E shtunë, 20 Prill, 2024

ÇFARË FSHIHET PAS VIZITËS SË PRESIDENTIT KINEZ NË MOSKË?

Ish-ambasadori ukrainas në BeH dhe Kroaci, Oleksandr Levchenko, komenton  për portalin “Face.ba” të Sarajevës vizitën e presidentit të Kinës Xi Jinping në Moskë dhe efetktet e pritshme të bisedimeve me Putinin: “Ka mbetur edhe pak kohë për të kuptuar plotësisht pozicionin e Kinës. Nëse ajo dëshiron t’ju japë mbulesë diplomatike pushtimeve të përkohshme ruse të territoreve të huaja, atëherë ajo nuk ka shanse të marrë çfarëdo miratimi të Kievit. Por nëse Kina megjithatë ka për të këmbëngulur zbatimin e parimeve të Statutit të OKB-së, përkatësisht parimeve të paprekshmërisë së kufijve dhe sovranitetit territorial të çdo vendi, për këtë do të ketë mirëkuptim, dhe jo ​​vetëm nga Kievi, por edhe nga shumica e anëtarëve të bashkësisë ndërkombëtare që votuan për Rezolutën e OKB-së për tërësinë territoriale të Ukrainës,”– transmeton kdp.mk shkrimin e plotë të diplomatit ukrainas.

Gjatë vizitës shtetërore të presidentit kinez në Federatën Ruse, të dy shefat e shteteve folën për gjendjen e marrëdhënieve dypalëshe dhe shprehën qëndrimet e tyre për çështjet e rëndësishme ndërkombëtare, në radhë të parë për luftën në Ukrainë. Pekini ka demonstruar me fjalë dhe publikisht animin kah regjimi i Putinit, megjithëse deklaratat e presidentit kinez duhet të lexohen gjithmonë midis rreshtave. Nga njëra anë, Pekini është i vetëdijshëm se nuk janë në marrëdhënie më të mira me SHBA-në dhe Evropën demokratike, dhe nga ana tjetër, humbja kineze e tregjeve amerikane dhe evropiane do të shënonte fundin e zhvillimit të qëndrueshëm të ekonomisë dhe stagnimin e  kombëtare, mbase edhe kolapsin e shumë degëve të ekonomisë, para së gjithash të teknologjive të avancuara dhe novatore, dhe të produkteve të konsumit të gjerë. Lufta ekonomike dhe politike e Kinës kundër SHBA-së dhe Evropës mund të shënojë edhe  stagnimin e plotë të marrëdhënieve me Japoninë, Korenë e Jugut, Australinë dhe Zelandën e Re. Për disa vite, Kina  mbase edhe mund t’i anashkalojë disi këto tregjet më të pasura, por edhe në perspektivën mesatare vjetore, ajo mund të përjetojë një kolaps ekonomik.

Rusia i ofron Pekinit një zëvendësim të vet në formën e partnerëve tregtarë në Perëndim, por kapaciteti ekonomik i Moskës është pesëmbëdhjetë herë më i vogël se aftësitë financiare të botës perëndimore dhe kjo Kinën thjesht do ta gjunjëzonte. Prandaj Pekini po luan në kartën e zgjerimit maksimal të marrëdhënieve ekonomike me Federatën Ruse, duke e kthyer ngadalë Rusinë në një lëndë të parë shtesë të Kinës, dhe nga ana tjetër, ai po përpiqet maksimalisht të kultivojë kontaktet ekonomike me Perëndimin industrial dhe novator. Pekini e konsideron shumë të dëmshme zgjedhjen mes Moskës, nga njëra anë, dhe Uashingtonit dhe Brukselit, nga ana tjetër. Është e qartë se bota perëndimore nuk ka qenë kurrë politikisht afër Pekinit, por prishja e lidhjeve ekonomike me Evropën dhe Amerikën do të ishte një disfatë strategjike për Kinën. Presidenti i Kinës foli fjalë të tilla në Moskë, të këndshme për veshët e Putinit, por kjo nuk do të thotë se ai do të jetë i ashpër në takimet me partnerët perëndimorë.

Kina është e gatshme të marrë naftë, gaz dhe qymyr rus me bollëk dhe lirë, dhe në këmbim të japë produktet e saj elektronike, të vazhdojë bashkëpunimin ushtarak me Federatën Ruse, por jo edhe të përfshihet në konfrontim luftarak me të gjithë botën perëndimore, e cila përballë agresionit rus, papritmas u bashkua fuqishëm. Vija e kuqe, në këtë rast, do të ishte dërgimi i armëve dhe pajisjeve ushtarake kineze ushtrisë ruse, e cila tani është në një situatë mjaft të vështirë logjistike. Pekini nuk është shumë i interesuar që Moska ta humbasë plotësisht luftën, por edhe nëse ndodh dobësimi i Rusisë, Kina po ashtu mund të përfitojë. Në retorikën e tij agresive, Putini çdo herë mbështetet pa u thelluar në fakte historike që, në parim, ai i njeh  shumë pak, por në të njëjtën kohë ai gjithmonë dëshiron të çojë ujin në mullirin e tij. Fjala vjen,  shumë herë ka folur se më herët Krimea ishte pjesë e Rusisë dhe tani ajo duhet t’i kthehet Federatës Ruse, e do këtë Kievi ose jo, por me këtë rast ai harron se, duke përdorur këtë fakt, të drejtën e saj mbi Krimenë mund ta theksojë edhe Turqia, e cila e ka sunduar atë për më shumë se treqind vjet, ndërsa Rusia më pak se 170.

Kremlini harron se kështu Gjermania mund të kërkojë kthimin e qytetit të Kaliningradit, i cili në fakt për shtatëqind vjet ishte Königsberg. Japonia edhe tani mund të kërkojë ligjërisht kthimin e një numri ishujsh në Ishujt Kurile, të cilët u përvetësuan nga BRSS pas Luftës së Dytë Botërore. Mirëpo,  ajo që është më interesante, sipas fakteve historike, Kina mund të kërkojë kthimin e ish-territoreve të saj të cilat i grabiti Perandoria Ruse në mesin e shekullit të XIX. Më 1858 dhe 1860, u firmosën marrëveshjet e pabarabarta(ndërsa këtë e dënon e drejta ndërkombëtare) kufitare midis Rusisë Cariste dhe dinastisë kineze në pushtet Cin, sipas të cilave Kina humbi më shumë se 1.8 milion kilometra katrorë territor në favor të Rusisë, nga Liqeni i Bajkalit e deri në lindje dhe Paqësor. Kjo është një nga plaçkitjet më të mëdha territoriale në historinë e njerëzimit.

Kështu, Vladivostoku, Khabarovski, Ulan-Ude… janë të gjithë ish-qytete kineze. Edhe në librat kineze, e gjithë kjo është shënuar si territore historikisht kineze. Kështu, Presidenti Xi, mund t’i flasë Putinit sa të dojë për njëfarë miqësie më të madhe shekullore, por nëse në Federatën Ruse nis procesi i çintegrimit, dihet se kush historikisht mund të aspirojë dhe cilin territor. Putin gjithmonë ka folur për këtë dhe ka dashur të vërtetojë diçka, dhe tani do t’i kthehet mbrapsht. Për këtë Putini vazhdimisht ka murmuritur duke dashur të provojë diçka e që tani do t’i përplaset në kokë.

Kështu, Vladimir Putini do të detyrohet që të vallëzojë “ekonomikisht” rreth Yuanit kinez, të lutet politikisht për ndonjë lloj ndihme ushtarake kineze dhe në fund, miqësia shekullore mund të përfundojë me kolapsin e Federatës Ruse, e cila rrezikon dhe poshtëron kombet fqinje.

Putin duhej gjithashtu të deklaronte se mbështet planin kinez të paqes. Që para një muaji, Maria Zakharova konstatoi se ky plan nuk është i pranueshëm për Moskën. Tani shohim ndryshime drastike. Edhe pse ky plan ka dymbëdhjetë pika, më e rëndësishmja është ajo se “në përfundim të luftës duhet të vendoset parimi i tërësisë territoriale të shteteve”. Kjo do të thotë se Federata Ruse duhet t’ia kthejë Ukrainës të gjitha territoret përkohësisht të pushtuara, përfshirë Krimenë. Nëse Pekini mendon me të vërtetë këtë që tha, atëherë meriton vëmendje të veçantë. Mirëpo, Putini, kras mbështetjes së iniciativës kineze të paqes, tha se duhet të merren parasysh realitetet e reja territoriale, lexo pushtimin rus të një pjese të territoreve ukrainase. Nuk është  deri në fund e qartë nëse ai e tha këtë hapur për shkak të pranisë së presidentit Xi apo për shkak të publikut rus. Në çdo rast, nuk kemi dëgjuar për reagimin kinez ndaj këtyre fjalëve arrogante dhe kjo tashmë hedh dyshim sinqeritetin e planeve të paqes të Pekinit.

Ka mbetur edhe pak kohë për të kuptuar plotësisht pozicionin e Kinës. Nëse ajo dëshiron t’ju japë mbulesë diplomatike pushtimeve të përkohshme ruse të territoreve të huaja, atëherë ajo nuk ka shanse të marrë çfarëdo miratimi të Kievit. Por nëse Kina megjithatë ka për të këmbëngulur zbatimin e parimeve të Statutit të OKB-së, përkatësisht parimeve të paprekshmërisë së kufijve dhe sovranitetit territorial të çdo vendi, për këtë do të ketë mirëkuptim, dhe jo ​​vetëm nga Kievi, por edhe nga shumica e anëtarëve të bashkësisë ndërkombëtare që votuan për Rezolutën e OKB-së për tërësinë territoriale të Ukrainës.

Në fund, duhet kuptuar se Kina nuk po mendon vetëm për miqësinë shekullore me Rusinë, por edhe për plaçkitjen territoriale shekullore të territoreve kineze nga Perandoria Ruse. Nëse Putini u zotua tinës për të kthyer Vladivostokun, Khabarovskin dhe Ulan-Udenë,  ndoshta në këtë mënyrë ai do të fitonte animin e plotë të Pekinit, por  saktësisht me këtë do të humbasë kokën në shoqërinë ruse. Ai e di mirë këtë, si edhe presidenti Xi./face.ba Përgatiti: kdp.mk/

Të fundit