E diel, 5 Maj, 2024

LAJÇAK: KEMI QENË MË AMBICIOZË, POR MARRËVESHJA E OHRIT ËSHTË E DETYRUESHME

Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, tha se marrëveshja mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, paraqet një pikë kthese në procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes tyre.

Në një intervistë që Lajçak dha për Radion Evropa e Lirë dhe Euronews-in Serbi – të parën prej se Kurti dhe Vuçiq u pajtuan për të zbatuar Marrëveshjen e BE-së, më 18 mars në Ohër – ai nënvizoi se të dyja palët duhet t’i zbatojnë të gjitha nenet e Marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve.

Aty bën pjesë edhe Neni 4, i cili thotë se Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.

Lajçak theksoi se Kosova e ka obligim që menjëherë të fillojë me zbatimin e pjesës së Marrëveshjes që lidhet me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Ai pranoi se BE-ja kishte një plan më ambicioz: nënshkrimin e Marrëveshjes për normalizim dhe një draft-aneks me afate kohore dhe detyra të qarta.

Por, ai tha se udhëheqësit e dy vendeve nuk kanë mundur të bien dakord për secilën pikë dhe se presidenti serb ka refuzuar ta nënshkruajë dokumentin. Prandaj, propozimi ka ndryshuar.

Lajçak paralajmëroi një takim të kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë së shpejti, për të filluar, siç tha, punën për zbatimin e dispozitave të Marrëveshjes.

Në intervistë, ai foli fillimisht për pajtimin e arritur në Ohër dhe për Aneksin e zbatimit të Marrëveshjes:

“Prova e marrëveshjes së Ohrit, në zbatimin e saj”

Mirosllav Lajçak: Dua të them se Marrëveshja e arritur në Ohër, të shtunën e kaluar, është një moment i rëndësishëm historik. Krijon një cilësi të re të procesit të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. E ngre dialogun në një nivel më të lartë dhe do t’i hapë rrugë normalizimit, ashtu si edhe përshpejtimit të procesit të anëtarësimit në BE, si për Serbinë, ashtu edhe për Kosovën.

Siç thotë fraza “prova e pudingut është në të ngrënit e tij”, ashtu edhe prova e marrëveshjes është në zbatimin e saj. Andaj, fokusi tani është në zbatim.

Nuk është sekret që ne, si lehtësues [të dialogut], kemi përgatitur fillimisht një aneks më të detajuar të zbatimit. Me një sekuencë hapash, me afate të qarta kohore, do të ishte më e lehtë të matej. Megjithatë, pas disa orësh negociata, palët kanë arritur të bien dakord për 12 nga 18 pikat. Ka qenë e pamundur të tejkalohen dallimet për gjashtë pikat e mbetura. Kemi provuar shumë, shumë mënyra për t’i kapërcyer ato dallime, por ka qenë e qartë se nuk do të funksionojnë.

Dhe, për këtë arsye, kemi paraqitur një aneks të ri, i cili është më i përgjithshëm dhe më pak konkret. Por, dispozitat kryesore janë aty, sidomos fakti që palët do t’i zbatojnë të gjitha dispozitat e Marrëveshjes dhe Aneksit, në mënyrë të plotë dhe në mirëbesim.

Po ashtu, e kemi përmendur edhe një pjesë tjetër shumë të rëndësishme – se kjo marrëveshje tani po bëhet pjesë e rrugës së anëtarësimit të Serbisë [në BE] përmes kapitullit 35, dhe për Kosovën përmes komisionit special të normalizimit. Kjo është ajo që do të bëjmë tani.

Si hap të ardhshëm, tashmë kemi nisur procedurat e brendshme në Bashkimin Evropian për ta zyrtarizuar këtë faktor – [pra], për ta bërë këtë pjesë të agjendës së BE-së për Serbinë dhe për Kosovën.

Si hap të ardhshëm në dialog, do t’i ftoj kryenegociatorët në Bruksel dhe do t’i diskutojmë hapat për zbatimin [e Marrëveshjes], për t’u siguruar se kemi një pajtim se si të vazhdojmë me zbatimin. Kjo është shumë e rëndësishme.

Çështja që është diskutuar shumë në diskursin publik, ka qenë çështja e nënshkrimit të Marrëveshjes. Këtu dua të them se preferenca jonë, si lehtësues të BE-së, ka qenë që dokumenti të nënshkruhet. Ky ka qenë propozimi ynë për palët. Presidenti [i Serbisë, Aleksandar] Vuçiq e ka bërë mjaft të qartë se nuk është në pozicion për ta nënshkruar këtë dokument. Ai ka përmendur kufizimet kushtetuese. Ne kemi bërë përsëri disa propozime se si të trajtohet çështja, por ato janë refuzuar.

Në fund, kemi rënë dakord që ky dokument të formalizohet përmes njoftimit të Përfaqësuesit të Lartë [Josep Borrell] – gjë që ka ndodhur të shtunën. Kjo është plotësisht në përputhje me praktikën juridike ndërkombëtare. Pra, kjo do të thotë se ky dokument është i detyrueshëm, është zyrtar, është formal. Çdo spekulim se është apo jo i vlefshëm dhe i detyrueshëm, është i pakuptimtë.

Dua të shtoj, po ashtu, edhe një vëzhgim tjetër. Kur i shikojmë marrëveshjet e kaluara, nuk i gjykojmë nga këndvështrimi se cilat janë nënshkruar dhe cilat jo. Por, gjithmonë shikojmë se cilat janë zbatuar dhe cilat jo. Prandaj, vërtet besoj se nuk duhet të përfshihemi në diskutimet për nënshkrimin. Ky është realiteti.

Dokumenti është i detyrueshëm në dy mënyra. E para – përmes njoftimit të Përfaqësuesit të Lartë, dhe e dyta – duke e bërë pjesë të procesit të anëtarësimit në BE, ose të agjendës së BE-së për Serbinë dhe për Kosovën. Tani fokusi është te zbatimi.

Dhe, përfundimisht, ne, si lehtësues, do t’u raportojmë rregullisht shteteve anëtare – në baza mujore – për përparimin. Natyrisht, do të vazhdojmë të punojmë shumë ngushtë me Shtetet e Bashkuara dhe jemi shumë mirënjohës që kanë qenë shumë, shumë besnike ndaj nesh dhe i kanë mbështetur përpjekjet tona para Ohrit, në Ohër, dhe do të vazhdojnë pas Ohrit.

Dhe, sigurisht, vendet anëtare të Bashkimit Evropian janë shumë të interesuara që kjo Marrëveshje dhe ky Aneks të bëhen realitet.

“Palët s’duhet ta kushtëzojnë zbatimin e pjesës së tyre të përgjegjësive me zbatimin nga pala tjetër”

Radio Evropa e Lirë: Cili autoritet vendos hierarkinë ose mënyrën e [zbatimit të] dispozitave të kësaj Marrëveshjeje? Duhet ta them këtë, sepse kemi dy kontradikta në Aneks. E para thotë se Kosova nis menjëherë krijimin e aranzhimeve dhe garancive specifike, për të siguruar një vetëmenaxhim adekuat për komunitetin serb. Dhe, kontradikta e dytë është se “rendi i paragrafëve të këtij Aneksi nuk e paragjykon rendin e zbatimit të tyre”. Tani, sipas narrativës së zyrtarëve evropianë, përfshirë zotin Borrell, vetëmenaxhimi i komunitetit serb është me prioritet të lartë. Kush është autoriteti që do të vendosë se cila dispozitë shkon e para dhe cila më pas?

Mirosllav Lajçak: Autoriteti që do të monitorojë, vlerësojë dhe raportojë për zbatimin [e Marrëveshjes] është Komiteti i Përbashkët Monitorues, i kryesuar nga Bashkimi Evropian. Ky është një nga elementet e Aneksit, ku thuhet se Komiteti i Përbashkët Monitorues do të themelohet brenda 30 ditësh. Tani jemi duke punuar në mënyrë intensive për t’i përcaktuar objektivat e këtij Komiteti të Përbashkët Monitorues. Ai do të jetë autoriteti.

Sa i përket vërejtjes suaj të parë, nuk ka asnjë kontradiktë. Dua të them se deklarata që lidhet me Nenin 7 të Marrëveshjes, i referohet, thjesht, përkushtimit tonë afatgjatë për Kosovën, që rrjedh nga Marrëveshja e vitit 2013 dhe 2015. Dhe, meqenëse kjo është një çështje kaq e gjatë, është e qartë se duhet trajtuar si çështje me prioritet.

Por, ajo që kemi thënë edhe në dispozitat e tjera të këtij Aneksi, është se palët nuk duhet ta kushtëzojnë zbatimin e pjesës së tyre të përgjegjësive me zbatimin nga pala tjetër.

I takon lehtësuesit [të dialogut] që t’u raportojë shteteve anëtare. Por, siç e thashë, Komiteti i Përbashkët Monitorues është një platformë, ku do t’i diskutojmë gjërat. Ai do të themelohet ashtu siç është rënë dakord, brenda 30 ditësh nga miratimi i këtij Aneksi.

Radio Evropa e Lirë: Pra, është e drejtë të thuhet se fillimisht shkon vetëmenaxhimi i komunitetit serb, e pastaj mund të flasim për dispozitat tjera…

Mirosllav Lajçak: Jo, ne duhet të fillojmë me vënien e këtyre në agjendë. Dhe [pastaj] do të vazhdojmë me zbatimin.

Propozimi ynë fillestar ka pasqyruar qasjen dhe logjikën tonë se duhet të përparojmë hap pas hapi. Sepse, nuk do të ishte e drejtë të besohej se një vend duhet të kryejë gjithçka i pari, dhe pastaj pala tjetër ta bëjë pjesën e saj.

Por, besoj se – marrë parasysh nivelin mjaft të ulët të besimit të ndërsjellë – është shumë më e drejtë të kemi një proces, ku njëra palë bën hapin e parë dhe pala e dytë e bën atë hapin e parë. Dhe, pastaj, kalojmë në hapin e dytë dhe në hapin e tretë.

Kjo është arsyeja përse ne e dimë se të dyja palët do të duhet ta zbatojnë atë që është shkruar dhe që e kanë pranuar.

Radio Evropa e Lirë: Doja t’ju pyesja për monitorimin e përbashkët që përmendët. Ju thatë se do të kryesohet nga BE-ja, por kush do të jetë gjithashtu pjesë e atij komiteti? Dhe, kush do të garantojë se gjërat do të shkojnë në atë mënyrë që thoni ju – duke u përmbushur të njëjtat gjëra nga të dyja palët?

Mirosllav Lajçak: Është shumë herët për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, sepse, siç e thashë, Komiteti i Përbashkët Monitorues do të krijohet brenda 30 ditësh. Ne po punojmë për t’iu përgjigjur saktësisht këtyre pyetjeve. Sugjerimet tona do të kalojnë në proces të konsultimeve dhe kështu me radhë. Por, është e qartë se Kosova, Serbia dhe BE-ja do të jenë atje. BE-ja do ta kryesojë – për këtë është rënë dakord gjithashtu. BE-ja do të jetë ajo që do t’i informojë shtetet anëtare.

Të mos harrojmë se përparimi i Kosovës dhe Serbisë në rrugën e BE-së, tash e tutje, do të varet edhe nga zbatimi i dispozitave të kësaj marrëveshjeje dhe dinamika.

LEXO INTERVISTEN E PLOTE NË REL

Të fundit