E shtunë, 4 Maj, 2024

SHKËMBIMI TREGTAR ME RUSINË ÇUDITËRISHT RRITET PAS SANKSIONEVE!

Shkruan: Xhelal Neziri

Sanksionet e Maqedonisë së Veriut ndaj Federatës Ruse duket se nuk kanë dhënë rezultatet e pritura. Në vend të zvogëlimit të shkëmbimit tregtar, të dhënat zyrtare tregojnë të kundërtën. Që nga fillimi i pushtimit Rus ndaj Ukrainës në shkurt të vitit 2022, Maqedonia e Veriut iu bashkua SHBA-ve dhe vendeve të Bashkimit Evropian (BE) në vendosjen e pakos së sanksioneve.

Nëse analizohen të dhënat e fundit, pra të janarit të këtij viti, do të shihet një rritje e konsiderueshme e shkëmbimit tregtar. Ky trend është i pranishëm edhe në importin dhe eksportin me të gjithë partnerët kryesorë tregtarë të Maqedonisë së Veriut.

Sipas të dhënave të Entit Shtetëror për Statistika, vlera e përgjithshme e eksportit të mallrave nga Republika e Maqedonisë së Veriut, në janar të vitit 2023 shënon rritje prej 13,7% në krahasim me të njëjtin muaj në vitin 2022. Në janar të vitit 2023, sipas vëllimit të përgjithshëm të tregtisë së jashtme, Republika e Maqedonisë së Veriut ka bërë më së shumti tregti me Gjermaninë, Britaninë e Madhe, Greqinë, Serbinë dhe Kinën. E shprehur në euro, vlera e përgjithshme e eksportit të mallrave nga Republika e Maqedonisë së Veriut, në janar 2023, arrin në 621 milionë euro, kurse vlera e mallrave të importuara është 848 milion euro, që është për 5.0% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Eksporti në Federatën Ruse, ndërkaq, në janar të vitit 2022 ka qenë 3.6 milionë euro, ndërkohë që në janar të këtij viti ka qenë 8.8 milionë. Rritje ka shënuar edhe importi nga Federata Ruse: nëse në janar të vitit të kaluar ka qenë 17.6 milionë euro, në janar të këtij viti në Maqedoninë e Veriut janë importuar mallra ruse në vlerë prej 50.6 milionë euro.

 

Përskaj kësaj rritjeje, Federata Ruse është lar të qenurit një partner i fuqishëm tregtar i Maqedonisë së Veriut. Me një eksport prej vetëm 0.5 miliardë eurosh gjatë vitit 2022, Rusia renditet në vendin e 13-të në listën e shteteve ku vendi eksporton më shumë nga mallrat e saja. Në vendin e parë është BE-ja me 6.5 miliardë euro, që përbën më shumë se dy të tretat e tregut ku shiten prodhimet e RMV-së, prej të cilave vetëm në Gjermani vitin e kaluar janë eksportuar mallra në vlerë prej 4.7 miliardë eurosh. Në vend të dytë është Britania e Madhe, ku eksporti vjetor kap 2 miliardë euro, në të tretin Serbia me 1.1 miliardë euro, që më pastaj të vazhdohet me Kinën, Turqinë, Bullgarinë, Italinë dhe Hungarinë ku eksporti kap shifrën prej nga 1 miliardë euro në vit.

 

Nëse shihet trendi i eksportit pas vendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë, edhe në nivel vjetor ka rritje. Nëse në vitin 2021 eksporti ka qenë në vlerë prej vetëm 200 milionë eurosh, në vitin 2022 ky aktivitet ka kapur shifrën prej 500 milionë euro.

 

Këto shifra tregojnë se sanksionet ndaj Rusisë nuk kanë pasur fare ndikim në tregtinë midis dy vendeve. Por, këto shifra nuk janë karakteristikë vetëm e Maqedonisë së Veriut. Edhe vendet tjera të rajonit, por edhe të BE-së, nuk kanë arritur të reduktojnë shkëmbimin tregtar me Rusinë, gjë që pritej nga sanksionet e vendosura. Qeveritë nuk kanë arritur t’i bindin kompanitë private që të ndërpresin zbatimin e kontratave me partnerë të tyre nga Federata Ruse, gjë që ka pamundësuar rezultatet e sanksioneve. Përkundrazi, gjendja e vështirë në të cilën u gjet Rusia për shkak të izolimit ndërkombëtar pasi pushtoi një pjesë të Ukrainës, ka bërë që kërkesa për mallra nga Ballkani të rritet bashkë me interesin për plasimin e mallrave ruse në këtë rajon. Kjo natyrisht se ka qenë një mundësi e artë për biznesmenët, të cilët nuk shohin përtej mundësisë për profit.

Të dhënat zyrtare thonë se Maqedonia e Veriut në Federatën Ruse më së shumti eksporton barëra që përmbajnë antibiotikë, pjeshkë, molla, duhan, domate, ajvar, akumulatorë dhe pjesë të ndryshme për makina. Nga Rusia, ndërkaq, importohet energji, gurrë, qymyr, naftë dhe plehra artificialë.

Në fillim të marsit të vitit 2022, biznesmenë nga Oda Ekonomike Ruso-Maqedonase reaguan pas vendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë, duke alarmuar mundësinë që edhe Rusia të vendosë sanksione për mallrat e RMV-së. Megjithëse RMV u gjet në listën e shteteve armiqësore të Rusisë, pra të atyre që kishin vënë sanksione, megjithatë kjo nuk u reflektua në shkëmbimin tregtar midis vendeve.

 

Teksti fillimisht është bituar në portalin gjeopolitik The Geopost      

Të fundit