E premte, 26 Prill, 2024

KRIZA EKONOMIKE, SA ARRIJNË BURSAT TË MBULOJNË SHPENZIMET E STUDENTËVE?

Bursat janë një burim i rëndësishëm i mbështetjes financiare për shumë studentë për të siguruar një standard optimal jetese dhe studimi. Përkundër faktit që bursat mbeten të mirëseardhura, studentët theksojnë se ato duhet të jenë më të larta, sidomos kur tashmë çmimet kanë shënuar rritje enorme. Ata thonë se deri diku me këto bursa mund ta menaxhojnë veten, por në kohën e një krize të theksuar ekonomike do të duhej që lartësia e shumës së bursave të rritej. Mes tjerash, ata kërkojnë që qeveria të shkurtojë shpenzimet në dobi të standardit të studentëve. Sipas tyre, tashmë një pjesë e madhe e studentëve kanë nevojë për bursa. Në përqindje, në Maqedoninë e Veriut, bursa studentore në raport me shportën minimale të konsumit i bije të jetë 11.7 përqind. Me një problem të njëjtë përballen studentët edhe në shtetet anëtare të BE-së që gjenden më afër Ballkanit Perëndimor. Sipas Komisionit Evropian, ekzistojnë rreth 100 mijë bursa dhe skema mbështetëse financiare për studentët ndërkombëtar në mbarë Evropën.

Shkruan: Enis Shaqiri

Studimet nëpër universitete të ndryshme në vend dhe më gjerë kanë kosto dhe ato nuk i përballon xhepi i secilit student. Prandaj ekzistojnë edhe bursat. Bursat universitare llogariten të jenë ndihmë financiare që ndahen nga qeveritë, komunat, universitet, ambasadat apo organizatat dhe fondacionet e ndryshme, për të lehtësuar procesin e studimeve apo edhe jetesës studentore, brenda dhe jashtë shtetit.

Sasia e nevojshme e bursave për të siguruar një standard të jetesës varion në varësi të shumë faktorëve të ndryshëm, përfshirë këtu nivelin e të ardhurave të studentëve, koston e jetesës në qytetet ku ata jetojnë dhe studiojnë, dhe nivelin e pagesave që ata mund të përfitojnë nga puna e tyre në kohën e lirë. Nëse kushtet e mësipërme nënkuptojnë standarde të larta, atëherë studentët mund të kenë nevojë për bursa më të larta për të mundësuar një nivel të lartë të mirëqenies gjatë procesit të studimeve të tyre.

KDP.MK ka bashkëbiseduar me disa studentë për të parë se a janë bursat në Maqedoninë e Veriut një burim i rëndësishëm i mbështetjes financiare për studentët, si dhe për të analizuar edhe lartësinë e ofruar të bursave nga qeveria, komform standardit të jetesës studentore.

Studentja e vitit të tretë në drejtimin Punë dhe Politikë Sociale, pranë UNT-së, Lejla Pajaziti për kdp.mk thotë se momentalisht standardi jetësor është në ngritje e sipër, andaj sipas saj edhe bursat studentore nuk janë shumë ideale për t`iu dalë mbanë shpenzimeve universitare.

Duke pasur parasysh standardin aktual gjegjësisht rritjen e çmimeve, kryesisht të produkteve ushqimore ndoshta nuk është shuma ideale për t’ia dalë mbanë, po gjithsesi deri diku janë të mjaftueshme,” thotë ajo.

Sipas saj, një numër i madh i studentëve në RMV kanë nevojë për bursa universitare, sepse numri i papunësisë në vend po vështirëson edhe situatën te prindërit për t’ua mbuluar harxhimet e studimeve fëmijëve të tyre.

Mendoj se një pjesë e madhe e studenteve kanë nevojë për bursa, duke pasur parasysh dhe faktin që numri i papunësisë në RMV është në numër të madh, dhe shumë prindër kanë vështirësi për t’ua mbuluar harxhimet e studimeve fëmijëve të tyre. Mendoj se përderisa rriten të gjitha çmimet pse të mos rriten edhe bursat,” thotë Pajaziti.

Në një vijë është edhe studentja nga Fakulteti i Gjuhëve Kulturave dhe Komunikimit në UEJL, Lindita Ferati , e cila thotë se aktualisht problemi financiar është faktori primar që ndikon në ndërprerjen e studimeve tek studentët.

Sipas studimeve të kryera në lidhje me faktorët që çojnë në ndërprerjen e studimeve nga ana e studentëve, në listë kryesojnë problemet financiare. Andaj mendoj se një shtet që e kupton rëndësinë e arsimimit do të duhet të ndërmarrë hapa për minimizimin e tyre dhe të sigurohet që të rinjtë të kenë fokus të plotë në mësime dhe jo të brengosen se a do të munden t’i mbulojnë kërkesat elementare apo jo. Pikërisht për këtë arsye kemi  edhe programe ku shteti kujdeset që të paguaj një pjesë të shpenzimeve duke ofruar bursa, që padyshim jo vetëm financiarisht por edhe nga ana psikologjike sjellin shumë përfitime tek ne studentët, sepse fillojmë të ndjejmë një autonomi, po gjithashtu edhe nxit motivimin dhe kujdesin për studimet. Mirëpo në ditët e sodit ku po përjetojmë pasojat e inflacionit duke e bërë gati të pamundur për një numër të konsiderueshëm studentësh të kujdesen për  shpenzimet e rregullta të jetesës se a po e lehtëson procesin e studimeve bursa që po marrim e cila është e paraparë që të jetë proporcionalisht me çmimet”, thotë Ferati

Sipas saj, jeta studentore balancohet njëkohësisht edhe me aktivitete të lira, si qëllime edukative, hulumtime, apo krijime, e që fatkeqësisht, siç thotë ajo, edhe këtu luajnë rol financat sepse qëllimi është që të krijohet një mjedis sa më motivues për të rinjtë, që përmes kësaj të krijohen edhe gjenerata sa më të shëndosha, dhe adhurues të arsimit dhe jo studente me diploma në dorë e me shëndet mendor të shkatërruar.

Ferati thotë se qeveria duhet të minimizojë disa shpenzime me qëllim për të përmirësuar standardin e studentëve që nënkuptohet sigurimi i vendosjes, ushqimit, shpenzimeve të shkollimit, bursave, si dhe plotësimi i nevojave tjera tek studentët.

Prandaj padyshim që duhet të ketë rritje të bursës së ofruar nga shteti, sepse gjithçka është në lëvizje dhe vepron në baze të standardeve të reja përveç fushës së arsimit , vetëm në këtë mënyrë mund të përmirësojmë jetën e studentëve, mbase edhe të lejë shteti disa shpenzime tjera anash dhe të fokusohet në këtë pikë, sepse padyshim që arsimi është një nga investimet më të rëndësishme që një vend mund të bëjë për të ardhmen e tij”, thotë ajo.

Nga ana tjetër për disa studentë, një bursë mesatare mund të jetë e mjaftueshme për të mbuluar sado pak kostot e tyre. Romir Agolli student i IT-sëUEJL, për kdp.mk thotë se bursat studentore për studentët me sukses të lartë deri diku i arsyeton shpenzimet e një student. Ai thotë se me këto bursa mbulohen  nevojat ditore si transporti, ushqimi, dhe ndonjëherë dalja në kafe me shoqërinë, por jo edhe pjesa e shkollimit që mund të jetë pagesa e semestrit, apo pagesa e provimeve.

Mendoj se bursat studentore për studentët me sukses të lartë janë deri diku të arsyetueshme për shpenzimet e një studenti pasi që mbulojnë nevojat ditore që një student mund të ketë si transportin, ushqimin dhe ndonjëherë daljen në kafe me shoqërinë. Do të thosha mbasi tashmë ka ndodhur inflacioni i çmimeve, kjo burse nuk mbulon më pjesën e shkollimit të një studenti që mund të jetë pagesa e semestrit, pagesa e provimeve apo edhe pagesa e disa detyrimeve tjera sikur blerja e librave, blerja e fletoreve etj… Do të kisha dëshirë që të ketë të paktën një standard që do ndiqet pasi që me rritjen e çmimeve të normalizohet edhe buxheti i ndarë për nevojat e ndryshme që mund të ekzistojnë si mua për student, por edhe të tjerëve si qytetarë të thjeshtë që marrin ndihma të ndryshme nga institucionet shtetërore”, thotë Agolli.

Ndryshe, Qeveritë e Ballkanit Perëndimor, sipas një hulumtimi, nga buxheti i shtetit për sasinë e bursës mesatare tek studentët e suksesshëm ndajnë nga 50 deri në 110 euro. Maqedonia e Veriut gjendet e dyta në listë me 98 euro.

Ndërsa shporta minimale e konsumit në Maqedoninë e Veriut, është 837 euro, kurse bursa studentore 98 euro. Në përqindje, bursa studentore në raport me shportën minimale të konsumit i bije të jetë 11.7 përqind.

Ndërkaq, pak a shumë problem i njëjtë është edhe tek shtetet anëtare të BE-së që gjenden më afër Ballkanit Perëndimor.

Studenti Tim Shushtar në një nga universitetet sllovene, për kdp.mk thotë se bursa sllovene kundrejt standardit të atjeshëm është më shumë një para xhepi. Ai gjithashtu shton se një konvikt studentor në Slloveni kap shumën e 100 eurove.

Bursa shtetërore është më shumë një para xhepi se sa një bursë. Minimumi që marrim është rreth 80 euro, megjithëse mendoj se është rritur. Këtë vit nuk po marr bursë sepse po e përsëris vitin. Nuk e di sa është maksimumi. Por nuk mendoj se është e mjaftueshme për të mbijetuar vetëm me këto lloj bursash. Gjithashtu duhet të llogaritet se një konvikt studentor në Slloveni është rreth 100 euro në muaj, në varësi të dhomës dhe një qindarkë për ushqim,”, thotë Shushtar.

Ndryshe në Slloveni, qeveria ofron disa lloje bursash për studentët me nota të larta mesatare. Një prej tyre është “Bursa për studentët e shkëlqyeshëm“, që është një program qeveritar për studentët që kanë arritur nota të larta mesatare në studimet e tyre.

Lartësia e kësaj bursa varet nga kushtet e studentit dhe varion nga rasti në rast. Sidoqoftë, sipas informacioneve më të fundit nga faqja zyrtare e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Sportit të Sllovenisë, lartësia mesatare e bursës për studentët e shkëlqyeshëm në vitin akademik 2021-2022 është:

►Një bursë mujore prej 225euro për studentët e nivelit Bachelor;

►Një bursë mujore prej 295euro për studentët e nivelit Master;

►Një bursë mujore prej 375euro për studentët e nivelit Doktoraturë.

Sipas Komisionit Evropian, ekzistojnë rreth 100 mijë bursa dhe skema mbështetëse financiare për studentët ndërkombëtar në mbarë Evropën. Skemat mbulojnë një pjesë apo të gjitha tarifat e shkollimit, si dhe shpenzimet mbështetëse të jetesës studentore.

Ndërsa në SHBA, çdo vit, për 1.5 milion student ndahen rreth 6 miliardë dollarë për bursa nga Qeveria amerikane.

Të fundit