të reja, por procesi reformues i vendit duhet vazhduar dhe mund të konsideroni mbështetjen e Gjermanisë,”

Të fundit