E enjte, 25 Prill, 2024

BARDHËSI SHKRETËTIRE

Ti kërkon të kuptosh golgotën e secilit, në kohën kur qëndron i mbërthyer në kryqin tënd. Ata krahë të lodhur nga përçmimi, nga verbëria mjerane sikur kërkojnë të pushtojnë tejbotën e qenies njerëzore, çastin e fundëm të mundimit njerëzor. Mendime të errëta të sillen në tru, më të errëta se një natë mesjetare. Por ti beson në tejkalimin e ndjeshmërive, në atë copë qielli të purpurt që të fanitet si një trup i bukur vashe.Ti do ta ndërroje këtë fat (fatalitet) me një tjetër çfarëdo, pa më të voglin dëshpërim se do të ishe i zakonshëm, por ajo grishje fatale që mishërohet me shkretëtirën e lëtrës së bardhë të mban të ngujuar në “perandorinë” e vet, në atë hapësirë ku vlejnë tjera rregulla dhe ku shpërthejnë të tjera shqisa. Sa keq, gëzim fillon ngadal të të fashitet si një ëndërr e bukur që mëngjeset e vdirin nga kujtesa. Ke mall të ndjehesh i zakonshëm, të flasësh për lulet, për “plane shtëpie”, por trishtimi sakaq t’i mbyll dyert me tërsëllimë.
Shkruan: Bardhyl Zaimi
Ti do të përballesh me fugën e jetës dhe do të vërtetosh se shkrimi është tundim i brendshëm, tendosje që të vendos përpara shkretëtirës së letrës së bardhë. Ti mund të kesh mijëra fragmente në kokë që vërtetojnë pakënaqësinë tënde, por hamendja rreh të sprovojë të qenësishmen, rrugën tënde, e cila nuk ka ngjashmëri me të tjerat. Për sa kohë që kupton se s’je i vetëm në këtë botë, se fati yt, me njëmijë fije ndërlidhet me fatin e të tjerëve, përgjegjësia ( kjo tirani e zemrës njerëzore) t’i shkurton flatrat dhe të bën më tokësor. Me delikatesë vrastare të ofrojnë kompromise, ndërvarësi, mëshirë dhe surogate të tjera shoqërore, vetëm për të ngujuar vetminë tënde në britmat e tyre, në frikën e tyre për të qenë të lirë.
Ti e di se në të shumtën e rasteve ata( fluidi i deformimeve ) aktrojnë të gjitha cilësitë njerëzore, por mbetesh i ngujuar në këtë ritual, nga se kjo është lojë që nuk luhet pa ty. Sa më shumë që ti kërkon të largohesh nga ajo masë amorfe, e padenjë për përkujdesjen tënde, aq më tepër ata ( sytë brutal) kërkojnë të të mbajnë peng të kureshtjes së tyre mizore, duke të ofruar mëshirë, solidaritet dhe dashuri të paqenë. Ti ndjehesh ngusht në lëkurën tënde dhe fillon të besosh në këto marrëzi të përditshme që agshollet i përgjumin si demon.
Ata ( turmat e të përuleve) s’e durojnë dot kryelartësinë tënde, prandaj në çdo moment kërkojnë të marrin pjesë në varrimin e këtij diferencimi që për ta është mëkat, është pasqyrë në të cilën shohin shfytërimin e tyre. Ti ndjen së largu shikimin e tyre fatal, por si gjithmonë nisesh për ta përballur lirinë tënde me skrupujt e tyre. Çdo dhuratë që të ofrohet fsheh brenda vetes arogancën njerëzore, përpjekejen djallëzore për të të shndërruar në karikaturë, për ta degdisur përqendrimin tënd në deformime.
Ngjashmëritë, ja ferri i përçdoditshëm që hap gojën e tij të zjarrtë për të gllabëruar brenda barkut katran tërë lojërat e lirisë që fryma jote e përshpirtshme i mëkon si bisha të vogla. Kërkojnë të jesh i ngjashëm, i parebeluar, i dëgjueshëm ndaj piskamës së tyre që buron nga substanca e tyre e palatuar nga përkedheljet e vetmisë. Zhurma dhe britmat janë e vetmja esencë e tyre që kërkon brutalisht të zhbëj heshtjen e shpirtërave delikat. Frika e tyre kërkon pjesëmarrje, ritual banal shoqërishë të verbta, që miklojnë frikën nga njëri-tjetri. Sapo zbardh drita e lumnueme, ti zgjohesh që të përballesh edhe njëherë me kotësinë e tyre së cilës ia nënshtrojnë tërë afshin të mbyllur në kuvli meskinitetesh.
Ti s’e ke ishullin tënd, ku do të mund t’i çlodhësh demonët e pëprçdoditshëm.Ndjen lodhje në trup, në shpirt sikur tërë mëkatet e botës t’i kishe mbi supe. T’i pret çastin e parë që t’i dorëzohesh vetmisë, kësaj parajse të neveritshme për të shoqërizuarit. Mijëra sy brutalisht shkoqin trupin e ditës, të prekshmen e ekzistencës njerëzore. Mijëra vesh përgjojnë kumtet brutale dhe banale të ditës të kurdisura nga dora delikate e sovranëve. Ti ndjen neveri. Ti ndjen se si ata të mbulojnë me zhelet e poshtërsisë dhe të përkulin në keqardhjen tënde së cilës i nënshtrohesh plot dënesë.
Dhe, në një qosh të parajsës së përbytur, ti sheh një fytyrë biblike dora e të cilit tollovit në kontejnerin e bërllokut njerëzorë shpresën e tij. Ti sheh atë buzëqeshje cinike, atë ngërdheshje që pluskon plot mendjemadhësi që nga koha e Kainit dhe kërkon t’i vësh maskën e mëshirës, maskën e dinjitetit njerëzorë, por pafuqia të bën të kuptosh se arroganca tashmë është mënyrë jetese.
Me plot qesendi kërkojnë të zhbirojnë ndejshmërinë tënde të mikluar me grimcat më të padukshme të dritës, vetëm për të kënaqur grykësin e tyre shpirtërore që përfundon jashtë lëkurës së tyre. Për çdo ditë ndjen lagështinë e vjeshtës që lëviz në formë resh brenda qenies tënde dhe akoma shpreson në një stinë tjetër më të përshtatshme për melankolinë tënde vrastare. Ti kërkon të kuptosh golgotën e secilit, në kohën kur qëndron i mbërthyer në kryqin tënd. Ata krah të lodhur nga përçmimi, nga verbëria mjerane sikur kërkojnë të pushtojnë tejbotën e qenies njerëzore, çastin e fundëm të mundimit njerëzor. Mendime të errëta të sillen në tru, më të errëta se një natë mesjetare. Por ti beson në tejkalimin e ndjeshmërive, në atë copë qielli të purpurt që të fanitet si një trup i bukur vashe.
Ti do ta ndërroje këtë fat ( fatalitet) me një tjetër çfardo, pa më të voglin dëshpërim se do të ishe i zakonshëm, por ajo grishje fatale që mishërohet me shkretëtirën e lëtrës së bardhë të mban të ngujuar në “perandorinë” e vet, në atë hapësirë ku vlejnë tjera rregulla dhe ku shpërthejnë të tjera shqisa. Sa keq, gëzim fillon ngadal të të fashitet si një ëndërr e bukur që mëngjeset e vdirin nga kujtesa. Ke mall të ndjehesh i zakonshëm, të flasësh për lulet, për “plane shtëpie”, por trishtimi sakaq t’i mbyll dyert me tërsëllimë. Gjersa përbrenda ndjen një zjarrmi të provokuar nga të gjitha hiret e botës, djersë të ftohta të përshkojnë trupin. Sytë e tu kërkojnë sy melankolik, sy të mërguar në trishtim. Në një çast që zakonisht përmbyll të zakonshmen dhe banalen vetvetishëm të vjen të klithësh sikurse Pol Verlenit “Natyrë, asgjë jotja nuk më mallëngjen më!”.
Vetëm kur shkronjat të kenë stampuar këtë rrëfim, këtë lutje dhe përgjërim ti ndjen se ke pushtuar çastin e fundëm, ekstazën e të qenit njeri. Dhe kjo të mjafton. Të mbush me shpresë dhe besim se në atë bardhësi shkretëtire ti ke lënë gjurmët e golgotës tënde të zëshme. Pastaj të gjitha heshtjet flasin dhe krijojnë polifoninë e drithmave njerëzore. Ti tashmë ke shpërthyer sinorët e rëndomtë, duke shpaluar para vetës kaltërsinë e ekzistencës njerëzore, atë aromë mediterani që ruan brenda vetes erëmimet e ullinjve. E ndjen veten si në një kremte pagane ku të servohen të gjitha verërat e mundshme. Ndjen në gjak se si pulson jeta, ky lum i ngadalshëm dhe i përshpirtshëm që derdhet në errësirë…

Të fundit