E enjte, 25 Prill, 2024

DHUNA NË FAMILJE ‘’PLAGË E PASHËRUAR’’ NË SHOQËRINË TONË

Dhuna në familje është fenomen i pranishëm në të gjitha vendet, pra nuk është specifike vetëm për shoqëri të caktuara, por është e pranishme kudo, pavarësisht shkallës së zhvillimit ekonomik, përbërjes etnike, religjioze etj, të vendeve të caktuara. Megjithatë, shkaqet e paraqitjes së saj ndryshojnë nga njëri vend në tjetrin. Shkaqet e dhunës në familje nuk gjenden gjithmonë në faktorët e brendshëm familjarë, moral apo psikologjikë, por shumë shpesh edhe në shkaqe të tjera sociale. Në shumë raste dhuna familjare mund të shpjegohet vetëm si rezultat i ndikimit të shoqërisë së gjerë, zakoneve të trashëguara në breza, zakonisht të lidhura me traditën patriarkale të vendeve të caktuara,  apo stresit të shkaktuar nga fenomene që përbëjnë plagë sociale më vete, siç mund të jenë papunësia, varfëria, alkoolizmi, abuzimi me substancat narkotike, prostitucioni, kriminaliteti etj

Shkruan: Vedije Ratkoceri

Dhuna, në përgjithësi, ka qenë fenomen që ka shoqëruar të gjitha epokat, të gjitha vendet dhe shoqëritë që nga fillimet e njerëzimit e deri në ditët tona, aq sa krijohet përshtypja që kjo është një dukuri “normale” e lidhur pazgjidhshmërisht me njerëzimin.

Në kuptimin më të përgjithshëm të fjalës, dhuna në familje është një kombinim i faktorëve psikologjikë, socialë dhe ekonomikë që ndërthuren (ose jo) dhe krijojnë parakushtet apo atmosferën në të cilën ndodhin abuzimet e shprehura në formë të dhunës fizike, psikike, seksuale apo ekonomike ndaj viktimave. Dhuna në familje përbën një problem të mprehtë social, për arsye se cenon bazat e shoqërisë në themelin e saj më të thellë, familjen, që është qeliza bazë e shoqërisë. Sot, për dallim  nga e kaluara jo e largët, ajo konsiderohet si një nga shkeljet kryesore të të drejtave themelore të njeriut, me pasoja të rënda për jetën, shëndetin fizik dhe mendor të viktimave të dhunës në familje.

Dhuna në familje është fenomen i pranishëm në të gjitha vendet, pra nuk është specifike vetëm për shoqëri të caktuara, por është e pranishme kudo, pavarësisht shkallës së zhvillimit ekonomik, përbërjes etnike, religjioze etj. të vendeve të caktuara. Megjithatë, shkaqet e paraqitjes së saj ndryshojnë nga njëri vend në tjetrin. Shkaqet e dhunës në familje nuk gjenden gjithmonë në faktorët e brendshëm familjarë, moral apo psikologjikë, por shumë shpesh edhe në shkaqe të tjera sociale. Në shumë raste dhuna familjare mund të shpjegohet vetëm si rezultat i ndikimit të shoqërisë së gjerë, zakoneve të trashëguara në breza, zakonisht të lidhura me traditën patriarkale të vendeve të caktuara,  apo stresit të shkaktuar nga fenomene që përbëjnë plagë sociale më vete, siç mund të jenë papunësia, varfëria, alkoolizmi, abuzimi me substancat narkotike, prostitucioni, kriminaliteti etj. Faktorët që mund të ndikojnë në paraqitjen e saj janë të shumtë, por shkaku kryesor i dhunës vazhdon të mbetet pushteti i pabarabartë që ekziston në marrëdhënien në çift, midis burrave dhe grave dhe nevoja e kryerësit që të dominojë dhe kontrollojë viktimën.

Duke qenë se viktimat janë më shpesh gratë, dhuna në familje përbën një kërcënim sistematik për të drejtat e grave, pa dallim moshe, race apo përkatësie etnike, materiale apo shoqërore. Sipas të dhënave të OKB-së, 1 në 3 gra në botë ka qenë viktimë e dhunës fizike, psikologjike apo seksuale dhe dhunuesit në shumicën e rasteve kanë qenë bashkëshortët martesorë ose jashtëmartesorë. Po ashtu, 70% e vrasjeve tek femrat (femicidi) kryhen nga partnerët e tyre. Në fillim të shek. XXI, gratë e moshës 15-44 vjeç më së shumti kanë humbur jetën ose kanë marrë dëmtime të rënda trupore si pasojë e dhunës në familje sesa nga sëmundjet, aksidentet dhe luftërat të marra së bashku.

Dhuna në familje, në të kaluarën është trajtuar si çështje private, që është “zgjidhur” brenda mureve të mbyllura të shtëpisë, por vitet e fundit ka marrë vëmendjen e merituar ligjore. Ajo është një çështje publike me pasoja të rënda, që kërkon vëmendje të veçantë shoqërore dhe shtetërore. Megjithatë, shumë shtete ende nuk kanë mundur të sigurojnë një sistem efikas për parandalimin dhe sanksionimin e dhunës në familje. Pasiviteti i shteteve manifestohet nëpërmjet mbrojtjes joefikase policore, zgjidhjeve të papërshtatshme ligjore, procedurave gjyqësore joefikase, kujdesit të dobët shëndetësor dhe mungesës së ndihmës ekonomike dhe mbështetjes së viktimave të dhunës në familje.

Nocioni i dhunës është integruar fuqishëm në gjuhën tonë të përditshme, por meqenëse paraqet një kategori komplekse multi-disiplinore ajo interpretohet në mënyra të ndryshme, kështu që është vështirë të gjendet një nocion i vetëm dhe i përgjithshëm që do të përkufizonte këtë institut. Sipas Ligjit për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna ndaj grave dhe dhuna në familje të RMV-së, “dhunë në familje është keqtrajtimi, ofendimi, rrezikimi i sigurisë, dëmtimi fizik, dhuna seksuale ose dhuna tjetër psikologjike, fizike ose ekonomike me të cilën shkaktohet ndjenjë e pasigurisë, kërcënimit ose frikës, përfshirë edhe kërcënime për veprime të tilla, ndaj bashkëshortit, prindërve ose fëmijëve ose personave të tjerë që jetojnë në një bashkësi martesore ose jashtëmartesore ose në një ekonomi familjare të përbashkët, si dhe ndaj një bashkëshorti aktual ose të mëparshëm ose partnerit jashtëmartesor ose personave që kanë një fëmijë të përbashkët ose janë në një lidhje të ngushtë personale, pavarësisht nëse kryerësi i veprës e ndan ose e ka ndarë të njëjtin vendbanim me viktimën apo jo. Pra, dhuna në familje është çdo akt dhune, çdo veprim ose mosveprim i ushtruar midis personave që janë apo kanë qenë në marrëdhënie familjare, që sjell si pasojë cenim të integritetit fizik, moral, psikologjik, seksual, social dhe ekonomik.

POLITIKA PENALE E RMV-SË PËR PARANDALIMIN DHE LUFTIMIN E DHUNËS NË FAMILJE

Ndryshimet rrënjësore në legjislacionin tonë për trajtimin e dhunës në familje dhe mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje filluan në vitin 2004 me amandamentimin dhe ndryshimin e Kodit Penal dhe Ligjit mbi familjen, ku u miratuan nene përkatëse që në mënyrë eksplicite kishin të bënin me dhunën në familje. Prej këtu edhe filluan ndryshimet rrënjësore të politikës shtetërore dhe shoqërore për njohjen pikë së pari të dhunës në familje, dënimin e kryerësve, vetëdijesimin e viktimave për denoncim të dhunës në familje, realizimin e kampanjave të ndryshme mediatike e kështu me radhë. Ndryshime edhe më të rëndësishme në legjislacion nga kjo sferë ndodhën në vitin 2006 dhe 2008 e sidomos në vitin 2014 kur edhe u miratua ligj i posaçëm për rregullimin e dhunës në familje “Ligji për Parandalim, Pengim dhe Mbrojtje nga Dhuna në Familje” i cili hyri në fuqi më 1 janar të vitit 2015. Duhet të theksohet se me miratimin e ligjit të posaçëm, u shfuqizuan nenet përkatëse të Ligjit mbi Familjen që kishin të bënin me dhunën në familje, Ligji për parandalim, pengim dhe mbrojtje nga dhuna në familje ishte në fuqi deri në vitin 2021, kur u shfuqizua me rastin e hyrjes në fuqi të ligjit të ri mbi dhunën në familje – Ligj për Parandalim dhe Mbrojtje nga Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna në Familje.

Që nga pavarësia, Republika e Maqedonisë së Veriut ka ratifikuar ose trashëguar edhe disa obligime ndërkombëtare për barazinë gjinore, përfshirë Konventën e OKB-së për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit ndaj Grave (CEDAW) dhe Protokollin e saj Fakultativ, andaj edhe prej këtu buroi nevoja e ndryshimeve legjislative të përmendura më lartë. Kohë më parë, në vitin 2018 u ratifikua edhe Konventa e Këshillit të Evropës për Parandalim dhe Luftë Kundër Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje e njohur si Konventa e Stambollit e cila bazamentin e saj e ka në parimin e barazisë midis burrave dhe grave. Me ratifikimin e kësaj Konvente, Maqedonia e Veriut hyri në mesin  e vendeve të cilat në mënyrë të përforcuar do të luftojnë për çrrënjosjen e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje. Si rezultat i ratifikimit të Konventës së Stambollit është edhe miratimi i ligjit të ri në vitin 2021.

A KA REZULTUAR EFIKASE KJO POLITIKË E RMV-së?

Sipas një hulumtimi të OSBE-së të publikuar në vitin 2019, gati 1 në 7 gra në Maqedoninë e Veriut kanë qenë pre e sulmeve apo dhunës nga partneri ose bashkëshorti. Nëse shohim të dhënat në një retrospektivë më të gjatë, rezulton se për 12 vite në Maqedoninë e Veriut janë vrarë 96 gra, në shumicën e rasteve nga bashkëshortët ose ish-bashkëshortët. Në vetëm 5 vite, prej vitit 2017 deri në vitin 2021 janë vrarë 31 gra prej të cilave mbi 22 janë vrasje nga partnerët për shkak të përkatësisë së tyre gjinore dhe janë klasifikuar si femicid nga sektori civil. Vetëm në vitin 2022 sipas MPB-së ka pasur të raportuara gjithsej 1117 raste të veprave penale lidhur me dhunën në familje, edhe atë: 9 vrasje, 26 plagosje të rënda, 675 lëndime trupore, 389 raste të rrezikimit të sigurisë, 15 detyrime me forcë dhe 3 rrëmbime,

Numrin më të madh të viktimave edhe në vendin tonë e përbëjnë gratë, përkatësisht nga rastet e lartëpërmendura për vitin 2022 ka pasur gjithsej 1191 viktima prej të cilave 942 kanë qenë gra të viktimizuara kryesisht nga bashkëshortët e tyre martesorë apo partnerët jashtëmartesor. Fatkeqësisht nga këto të dhëna rezulton se nga dhuna në familje nuk janë kursyer as fëmijët e as prindërit e moshuar të cilët kanë raportuar dhunë të ushtruar nga prindërit përkatësisht nga bijtë e tyre të rritur.

PROGRAMI PËR TRAJTIMIN E DHUNUESVE NË FAMILJE

Ajo çfarë duket se mungon në vendin tonë, janë programet për trajtimin e kryerësve të veprave penale. Nuk do mend se edhe kryerësit e dhunës në familje janë qenie njerëzore dhe kanë nevojë për ndihmë dhe përkrahje profesionale në mënyrë që të ndryshojnë sjelljen e tyre dhe të mos përsërisin aktet e dhunës në familje. Këtu kryesisht e kemi fjalën për programe të cilat do të zbatoheshin ndaras dhe krahas dënimeve dhe sanksioneve të tjera penale të parapara me ligj.

Në vitet e fundit, në disa vende të Ballkanit janë zhvilluar disa nisma që synojnë programe për kryerësit e dhunës. Kështu në Shqipëri kemi Linjën për Këshillimin për Burra dhe Djem që punon në bashkëpunim me gjykatat, shërbimin sprovues dhe agjencitë e tjera shtetërore. Kjo linjë është e përkushtuar të ofrojë këshillim për kryerësit e dhunës, si dhe nxitje të aktiviteteve parandaluese dhe edukuese për të ndihmuar në krijimin e një komuniteti në të cilin dhuna nuk tolerohet. Ndërkaq, në Kroaci që nga fundi i viteve 2000, është njohur  rëndësia e punës me kryerësit e dhunës në familje dhe shkelësit e marrëdhënieve seksuale. Në përputhje me normativën ligjore, kryerësve të dhunës burra ose gra mund t’u kërkohet të marrin pjesë në një program, i cili mund të mbahet në komunitet ose në kujdestari, në varësi të faktit nëse lënda klasifikohet si kundërvajtje apo si vepër penale. Kohëve të fundit, edhe Republika e Kosovës në vazhdën e ndryshimeve legjislative dhe politkave represive që ka ndërmarrë për të luftuar dhe parandaluar dhunën në familje dhe dhunën ndaj grave, është në procedurë të hartimit dhe miratimit edhe të një programi rehabilitues për kryerësit e këtyre veprave penale.

Krijimi i programeve për trajtimin e dhunuesve është edhe një kërkesë e Konventës së Stambollit për shtetet palë, përkatësisht sipas Konventës së Stambollit, programet e kryerësve të dhunës duhet të bazohen në të kuptuarit gjinor të dhunës dhe nuk duhet të konsiderohen si alternativë ndaj procedurave penale. Shtetet palë inkurajohen të zbatojnë standarde minimale uniforme që synojnë t’i japin prioritet sigurisë së grave dhe fëmijëve dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare. Programet për kryerësit e dhunës duhet të inkurajojnë fillimisht pjesëmarrësit të marrin përgjegjësi për veprimet e tyre dhe të shqyrtojnë qëndrimet dhe bindjet e tyre ndaj grave.

Kjo analizë është prodhuar në kuadër të projektit të mbështetur nga NED. Qëndrimet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autores.

 

 

 

 

Të fundit