E martë, 23 Prill, 2024

DILEMAT MES NGRIRJES SË ÇMIMEVE DHE EKONOMISË SË LIRË TË TREGUT

Ndërkohë që qeveria ka ngrirë çmimet e disa produkteve bazë me pretendimin për të mbrojtur konsumatorët, njohës të rrethanave ekonomike kërkojnë që të lejohet të veprojë tregu i lirë. Nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore kanë theksuar se  nuk pajtohet me ngrirjen e çmimeve në mënyrë të centralizuar, sepse bie ndesh me ekonominë e tregut. Kryetari i OEMVP-së, Mendi Qyra ka theksuar qeveria duhet të gjej forma alternative më të përshtatshme për stabilizimin e çmimeve në treg që konsumatori të jetë kënaqur, forma siç mund të jenë zvogëlimi i TVSH-së, intervenimi me rezervat shtetërore etj.   

Shkruan: Eljesa Dervishi

Ngrirja e çmimeve të ushqimeve mund të japë një rezultat serioz në uljen e inflacionit, vetëm nëse vazhdon edhe në muajt në vijim. Ekspertët thonë se vendosja e parë e kësaj mase dy vite më parë stabilizoi menjëherë çmimet, por më pas qeveria e ndërpreu shumë shpejt. Prandaj tani çmimet e ngrira të produkteve ushqimore bazë duhet të jenë në fuqi për një periudhë më të gjatë në mënyrë që qytetarët e ndjejnë një përmirësim të fuqisë blerëse.

Në një prononcim për KDP.mk, kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore Mendi Qyra thotë se tek ne baza themelore e zhvillimit ekonomiko-biznesor është ekonomia e lirë e tregut, e cila është bazuar në mënyrë strikte nga forcat e furnizimit dhe kërkesës, pa ndikim qeveritar. Ai thotë se OEMVP ka qëndrim të prerë në lidhje me ekonominë e lirë si bazë themelore për zhvillimin e ekonomisë në vend.

“Tek ne baza themelore e zhvillimit ekonomiko-biznesor është ekonomia e lirë e tregut, e cila është bazuar në mënyrë strikte nga forcat e furnizimit dhe kërkesës, pa ndikim qeveritar. OEMVP ka qëndrim të prerë në lidhje me ekonominë e lirë si bazë themelore për zhvillimin e ekonomisë në vend. Më saktë kërkojmë të lejohet të veprojë tregu i lirë, ku do të gjej vend oferta dhe kërkesa, një ndër elementet bazë të konkurrencës lojale për të ruajtur cilësinë e produkteve në treg. OEMVP nuk pajtohet me ngrirjen e çmimeve në mënyrë të centralizuar, sepse bie ndesh me ekonominë e tregut. Por, OEMVP kërkon nga qeveria të gjej forma alternative më të përshtatshme për stabilizimin e çmimeve në treg që konsumatori të jetë kënaqur, forma siç mund të jenë zvogëlimi i TVSH-së, intervenimi me rezervat shtetërore  etj. D.m.th  OEMVP obligohet të mbrojë anëtarët e saja që dëmtohen, të mbroj anëtarët e saja që dëmtohen nga kjo masë e ndërmarrë si formë e imponimit të çmimeve. Jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me qeverinë për të gjetur formën më optimale të mundur që stabilizimi i çmimeve të vij në mënyrë të natyrshme”, thotë Qyra.

Në një intervistë për TV Shenja, ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, ka theksuar se është shumë e lehtë barrën e krizës ta hedhim vetëm tek konsumatori. Sipas tij, barra në kohë krize duhet të shpërndahet në gjithë zinxhirin e produkteve.

“Përgjegjësi shoqërore duhet të tregojnë edhe kompanitë, apo prodhuesi vendor, apo ata të cilët merren me tregti. Pra kjo ka të bëjë me një masë të përkohshme, ku vendoset parimi i solidaritetit në të gjithë zinxhirin duke filluar nga prodhuesit deri tek konsumatori”, ka theksuar ministri Bekteshi.

Ai ka theksuar se asnjëra nga kompanitë nuk gjeneron humbje me masat të cilat ka ndërmarr Qeveria.

 

Të fundit